Podcast

Audio-Lajme shkurt 25 tetor 2019

SPAK me tetë prokurorë, drejtuesi i përkohshëm
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur që të miratojë tetë prokurorë si pjesë e SPAK, duke vendosur gjithashtu që drejtuesi i saj të caktohet në mënyrë të përkohshme. Prokuroria e Posaçme, SPAK krijohet me 10 anëtarë, si numër minimal, por kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi deklaroi se do të jenë Parlamenti dhe kreu i ri i SPAK që do të vendosin për mënyrën e funksionimit. Janë tetë prokurorë që kanë kaluar vettingun dhe pritet tashmë të jenë pjesë e organit të ri hetimor që synon të godasë zyrtarët e korruptuar.

Gara për kryeprokuror, Allushaj paralajmëron ankimim edhe ndaj Apelit
Gjykata e Apelit Administrativ rrëzoi padinë e avokatit Lulzim Allushaj duke mbyllur kështu njërën prej problematikave që mbante peng Këshillin e Lartë të Prokurorisë në vijimin e procedurave për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri me mandat të plotë. Apeli i dha të drejtë vendimit të KLP-së që e skualifikoi Allushajn nga gara për kryeprokuror pasi nuk plotësonte kriterin e 15 viteve punë si jurist i spikatur në momentin që kishte aplikuar për t’u bërë kryeprokuror. Vetë Allushaj tha se e plotësonte këtë kriter më 15 qershor të këtij viti dhe akuzoi KLP se kishte shkelur afatin ligjore prej 45 ditësh për të vlerësuar kandidaturat. Pas këtij vendimi në garë janë zyrtarisht tre kandidatë. Arta Marku, Olsian Çelaj dhe Fatjona Memçaj garojnë për postin e kryeprokurorit. Vendimet e këtij lloji të Gjykatës së Apelit Administrativ janë të formës së prerë, por Avokati Lulzim Allushaj nënkuptoi se mund ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese.

Furtunë në Kadastrën e Durrësit, 18 të arrestuar. Në pranga dhe ish-kreu i Ishmit
Policia e Durrësit në një deklaratë për mediat ka dhënë detaje lidhur me operacionin “Rodoni”, që ka shkaktuar furtunë në Kadastrën e këtij qyteti.
Janë 18 punonjës që janë lënë në burg mes të cilëve juristë, drejtorë dhe ish-specialistë. Këta punonjës kanë tjetërsuar sipërfaqe tokash dhe ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit. Ndër të arrestuarit janë edhe ish-kryetari i Komunës Ishëm, Sulejman Ibrahimi, ish-drejtori i Hipotekës së Durrësit, Ardian Iljazaj, ish-drejtoresha e Hipotekës në Durrës, Edlira Nova. Ndërkohë janë shpallur edhe tre të tjerë në kërkim.
Policia bën me dije se ky aktivitet është realizuar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, si të akteve të marrjes së tokës në pronësi, kartelave të pasurive në Regjistrat e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës.

Greminger: OSBE mundet vetëm të lehtësojë dialogun për krizën
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger është shprehur se OSBE mund të lehtësojë dialogun për zgjidhjen e krizës politike. Në një konferencë me ministrin në Detyrë të Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, Greminger tha se ajo që nuk mund të bëjë OSBE është të marrë vendime politike.
“U kam thënë të gjithë bashkëbiseduesve të mi se çfarë OSBE mund dhe nuk mund të bëjë. OSBE në thelb mund të bëjë tri gjëra. Ne mund të sjellim ekspertizë teknike, së dyti t’u kujtojmë shteteve anëtare të OSBE-së angazhimet që kanë shtetet pjesëmarrëse dhe së treti të lehtësojmë dialogun. Ajo që nuk mund të bëjmë është të marrim vendime politike. Shpresojmë që rekomandimet e ODIHR po merren seriozisht”, është shprehur ndër të tjera Greminger.
Ndërkohë, e njëjta gjë u deklarua edhe nga kryedemokrati Lulzim Basha pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger. Duke përmendur kushtet e Bundestagut, Basha tha se rruga e opozitës është e qartë, ndërsa kërkoi miratimin e një reforme zgjedhore që garanton lirinë e votës dhe menjëherë zgjedhje të parakohshme.

Propozimi francez: Hiqni dorë nga BE në këmbim të partneritetit special
Zyrtarisht Franca deklaron se mbështet anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, por pas bllokimit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 18 tetor, jozyrtarisht Parisi duket se po përpiqet që të bindë vendet e rajonit që të heqin dorë vetë nga ambicia për t’u bërë anëtare të BE-së. Sipas “Nezavisne”, gazetë e serbëve të Bosnjes, Franca po bisedon informalisht me një pjesë të këtyre vendeve duke u ofruar “partneritet special”, që përfshin mbështetje financiare, marrëveshje që parashikojnë lehtësi të mëdha qasjeje në tregun e përbashkët të BE-së dhe favore të tjera në këmbim të braktisjes në heshtje të idesë së anëtarësimit të plotë.

“Shengeni” ballkanik, Rama: Mundësi për investitorët dhe turistët kinezë
Kryeministri Edi Rama njohu kryebashkiakët e kryeqyteteve të rajoneve kineze me nismën e ndërmarrë prej tij, Presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe të Kryeministrit maqedonas Zoran Zaev për qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, si një mundësi që do t’u ofrojë investitorëve të huaj një rajon me një treg më të zgjeruar dhe më të qëndrueshëm. Rama foli në Forumin e 4-rt “17+1” të kryebashkiakëve kinezë me kryebashkiakët e kryeqyteteve të vendeve të Europës Qendrore dhe Jugore. Kreu i qeverisë tha se kjo nismë do të rrisë kapacitetet dhe larminë e ofertave për investitorët dhe turistët e huaj në rajon dhe në këtë vështrim duhet të shohin edhe investitorët dhe turistët kinezë.

Trajneri i ri i Tiranës, Halili zgjedh Ahmatajn
Vendin e lënë bosh nga Ardian Mema do të zërë Julian Ahmataj. Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka zgjedhur atë për të drejtuar ekipin në vazhdim të kampionatit. Trajneri elbasanas ishte ndër kandidatët kryesorë, bashkë me Bledar Devollin, të dy ish-lojtarë të Tiranës, por në fund është vendosur për Ahmatajn. Klubi bardheblu ka gati zyrtarizimin dhe prezantimin e trajnerit të ri, ku do të jepen më shumë detaje në lidhje me kontratën e bashkëpunimit. Ahmataj do të debutojë në stolin e Tiranës në ndeshjen e së dielës ndaj Luftëtarit, skuadrën që ai e drejtoi me sukses sezonin e kaluar në Superiore. Përveç Luftëtarit, Ahmataj ka drejtuar edhe Burrelin dhe Kamzën. Situata e fundit ka sjellë pakënaqësi te tifozët, të cilët fajësojnë drejtuesit e klubit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë