Podcast

Audio-Lajme shkurt 12 shtator 2019

Opozita e re i vë kusht PS: Jo pakt me PD për pazare

Opozita e re ka reaguar ashpër në Parlament ndaj asaj që po përflitet për një marrëveshje politike mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Deputetët Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni u deklaruan se nuk do t’i japin votat e tyre në parlament për reformën zgjedhore, në rast se arrihet sipas tyre një pazar në dëm të shqiptareve me PD-në. Ata kërkuan që të votohej në bllok ndryshimi i sistemit politik në vend. Ministri i Diasporës, Pandeli Majko u shpreh se roli i opozitës së re është i pazëvendësueshëm dhe historik, duke shtuar se nëse ka një pakt me PD-në, kjo është një kosto e PS-së, por mbi të gjitha ai do të votohet në Parlament.

Mazhoranca rrëzon 8 dekretet e Metës, Opozita kundër koncesioneve
Mazhoranca në bllok rrëzoi sot tetë dekretet e presidentit për rishqyrtim ligjesh. Edhe pse pa shumë debate socialistët të zjarrta e cilësuan të pa drejtë aktet e presidentit. Në dy dekretet e kthyera janë dy ligjet për dhënien me koncesion e dy rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Opozita e re në parlament doli pro dekretit të presidentit. Rudina Hajdari deklaroi se këto kontrata në vlerën 280 milionë euro duhet të jenë pjesë e hetimit të Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Opozita e re votoi pro dekretit të Metës për këto dy dekrete.
Kuvendi rrëzoi me shumicë votash edhe dekretin e presidentit për emërimin e Petraq Milos si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Basha kërcënon socialistët dhe bankat me antimafian e SPAK-un
Në kohën që Parlamenti po shqyrtonte në seancë plenare ligjet e kthyera nga Presidenti Ilir Meta, mes të cilëve edhe ligjet për koncesionet e dy rrugëve Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat, Lulzim Basha doli në një konferencë për mediat ku paralajmëroi me ndjekje penale deputetët që do të rrëzojnë dekretet e Presidentit dhe miratojnë ligjet në fjalë. Basha paralajmëroi deputetët, bankat e nivelit të dytë që japin kredi, apo garanci për të kredituar kompanitë që do të marrin koncesionet në fjalëse do të jenë në lupën e ligjit antimafia dhe të SPAK-ut. Jo vetëm kaq, por kreu i PD-së tha se nën hetim dhe në ndjekje penale do të merret kushdo që që përfshihen drejtpërdrejtë apo tërthorazi në këto koncesione.

Azemi bashkon Lulzim Bashën me Rudina Hajdarin
Ceremonia përkujtimore e Partisë Demokratike në memorialin e ngritur në vendin ku u vra Azem Hajdarit 21 vite më parë dhe tek varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” bëri bashkë Lulzim Bashën me Rudina Hajdarin. Ceremonia nisi pak pas orës 10:00 dhe të parët që mbërritën ishte kreu i PD-së, Lulzim Basha, shoqëruar nga Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të opozitës. Bashës dhe drejtuesve të tjerë të Partisë Demokratike iu bashkuan e Fatmira, Kiri, Rudina dhe Azemi, djali i vogël i Azem Hajdarit. Familjarët e liderit të dhjetorit dhe drejtuesit e PD-së vendosën me radhë buqeta me lule në memorialin e ngritur pranë ish-selisë së Partisë Demokratike.

I përmendi ministren Shahini, dy politikanët në Kosovë grushte pas emisionit
Ka mjaftuar përmendja e ministres së Arsimit, Besa Shahinit, që debati mes dy kandidatëve për deputetë në Kosovë, Haki Abazi dhe Dardan Molliqaj, të përfundojë në përplasje fizike.
Abazi, zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Molliqaj, bashkëshorti i ministres Shahini dhe përfaqësues nga koalicioni PSD-AAK, kanë pasur debate të ashpra gjatë emisionit Pressing në “T7”.
Përplasja fizike erdhi kur Dardan Molliqaj i tha Abazit: “Më ke përmendur aq shumë sot, sa do të më shohësh në ëndërr”. Por Abazi iu përgjigj duke i thënë se “Molliqajn nuk e shihte në ëndërr as gruaja e tij”, ministrja Shahini.
Pas përfundimit të pjesës së parë të emisioni Abazi dhe Molliqaj duket se vendosën ta zgjidhnin fizikisht “problemin” duke qëlluar njëri-tjetrin me grushte. Ndërhyrja e stafit të emisionit duket se nuk ka qenë e mjaftueshme për t’i ndarë të dyja palët, duke detyruar të pranishmit të telefonin policinë.

3.4 mln euro në “Toyota Yaris”, dosja në gjykatë. Bie akuza ndaj Agim Çekajt
Përfundojnë hetimet për dosjen e ‘Toyota Yaris’, ku u gjetën shuma marramendëse parash në dy makina në Portin e Durrësit. Prokuroria për Krime të Rënda u ka njoftuar zyrtarisht akuzat të dyshuarve për këtë çështje dhe pritet që dosja të kalojë për gjykim brenda 10 ditësh.
Është komunikuar akuza e “grupit të strukturuar kriminal” ndaj Edi Likës, Klevi Likës dhe Alban Mollaymerit. Për Agim Çekajn është pushuar akuza dhe do dërgohet në gjyq vetëm për armëmbajtje pa leje. Nga hetimi rezulton që Çekaj nuk ka pasur asnjë dijeni, por thjesht paguhej si shofer nga Edi Lika.
Të arrestuar për çështjen janë shtetasit Alban Mollaymeri, Edi Lika, Klevi Cani dhe Agim Çekaj, ndërsa janë në kërkim nga policia kushërinjtë Alfred e Elvis Vladi.

Studentët në SHBA, Ambasada: Mund të qëndroni edhe nëse viza ju ka skaduar
Studentët që studiojnë në SHBA dhe që aktualisht kanë viza nuk është e nevojshme të vijnë në Shqipëri për të rinovuar vizën. Lajmin e ka bërë me dije vetë Ambasada Amerikane në Tiranë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Nëpërmjet postimit, ambasada bën me dije se për sa kohë që studentët frekuentojnë rregullisht universitetin, ata mund të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara edhe nëse viza iu ka skaduar.

Përdorimi i xhamave të errët në automjete, Balluku: Zgjidhja së shpejti
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Brendshme shumë shpejt do t’i japë një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare shqetësimit të shumë qytetarëve sa i takon përdorimit të xhamave të errët në automjetet e tyre, të cilat kanë qenë edhe shkak i penalizimit nga ana e Policisë Rrugore.
Gjatë interpelancës së kërkuar nga një grup qytetarësh përmes platformës së bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al lidhur me këtë shqetësim, ministrja Belinda Balluku tha se do të gjendet një zgjidhje ligjore për këtë çështje në bashkërendim edhe me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.

Akuza nga Austria për skandalin e basteve: Shqiptarët më kërcënojnë me jetë!
Shtypi austriak ka rikthyer në vëmendje skandalin e basteve të vitit 2014 dhe në skenë kanë dalë “bosët” shqiptarë. Ish-futbollisti Sanel Kuljiç ka rrëfyer për gazetën “Kronen Zeitung” se ndihet i kërcënuar nga shqiptarët, që sipas tij, nuk dhanë kurrë llogari për atë skandal të madh të manipulimit të ndeshjeve. Kuljiç, i akuzuar për mashtrim dhe manipulim ndeshjesh, u dënua me 5 vite burg, por tashmë është liruar para kohe për sjellje të mirë. Ai nuk përmend emra, por tregon se jeta e tij është në rrezik nga presidenti i Skënderbeut dhe pronari i një kompanie të madhe pijesh energjike austriake, duke iu referuar Ardjan Takajt dhe Agim Zeqos. “Ata u përpoqën përsëri të më kontaktojnë me anë të një ish-të burgosuri dhe më bënë presion. Jam i shqetësuar për jetën time. Ata janë shqiptarë dhe nuk u thirrën kurrë për të dhënë llogari për skandalin e madh të basteve. Janë presidenti i klubit ‘Skënderbeu’, që është dënuar për 10 vjet nga UEFA për manipulim ndeshjesh, dhe pronari i një prej kompanive më të mëdha të shpërndarjes në Shqipëri të pijeve më të famshme energjike austriake”, thotë Kuljiç. Skandali i basteve, ku austriaku është përfshirë dhe dënuar, nuk është i njëjtë me atë që UEFA ka hetuar për të dhënë më pas dënimin 10-vjeçar jashtë Kupave të Europës për Skënderbeun. Gjasat janë që në këtë skandal të jenë përfshirë miqësoret që Skënderbeu luante në atë kohë në Austri, ku zhvillonte gati sistematikisht fazën përgatitore të verës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë