Podcast

Audio-Lajme shkurt 3 tetor 2019

Rama: Shqipëria është gati të çelë negociatat me BE-në

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në seancën parlamentare se Shqipëria është gati të çelë negociatat me Bashkimin Europian. Sipas tij, Gjermania ka vënë kushte, por për politikën e vet të brendshme, në funksion të politikës së vet të brendshme. Kryeministri zbuloi se kancelarja Merkel ka vendosur veton sa i përket çështjes së mos ndarjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhënies “Po” për vendin tonë për çeljen e negociatave.

Shefi i qeverisë gjithashtu u kërkoi nga opozita e re që të japë votat për reformën zgjedhore, duke i cilësuar qëndrimet e PD-së dhe kushtet si dekrete hyjnore, pikat e platformës si kushte për zgjidhjen e krizës.

Reformë zgjedhore pa PD? Basha: Shkel kushtin e vendosur nga Gjermania

Lulzim Basha deklaroi se kryerja e reformës zgjedhore pa Partinë Demokratike shkel një prej kushteve të vendosur nga Gjermania për hapjen e negociatave. Sipas Bashws, “wshtë në kushtet e Bundestagut, që e thotë fare qartë; që reforma zgjedhore duhet të bëhet sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, me dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, ashtu siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR”. “Vetëm në mendjen e një njeriu që nuk e do integrimin europian mund të ndodhë kjo e para. Më kë do ta bëjë ai reformën zgjedhore, me Tom Doshin, Dakon, me Avdylajt?”, deklaroi Basha. Qwndrimi i Bashws erdhi pasi kryeministri Rama deklaroi nga Kuvendi se reformën zgjedhore mund ta realizojë edhe me deputetët e opozitës parlamentare nëse Partia Demokratike refuzon që t’i bashkohet Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ku mazhoranca i ka dhënë, të paktën parimisht, të drejtën e vetos.

Kuvendi miraton zgjatjen e komisionit hetimor “Meta”

Me 103 vota pro dhe 3 abstenime Kuvendi ka miratuar zgjatjen me 2 muaj afatin për komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Kërkesa për zgjatjen e afatit u paraqit pas kërkesës së komisionit, për shkak se janë në pritje të raportit të ekspertëve të Venecias, që pritet të publikohet më 12 tetor. Për shtyrjen e këtij afati pati vetëm tre vota abstenim nga opozita, pjesa tjetër e deputetëve ishin pro.

Dënimi me shërbim prove, Tahiri ankimon vendimin në Apel

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka ankimuar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda vendimin ku u shpall fajtor me akuzën “shpërdorim detyre”.

Tahiri kërkon pafajësinë për akuzën e shpërdorimit të detyrës, akuzë për të cilën Gjykata e dënoi me 3.4 vite shërbim prove, periudhë në të cilën ish-ministri nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale. Po ashtu, për 3 vite, ish-ministri Tahiri nuk duhet të ushtrojë funksione publike.

Trupa gjykuese e liroi atw nga tri akuzat e rënda, ajo e “krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, “korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “bashkëpunim në trafik droge”. Prokuroria kërkoi 12 vite burg për ish-ministrin.

Gjithashtu, edhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, nëpërmjet avokatëve të tij, apeloi vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda, që e dënoi atë me 3 vite burg.

Vidhet parku i Ministrisë së Brendshme, Prokuroria nis hetimet

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për vjedhjen që ka ndodhur në datë 2 tetor në parkun e automjeteve të Ministrisë së Brendshme. Dyshohet se nga parku janë marrë kondicionerë, printer, skanera. Kjo mësohet të jetë vjedhja e dytë brenda muajit, pasi në fillim të muajit aty janë marrë edhe sende të tjera si pjesë makinash.

Për vjedhjen e ndodhur në parkun e automjeteve në Ministrinë e Brendshme ka reaguar edhe Policia e Tiranës. Në njoftimin e saj thuhet se persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur në magazinën e Qendrës së Shërbimeve të Automjeteve të Transportit, në varësi të kësaj ministrie, disa pajisje elektronike të dala jashtë përdorimit, të cilat ishin për t’u asgjësuar.

70 vjet nga vdekja e Mit’hat Frashërit

Në Tiranë u përkujtua në 70-vjetorin e vdekjes, mendimtari dhe publicisti i njohur, Mit’hat Frashëri. Homazhet në nderim të tij u organizuan nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, ku mes tw tjerash u prezantua edhe vepra e katërt me punë të zgjedhur të Frashërit.

Themeluesi i Institutit “Lumo Skëndo”, Agron Shehaj vlerësoi figurën e Frashërit, duke e cilësuar si një ndër baballarët e vërtetë të kombit tonë e të gjuhës shqipe po ashtu.

“Ka që nga koha e komunizmit mizor që qasja kryesore e politikës shqiptare është: historia fillon me mua. Ka shumë dekada që udhëheqësit tanë sillen si baballarë apo shpëtimtarë të kombit. Sot është koha që ne të njohim baballarët dhe shpëtimtarët e vërtetë të kombit dhe të shqipes”, u shpreh Agron Shehaj gjatw ceremonisw përkujtimore.

Mit’hat Frashëri lindi në Janinë më 1880-ën dhe ndërroi jetë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara më 3 tetor 1949.

“Ia dhuroj këtë libër një të panjohuri”, hapet muaji i leximit

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, hapi sot muajin e leximit në një aktivitet përballë Bibliotekës Kombëtare. Këtë vit ky muaj ka ardhur me një nismë të re, e cila ka për synim të përfshijë më shumë të rinjtë te libri.

Lista e Shpresave, Bushi thërret talentin shkodran të Bylisit

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka shpallur listën me lojtarët e grumbulluar për ndeshjen eliminatore me Kosovën më 15 tetor. Të dyja skuadrat ndodhen në grupin 3, bashkë me Austrinë, Anglinë, Turqinë dhe Andorrën. Në listën e Bushit veçohet grumbullimi i sulmuesit shkodran, Eridon Qardaku. Ai luan me Bylisin në Superiore dhe në këto javë të para ka spikatur me lojë dhe gola. Për ndeshjen me Kosovën rikthehen kapiteni Sherif Kallaku dhe sulmuesi Agim Zeka. Nuk figuron emri i portierit Gentian Selmani, që duket se do të jetë sërish pjesë e Kombëtares A. Pjesa tjetër e lojtarëve janë po ata që kanë qenë në ndeshjet e fundit. Në radhët e kuqezinjve të vegjël bëjnë pjesë edhe elementë të spikatur të kampionatit shqiptar, si Esat Mala i Partizanit, Jorgo Pëllumbi i Skënderbeut, apo Julian Shehu dhe Redon Xhixha të Laçit. Interesant është fakti se dy portierët Romeo Harizaj dhe Elton Vata aktivizohen në Kategorinë e Parë, me Apoloninë dhe Erzenin. Shqipëria U-21 ka luajtur 4 ndeshje në Grupin 3 dhe ka 2 pikë, kurse Kosova ka 6 pikë pas 3 ndeshjesh. Grupin e kryeson Austria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë