Lajme

Holanda ekstradon “Babagjyshin”, pjesë e bandës që tmerroi argjendaritë

Holanda ka ekstraduar në drejtim të Shqipërisë 33-vjeçarin Fatmir Pjetri, i dënuar nga drejtësia shqiptare me 30 vite burgim si pjesë e disa grabitjeve me të ashtuquajturin grupi i “Babagjyshëve”.

Grupi në fjalë u pagëzua me emrin “Babagjyshët” pas grabitjes spektakolare të një argjendarie në qendrën tregtare TEG në prag të Vitit të Ri në 2013. Duke përfituar nga atmosfera festive, autorët hynë të maskuar si babagjyshë dhe nën kërcënimin e armëve u larguan prej andej me çantat e mbushura me bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Grupi u godit në 2014, kur tre anëtarë të tij ranë në pranga. Në këtë periudhë, policia dhe prokuroria thanë se bëhej fjalë për një grup të strukturuar kriminal që drejtohej nga qelia nga Ilir Kupa, i dënuar në Shqipëri dhe Greqi për grabitje me dhunë dhe armëmbajtje pa leje.

Deri në 2015, shtatë anëtarë të këtij grupi ranë në prangat e policisë, ndërsa Fatmir Pjetri ishte arratisur në drejtim të Holandës. Ai ishte ndaluar njëherë nga policia shqiptare si i dyshuar në një grabitje, por jo në kuadër të grupit të strukturuar kriminal të “Babagjyshëve”. Për mungesë provash ai u la i lirë.

Pasi hetimet nxorrën lidhjet e tij me grupin në fjalë, Pjetri u shpall në kërkim. Ai mohoi akuzat dhe refuzoi dorëzimin me argumentimin se ndaj tij policia shqiptare kishte ushtruar dhunë.

Banda e “Babagjyshëve” dyshohet si autorja e dhjetra grabitjeve nga 2011 deri në 2013. Pikat e argjendarisë ishin shënjestra kryesore e tyre dhe gjeografia e grabitjeve shtrihej nga skajet jugore të Shqipërisë deri në Dibër të Madhe në Maqedoninë e Veriut, ku njëri prej anëtarëve të kësaj bande humbi jetën i qëlluar me armë nga pronari i argjendarisë së grabitur.

Me shkatërrimin e këtij grupi, u rralluan edhe lajmet e kronikës me grabitje argjendarishë në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë