Zgjedhja e Peter Handke tingëllon e çuditshme, në një kohë kur komiteti i Nobelit kishte shfaqur shumë indikatorë se po largohej nga laureatët zjarrvënës.
Në përpjekje për të dalë nga skandali seksual, komiteti i Nobelit i akordoi këtë vit Nobelin e Letërsisë një mbrojtësi austriak të Millosheviçit, i cili mohon masakrën e Srebenicës.
Akademia Mbretërore Suedeze i shpalli laureatët e të dy viteve -2018 dhe 2019 -, pasi u detyrua ta shtynte vitin e kaluar me daljen e skandalit që përfshiu bashkëshortin e një prej anëtarëve.
Romancierja dhe aktivistja polake Olga Tokarczuk dhe autori kontrovers austriak Peter Handke, u shpallën fitues të Nobelit të Letërsisë Zgjedhja e Tokarczuk dhe Handke vjen pasi Akademia Suedeze premtoi largimin nga e shkuara e çmimeve me “orientim mashkullor” dhe “Eurocentrik”.
Tokarczuk, aktiviste, intelektuale publike dhe kritike e politikës së Polonisë u citua nga komiteti për “imagjinatën narrative që me pasion enciklopedik përfaqëson kapërcimin e kufijve sinë formë e jetës”. Ajo është bestseller në Poloni dhe është bërë e njohur në Britani pasi fitoi çmimin ndërkombëtar Booker, për romanin e saj të gjashtë “Fluturime”. Anëtarja e Komitetit të Nobelit, Anders Olsson u shpreh se vepra e saj, e cila “ka në qendër migracionin dhe tranzicionet kulturore” ishte plot “mençuri dhe shkathtësi”.
Motivacioni për Peter Hanke ishte “për në vepër me ndikim që me zotësinë gjuhësore ka eksploruar periferinë dhe specifikën e përvojës njerëzore”, duket se do të jetë edhe më kontraverse – veçanërisht për një organizatë në përpjekje për rikuperimin e reputacionit pas skandalit që çoi edhe anulimin e çmimit, vitin e kaluar.
Dramaturgu dhe romancieri austriak, me origjinë sllovene nga ana e mamasë, mbajti fjalim në funeralin e kriminelit serb të luftës Sllobodan Millosheviç, duke thënë “Nuk e njoh të vërtetën. Por shoh. Dëgjoj. Ndiej. Mbaj mend. Kjo është arsyeja pse jam këtu sot, pranë Jugosllavisë, pranë Serbisë, pranë Sllobodan Millosheviçit”. Pas kritikave , ai u tërhoq nga një kandidim për çmimin “Heinrich Heine” përpara se politikanët ta rrëzonin, për shkak të bindjeve të tij politike. Edhe fitorja e çmimit ndërkombëtar “Ibsen” më 2014, u shoqërua me protesta në Oslo.
Ndoshta, më poshtëruesja për komitetin e Nobelit, Handke gjithashtu ka thënë më 2014-n se Nobeli duhet zhdukur, duke e quajtur “kanonizim të rremë” të letërsisë. “Çmimi Nobel duhet zhdukur”, do të thoshte ai për gazetën austriake Die Presse, duke shtuar se megjithëse prodhonte “një çast vëmendjeje, gjashtë faqe në gazetë”, ai nuk e admironte zgjedhjen. A ishte ai një humbës i lënduar? “Sigurisht që është një çmim që të bezdis e më pas mërzit veten për shkak se mendon rreth tij. Është aq pavlerë dhe në të njëjtën kohë je i pavlerë për të”.
Sekretari i përhershëm i Akademisë Suedeze, Mats Malm tha se të dy lauretatët ishin njoftuar për fitoren. Handke ishte në shtëpi, ndërsa Tokarczuk në një tur leximi në Gjermani dhe iu desh të ndalonte makinën në rrugë, kur kishte marrë telefonatën.
Handke, miku i Millosheviçit
Handke, i njohur veçanërisht për dramën Über die Dörfer (Ec rreth fshatrave), romanin Die Wiederholung (Përsëritja) dhe skenarin për filmin e Wim Wenders “Flatra Dëshire” është, sipas Olsson “një nga shkrimtarët më me ndikim të fiksionit bashkëkohor de pjesë e debatit letrar prej vitit 1966”, i cili me “mjeshtëri të madhe eksploron periferinë e vendeve të parrokura nga syri”.
Komiteti i Nobelit bëri me dije çështjet që rrethojnë Handke-n në citimin e tyre për çmimin, duke pranuar se “ai ka shkaktuar, me raste, edhe debat”. Por duke shtuar se “ai nuk mund të konsiderohet një shkrimtar i angazhuar në kuptimin e Sartrit dhe nuk na jep programe politike”.
Qëndrimi pro-Millosheviç i Handke-s e ka bërë atë që dënojë ndërhyrjen “kriminale” të NATO-s në Serbi dhe ka pretenduar se myslimanët i kanë inskenuar masakrat e tyre në Sarajevë dhe ia kanë hedhur fajin serbëve. Në funeralin e Millosheviçit, është raportuar se ka thënë se ishte i lumtur të qëndronte pranë “një burri që mbrojti popullin e tij”.
Atëkohë, Alain Finkielkraut, intelektual parisien, do të thoshte se Handke ishte shndërruar në “një përbindësh ideologjik”, ndërsa Slavoj Zizek –me origjinë sllovene – ka thënë se “glorifikimi i serbëve nga Handke është cinizëm”. Ndërsa Susan Sontag, e cila ka kaluar disa muaj në Sarajevë gjatë luftës së Bosnjes, pasi vinte në skenë një performancë për “Duke pritur Godonë”, ka thënë se tanimë Handke ishte shkrimtar “i mbaruar” në Nju Jork.
Olga Tokarczuk, aktivistja e majtë që zemëron konservatorët polakë
Torkarczuk është zgjedhje surprizë, por e shkëlqyer. Juria e përshkruan atë si “shkrimtare që shqetësohet rreth jetës vendase… por duke e parë tokën nga lart… vepra e saj është plot mençuri dhe shkathtësi.”
Përtej romaneve të njohur, ajo ka edhe peshë politike. Si intelektuale publike, vegjetariane feministe, ka zemëruar shpesh skajet konservatore të Polonisë.
Në një intervistë televizive, pas fitores së çmimit Nike, në Polini, Tokarczuk zemëroi patriotët e djathtë duke thënë se, në të kundër të imazhit për veten si mbijetuese e shtypjese, Polonia vetë ka kryer “akte të tmerrshme” kolonizimi, në kohë të ndryshme të historisë së saj. Ajo është etiketuar si “targowiczanin” – një term i lashtë për tradhtarët – dhe botuesi saj ka punësuar truproja për ta mbrojtur.
Përpjekjet për ta bërë procesin më pak misterioz
Përzgjedhja e Handkedhe Tokarczuk vjen pas skandalit dy vjeçar të Akademisë Suedeze. Vitin e kaluar, çmimi u shty për shkak të “besimit të reduktuar të publikut” që vinte pas akuzave për përdhunim kundër Jean-Claude Arnault, bashkëshorti francez i anëtares së akademisë Katarina Frostenson. Frostenson dhe gjashtë anëtarët e tjerë u larguan nga Akademia Suedeze, mes zërave të hidhur rreth mënyrës si ishte menaxhuar akuza dhe Arnault, i akuzuar se rridhte emrat e laureatëve, është në burg për përdhunim.
Çmimi jepet në fjalët e testamentit të Alfred Nobel “personi që do të ketë prodhuar në fushën e letërsisë veprën më të jashtëzakonshme në një drejtim ideal”. Ka pasur 116 laureatë deri më sot – 15 mes të cilëve janë gra. Deri më tani anglishtja është gjuha më e zakonshme për laureatët e Nobelit me 29 fitues, 14 në gjuhën frënge, 14 në gjermanisht, 11 në spanjisht dhe shtatë në suedisht.
Akademia Suedeze prej kohësh e ka mbuluar procesin e zgjedhjes së kandidati me mister, me 18 anëtarët e saj të zgjedhur përjetë dhe me kandidimet që nuk bëhen publike pa kaluar 50 vite. Të thënë se do të tregojnë “hapje më të madhe drejt botës së jashtme” nga Fondacioni Nobel dhe i ngarkuar me rikuperimin e besueshmërisë, tanimë i lejon anëtarët të japin dorëheqjen de ka caktuar shtatë anëtarë të rinj, me Malm që ka zënë vendin e ish-sekretares së përhershme Sara Danis, që u detyrua të largohej pas skandalit të Arnault.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.