Mentor Kasa - Me votimin e Asamblesë së Përgjithshme të Prokurorëve, Esmeralda Keshi katapultohet nga Prokuroria e Dibrës drejtpërdrejtë në një nga karriget që vendos për karrierën dhe fatin e prokurorëve dhe të institucioneve të tjera të organit të akuzës. Por, zgjedhja e saj si anëtare e 11-të e Këshillit të Lartë të Prokurorisë mund të jetë përcaktuese në prag të votimit dhe renditjes përfundimtare të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.
Gara për kryeprokuror aktualisht është pezulluar në KLP, në pritje të vendimit të Gjykatës Administrative për padinë e dorëzuar nga avokati Lulzim Alushaj, që u përjashtua nga ky organ për mospërmbushje të kriterit të 15 viteve punë si “jurist i spikatur”.
Aktualisht, kandidatura të konfirmuara janë ato të Olsian Çelës, Arta Markut dhe Fatjona Memçajt. KLP duhet të rendisë kandidaturat dhe të dorëzojë në Kuvend listën emërore. Por, sipas ndryshimeve të Kushtetutës në kuadër të reformës në drejtësi, renditja mund të përcaktojë edhe prokurorin e ri të Përgjithshëm, pasi nëse brenda 30 ditëve Parlamenti nuk bën dot 84 vota për të zgjedhur një emër nga lista në fjalë, kandidati i renditur i pari nga KLP emërohet automatikisht kryeprokuror.
Deri kur KLP të miratojë këtë listë kërkon ende disa kohë, por vetë Arta Marku e ka marrë që në muajin janar një sinjal sesi mund të votonte ky institucion për kandidaturën e saj, nëse në përbërje do të kishte ende Gentjan Osmanin dhe Antoneta Sevdarin. Në fillim të këtij viti Këshilli i Lartë i Prokurorisë shqyrtoi kërkesën e prokurorëve Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj për t’u rikthyer në Prokurorinë për Krimet e Rënda, pas transferimit që Arta Marku u kishte bërë në shtator të 2018 përkatësisht në Berat dhe Pogradec.
Nga 11 anëtarë që kishte në atë kohë, së bashku me Gentjan Osmanin, vendin e të cilit tashmë do ta zerë Esmeralda Keshi, votat u ndanë në 6 me 5 kundër vendimit të Arta Markut. Votimi tregoi se Marku nuk mori në KLP as votat e anëtarëve të zgjedhur nga radhët e prokurorisë.
Pro rikthimit të Olsian Çelës dhe Besim Hajdarmatajt votuan pesë prokurorët Bujar Sheshi, Antoneta Sevdari, Arben Dollapaj, Kostaq Belur dhe Gentjan Osmani. Votës së tyre iu bashkangjit pedagogu Sandër Beci. Veç Gentjan Osmanit, vettingu largoi edhe prokuroren Antoneta Sevdari, që u zëvendësua nga prokurori i Shkodrës, Vatë Staka. Staka ishte i vetmi që paraqiti kandidaturën pas thirrjes së shpallur nga Arta Marku.
Kundër, pra, në mbështetje të vendimit të Arta Markut u radhit kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, dy anëtarët e dalë nga radhët e avokatisë, Nurihan Seiti Metaj e Tartar Abazaj, prokurori Besnik Cani dhe Alfred Balla i zgjedhur nga shoqëria civile.
Sesi do të votojnë Esmeralda Keshi dhe Vatë Staka kur të vijë momenti i renditjes së kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm mbetet ende enigmë, por me largimin e Gentjan Osmanit dhe të Antoneta Sevdarit, dy ish-prokurorë që janë përplasur edhe publikisht me Arta Markun, largohen edhe dy vota të perceptuara kundër kryeprokurores aktuale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.