Opinion

Kristaq Kume: Oferta e PD-së për reformën, e pamundur shmangia e Parlamentit

Partia Demokratike hodhi një propozim të fuqishëm për sa i përket reformës zgjedhore, duke propozuar një skemë që nxjerr jashtë loje opozitën e re dhe Parlamentin, duke kërkuar që gjithçka të bëhet në prezencën e ndërkombëtareve.
Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore është i jashtëligjshëm për demokratët dhe si i tillë duhet që reforma të merret në dorë nga ndërkombëtarët. Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar.. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime. Kjo skemë duket se e nxjerr jashtë loje jo vetëm opozitën parlamentare, por edhe strukturat e Kuvendit. Përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso në lidhje me këtë propozim të bërë dhe për faktin nëse këto kushte janë të negociueshme ose jo, shprehet për Gazeta SI, se “PD është në pritje të ndonjë përgjigje serioze nga mazhoranca dhe më pas do të shihet vijimësia”.

Tryeza e OSBE për reformën zgjedhore. Ambasadori Borchardt, Damian Gjiknuri nga PS dhe Ivi Kaso i PD. Gazeta Si 25 shtator 2019


Partia Demokratike e ka avancuar edhe më tej propozimin e saj, duke hedhur idenë se si mund të funksionojnë, ku kryesorja është marrja një vendi jo në rolin e vëzhguesit. “Komisioni zgjedhor është produkt i zgjedhjeve të 2017, që janë zgjedhje kriminale. Nuk kemi shumë palë të ulura aty, por kemi vetëm një palë. Është një parlament monopartiak, që përfaqësohet dhe reflektohet 100% në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ne duam të krijohet një forum, që të ketë në përbërje përfaqësues të besueshëm ndërkombëtarë. Forumi të drejtohet ose survejohet nga ndërkombëtarët dhe palët të përfaqësohen në mënyrë të barabartë, me një përfaqësues të parlamentit monopartiak dhe një të opozitës”, thekson Kaso.
Por a është e mundur që ky propozon të realizohet dhe të pranohet nga ana e mazhorancës, e cila fillimisht duket se ka hedhur poshtë opsionin e një strukture të posaçme monitorimi nga ndërkombëtarët? Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume në një prononcim për Gazeta Si, e sheh të pamundur anashkalimin e Parlamentit dhe që ta detyrosh këtë institucion të votojë një dokument me “symbyllur”. Sipas tij, ky propozim i tillë mund ka zero shanse që të ketë konsensusin e socialistëve, duke shtuar faktin se mazhoranca nuk e ka përjashtuar faktin e uljes në tryeza.

Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume


Vetë Kume, i pranishëm në tryezën e djeshme të organizuar nga OSBE-ja, bën të ditur se ka paraqitur një Memorandum bashkëpunimi, si “Bashkëveprim gjithëpërfshirës për demokracinë funksionale” ku parashikohet sipas tij, ngritja e disa tryezave diskutimi me ekspertë shqiptare dhe që do të asistohet nga ekspert e huaj. Platforma, sipas Kumes parashikon edhe ndryshimet në Kushtetutë, në sistemin zgjedhor, ligji për referendumet, etj. “Platformën ja kam prezantuar partive të vogla, me PS-në dhe PD-në akoma nuk e kam krijuar mundësinë, porse dokumenti është gati dhe mund të diskutohet. Në fund fare do të jetë Parlamenti, ose komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore që mund të shqyrtojë dhe miratojë propozimet”, thekson Kume. I gjithë ky proces duhet të zhvillohet në asistencën e ndërkombëtarëve.
Por për sa i përket ndryshimit të sistemit, demokratët duket se janë disi skeptik, pasi primare sipas tyre është çështja e shkëputjes së politikës nga krimi. “Nëse forumi do jetë i përshtatshëm, opozita e bashkuar ka platformën e saj sa i përket çlirimit të zgjedhjeve me propozime konkrete dhe ndryshime, qoftë edhe të Kushtetutës, nëse do jenë nevoja, për të dhënë sa më shpejt zgjidhje. Nuk do të humbet asnjë minutë kohë nga opozita për të dhënë propozime konkrete dhe draftuar zgjidhje konkrete. Problematikat tona kanë të bëjnë me dekriminalizimin, shkëputjen e zyrtarëve të lartë me krimin dhe me paratë e krimit, financimin e partive politike, shpërdorimin e burimeve dhe resurseve të administratës nga qeveria”, u shpreh Kaso.

Sekretari për cështjet ligjore në PD, Ivi Kaso. Gazeta Si, 25 shtator 2019


PD me propozimin e saj ka ndërmarrë një hap të madh, që kjo mund të prekë edhe aleatët e saj, pasi veç nismës për “eliminimin” e opozitës së re në Parlament. Propozimi i PD-së duket se është në pritje të një përgjigjeje dhe nga ana e ndërkombëtarëve, të cilët mund të jenë gjendur të befasuar, pasi po kërkohet edhe një herë një marrëveshje e firmosur nën ndërmjetësimin e OSBE-së apo dhe të faktorëve të tjerë ndërkombëtare.Gjithashtu këtu llogaritur edhe opozita e re, e cila ka vendosur si kusht edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor, në këmbim të votës për reformën zgjedhore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë