Konsumatorët i kanë ngadalësuar shpenzimet dhe biznesi ka shkurtuar investimet në gusht, shenja këto të një ekonomie amerikane të pasigurt. Shtoji kësaj tabloje edhe tarifat doganore në rritje që po pengojnë vrullin ekonomik të superfuqisë ekonomike botërore.
Shpenzimet për konsum personal, ose shpenzimet familjare janë rritur 0,1% në gusht prej korrikut, tha të Premten Departamenti i Tregtisë. Rritja modeste shënoi një tkurrje të mprehtë nga shtatë muajt e parë të vitit, kur shpenzimet u rritën mesatarisht 0.5% në muaj.
Konsumatorët amerikanë kanë qenë model për ekonominë. Por shpenzimet më të dobëta të gushtit treguan se konsumatorët mund ti jenë nënshtruar sinjaleve të jashtme që kanë tronditur bizneset dhe prodhuesit me muaj të tërë.
Ngadalësimi i rritjes globale, efektet e zbehjes nga ulja e taksave të vitit 2017 dhe lufta tregtare po peshojnë në ekonominë e Sh.B.A.-ve.
“Ekonomia e brendshme nuk është imune ndaj të gjitha këtyre risqeve,” tha Lydia Boussour, ekonomiste amerikane në Oxford Economyics.
Shpenzimet e konsumatorit janë forca lëvizëse që qëndron mbrapa ekonomisë së Sh.B.A-ve, që përbëjnë më shumë se dy të tretat e prodhimit të përgjithshëm ekonomik.
Sipas një raporti të publikuar të premten, një tjetër burim kryesor i kërkesës në ekonomi, investimet e biznesit, vazhduan të dobësohen në gusht.
Parashikimet e biznesit për investime në pajisje dhe makineri që zgjasin shumë në kohë ranë me 0.2% muajin e kaluar nga korriku dhe 1.7% nga gushti 2018.
Disa ekspertë të fushës së ekonomisë janë shprehur se raporti i të premtes ka qenë i eksazgjeruar në lidhje me dobësimin e konsumit.
Ekonomistët ulën vlerësimet e tyre të rritjes ekonomike për tremujorin e tretë si rezultat i të dhënave për uljen e shpenzimeve dhe të dhënave të tjera të publikuara të Premten.
Prodhimi i brendshëm bruto shënoi rritje të ngadalësuar në 1.7% në tremujorin e tretë, nga një vlerësim i mëparshëm prej 2.2%.
Ekonomistë të tjerë këmbëngulën se shpenzimet konsumatore mbeten në baza relativisht të qëndrueshme.
Pjesa më e madhe e ngadalësimit të shpenzimeve të konsumatorit në gusht mund të lidhet me çmimet më të ulëta të energjisë, gjë që çoi në një tkurrje të shpenzimeve për benzinë dhe produkte të tjera të ngjashme. Shpenzimet për shërbime u ngadalësuan por në mënyrë modeste.
Kurse shpenzimet për paisjet që zgjasin në kohë shënuan edhe ato rënie.
“Mobiljet dhe paisjet shtëpiake që zgjasin në kohë janë diçka për të cilat konsumatorët tentojnë të shpenzojnë kur ata ndjehen të sigurt,” tha Sonia Meskin,një ekonomiste pranë Standard Chartered.
Për Ann Wingrove, presidente e një sipërmarrjeje, kërkesa është ende solide.
Shitjet në rrjetin e saj të dyqaneve janë rritur rreth 9% këtë vit në krahasim me vitin e mëparshëm, ndërsa më shumë klientë, thotë ajo interesohen në dyqanet e saj për të blerë shporta me qeramikë dhe dhurata. Por tarifat doganore, sipas saj po krijojnë pasiguri për të ardhmen.
“Jam shumë e shqetësuar për shpenzimet e konsumatorit dhe se si tarifa doganore do të ndikojnë tek çmimet e produkteve,” tha ajo.
Richard Curtin, ekonomist pjesë e studimit, u shpreh që shifrat e shtatorit treguan një erozion të ngadaltë, por ishin akoma mjaft të favorshme.
Pritshmëria për konsumatorët mbetet e errët, pasi administrata Trump goditi një grup të ri të produkteve të konsumit të importuar nga Kina me tarifa më të larta në fillim të këtij muaji.
Tensionet tregtare janë një arsye që bizneset patën një qasje më të kujdesshme në tremujorin e dytë. Investimet fikse jorezidente – e cila pasqyron shpenzimet për programe kompjuterike, kërkime dhe zhvillim, pajisje , etj- ra me një normë 1.0%, krahasuar me një rritje prej 4.4% në tre muajt e parë të vitit.
*Burimi: Wall Street Journal
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




