Lajme

Lushnjë, biznesmeni ekzekutohet duke pirë kafe

Një 35-vjeçar është ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në qytetin e Lushnjes. I riu është vrarë teksa ishte duke pirë kafe në katin e dytë të një bari.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Skënder Libohova”. Dëshmitë e mbledhura paraprakisht nga policia pohojnë se në ekzekutim kanë marrë pjesë të paktën 3 persona. Dy prej tyre, të armatosur dhe me maska janë ngjitur në katin e dytë të lokalit, ndërsa i treti i priste me makinën ndezur në rrugë. Ekzekutorët kanë qëlluar me breshëri automatike ndaj 35-vjeçarit të identifikuar si Besmir Hida dhe pasi janë siguruar se ai ka ndërruar jetë kanë zbritur me shpejtësi duke u larguar me një mjet që i priste jashtë i ndezur.

Makina është gjetur disa orë më vonë e djegur në një zonë periferike të qytetit të Lushnjes dhe bashkë me të edhe dy armë kallashnikovë dhe një pistoletë, që mendohet se janë përdorur në krim.

Policia thotë se ka ngritur një grup hetimor nën drejtimin e prokurorisë së këtij rrethi, si dhe janë vendosur disa postoblloqe në përpjekje për të kapur autorët. Deri më tani nuk ka asnjë pistë për autorësinë e ngjarjes. Ajo që dihet është që në momentin që është qëlluar, viktima ka qenë i vetëm në tavolinë, çka rrit dyshimet se bëhet fjalë për një vrasje të mirëorganizuar nga autorët, që dyshohet se kanë mbikëqyrur prej ditësh shënjestrën e tyre.

Ngjarja ka ndodhur në të njëjtën lagje ku në tetor të 2017, si pasojë e një shkëmbimi zjarri në një lokal mbetën të vrarë shtetasit Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Viktimat njiheshin si miq të ngushtë të Xhulio Shkurtit, nipi i Aldo Bares, emri i të cilit është Alfred Shkurti. Xhulio ka mbetur i plagosur në një ngjarje tjetër të ndodhur në 2016. Për këtë ngjarje, është dënuar në mungesë me 25 vite burg shtetasi Laert Haxhiu. Ky i fundit akuzohet edhe si autori kryesor në vrasjen e dyfishtë të 2017, ku njëri prej viktimave, Zamir Latifi ka lidhje miqësie me Besmir Hidën.

Përveç kësaj lidhjeve miqësore me Zamir Latifin, Hida njihej në qytet edhe si biznesmen që zotëron një pikë shitjeje dhe grumbullimi makinash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë