Podcast

Audio-Lajme 16 shtator 2019

Konferenca e Pezës përplas mazhorancën me Presidentin
Presidenti Ilir Meta u shfaq në krah të socialistëve sot në përvjetorin e 77-të të Konferencës së Pezës. Kreu i shtetit kërkoi bashkëpunim për hir të integrimit europian të vendit, duke qenë të bashkuar.
Kryebashkiaku Veliaj nga ana e tij polemizoi me qëndrimet e Metës, duke i kujtuar se “duhet ta inkurajojmë pluralizmin, por kudo: edhe kur shkojmë në kuti të votimit, edhe kur shkojmë e flasim me kancelaritë e huaja, edhe kur përfaqësojmë bindje të caktuara”. Ndërsa nuk vonoi replika e presidentit, i cili deklaroi se “të gjithë ata që kanë paqartësi të lexojnë raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet lokale dhe se partitë të shkëputen nga antagonizmi politik”.
PD nxjerr dokumentet: Mark Babani, i dënuar në Itali për vjedhje makinash
Mark Babani, kryebashkiaku i ri i Vaut të Dejës, sipas Partisë Demokratike, është dënuar në Itali për vjedhje makinash. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi u shpreh se “lidhur me këtë, Edi Rama hesht megjithëse e di që rasti më i fundit, i denoncuar nga Partia Demokratike, Mark Babani, ka mashtruar me Formularin e Dekriminalizimit”. “Mark Babani, me emrin e rremë Marq Babaj, është arrestuar më datë 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Sicilisë, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”. Ai është arrestuar nga policia italiane duke vjedhur makina. Kandidati i Edi Ramës për Vaun e Dejës ka qenë pjesë e një grupi kriminal që vepronte në zonën e Sicilisë dhe që kishte kryer disa vjedhje” tha Bardhi.
Nisi viti i ri shkollor, 24 mijë nxënës në klasë të parë
Ka nisur sot viti i ri shkollor 2019-2020. Rreth 24 mijë nxënës janë ulur sot për herë të parë në bankat e shkollës. Ndërsa në sistemin 9-vjeçar janë gjithsej 272 mijë nxënës dhe në gjimnaz janë rreth 90 mijë. Në total ditën e sotme u drejtohen shkollave 386 mijë nxënës në sistemin parauniversitar.
Rrugët e Tiranës janë mbushur nga nxënës dhe prindër, të cilët shoqëronin fëmijët e tyre për në shkollë që në orët e para të mëngjesit.
Ndërkaq, Policia Rrugore e Tiranës u vu në gatishmëri për mbarëvajtjen e trafikut. Policia kishte hartuar një plan veprimi në lidhje me menaxhimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore pranë shkollave e institucioneve të tjera arsimore.
PD: Arsimi në vdekje klinike! 200 shkolla u mbyllën
Partia Demokratike thotë se arsimi nuk është prioritet i qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, që sipas opozitës ka braktisur premtimet e bujshme të tij për 5 për qind të buxhetit për këtë sektor. Sipas PD-së, kjo është arsyeja se përse në vend gjendja e arsimit po përkeqësohet vit pas viti. “Në 6 vitet e keqqeverisjes së Edi Ramës Shqipëria ka 145 mijë nxënës dhe studentë më pak në bankat e shkollës dhe auditorët e saj dhe më shumë se 200 shkolla janë mbyllur, sepse nuk ka nxënës për t’u regjistruar”, deklaroi nga selia blu, Ndriçim Mehmeti. Mehmeti tha se arsimimi i fëmijëve është bërë i papërballueshëm për prindërit shqiptarë dhe kësaj panorame të zymtë, sipas PD, arsimit shqiptar i shtohen edhe punësimet e militantëve.
“Jo negociata me Shqipërinë”. Misioni grek në Gjermani
Greqia është futur “zyrtarisht” në listën e vendeve skeptike sa i takon hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias konfirmoi paralajmërimin e dhënë më herët nga Kryeministri Qiriakos Mitsotaqis. Në një intervistë dhënë për gazetën “Ta Nea”, kryediplomati grek vlerësoi përmirësimin e raporteve mes dy vendeve, por foli me rezerva sa i përket respektimit të detyrimeve të palës shqiptare sa u takon të drejtave të minoritetit grek. Këtë shqetësim, Athina pritet ta ngrejë në Berlin këtë të hënë. Nikos Dendias do të takohet me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas dhe në tryezën e bisedimeve janë edhe hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Abaz Muça, kreu i ri i Prokurorisë Mat
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zgjedhur sot me 8 vota pro drejtuesin e ri të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat. Në krye të kësaj prokurorie është zgjedhur prokurori Abaz Muça.
Ai zëvendëson në këtë detyrë Hysni Vatën, i cili u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 9 shtator.
Po ashtu janë zbardhur emrat e dy kandidatëve që do të zëvendësojnë vendin vakant në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pas largimit të Gentian Osmanit.
Mësohet se për këtë post kanë kandiduar prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara dhe Esmeralda Cami, drejtuese e Prokurorisë së Dibrës.
Në vend të Camit, është miratuar me 8 vota pro caktimi i përkohshëm i prokurorit Rifat Kojku në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër.
Një valë e re refugjatësh do të mbërthejë rajonin!
Ballkani Perëndimor duket se do të përballet javët e ardhshme me një valë refugjatësh pas mbërritjes së një numri të madh emigrantësh në ishujt grekë.
Së fundmi, UNHCR njoftoi se mbi 8100 refugjatë kanë arritur në ishujt e Greqisë, ndërkohë që kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar se do të zhvendosë një pjesë të tyre në Greqinë kontinentale, duke u lehtësuar kështu edhe “arratisjen” për në vendet fqinje si Shqipëria dhe Maqedoninë e Veriut.
Kufiri shqiptar është vetëm një orë larg nga Janina, prandaj të gjithë emigrantët që duan të udhëtojnë nga Greqia për në Ballkan, e fillojnë rrugëtimin e tyre nga aty.
“Top të Artë” për çdo rol, propozimi i Iker Kasilas trazon futbollin
Çmimi prestigjioz i “Topi i Artë” mbetet një temë e nxehtë diskutimi. Për këtë argument ka folur së fundi portieri i njohur spanjoll, Iker Kasilas. Teksa ishte duke biseduar me fansat në “Tëitter”, ai u është përgjigjur disa pyetjeve, duke dhënë edhe një propozim interesant, që ka filluar ta trazojë botën e futbollit. I pyetur për mundësinë e fitimit të “Topit të Artë” nga mbrojtësi Virxhil van Dajk, i vlerësuar nga UEFA si lojtari më i mirë i Ligës së Kampionëve sezonin e fundit, Kasilas theksoi: “Sigurisht, ishte mbrojtësi më i mirë i sezonit të kaluar. Por për “Topin e Artë” çështja është më e komplikuar. Kush e meriton? Sipas meje, duhet të ketë një çmim për çdo rol: portieri më i mirë, mbrojtësi më i mirë, mesfushori më i mirë dhe sulmuesi më i mirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë