Politike

Autogoli i Presidentit me Strasburgun

Në dëshminë e tij të gjatë prej më shumë se dy orësh para Komisionit Hetimor Parlamentar, Presidenti Ilir Meta përmendi në më shumë se një rast një vendim të 2015-ës të Gjykatës së Strasburgut, që tha se i jepte të drejtë vendimit të tij për anulimin e 30 qershorit me arsyetimin se u mohohej e drejta e qytetarëve për të zgjedhur.

Rasti të cilit i referohej Presidenti ishte padia e bërë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut nga Rushen Mehmed Riza dhe 101 pjesëtarë të tjerë të minoritetit turk në Bullgari, të cilët akuzonin shtetin bullgar se u kishte mohuar si të drejtën për të zgjedhur, ashtu edhe atë për t’u zgjedhur, parashikuar nga Artikulli 3, Protokolli 1 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Padia lidhej me një vendim të marrë nga Gjykata Kushtetuese bullgare në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 5 korrikut të 2009, ku Rushen Mehmed Riza kandidoi dhe me votat e minoritetit turk fitoi nën siglën e partisë së tij “Lëvizja për Drejtësi dhe Liri”. 23 qendra votimi u hapën edhe në Turqi, për t’i mundësuar një pjese të këtij minoriteti bullgar që jetonin aty të drejtën për të votuar. Por, pas zgjedhjeve, Partia për Rregull, Barazi dhe Drejtësi kërkoi nga Prokurori i Përgjithshëm që të kërkonte në Gjykatën Kushtetuese heqjen e 7 mandateve të fituara nga partia e Rushen Mehmed Riza me arsyetimin se ishin vërejtur shkelje të rënda të Kodit Elektoral në qëndrat e votimit të hapur në territorin turk.

Nga hetimi i autoriteteve bullgare një pjesë e mirë e këtyre shkeljeve të dyshuara u provuan dhe Gjykata Kushtetuese doli me një vendim në shkurt të 2010, ku refuzoi t’u hiqte mandatet shtatë deputetëve të dalë kryesisht nga votat e minoritetit turk, por vendosi t’i cilësojë si të pavlefshme votat në këto qëndra votimi pa dhënë një urdhër për përsëritjen e procesit zgjedhor.

Riza dhe 101 shtetasit e tjerë iu drejtuan Gjykatës së Strasburgu, e cila më 13 tetor të 2015 u dha të drejtë dhe gjobiti me shumën modeste prej 6 mijë eurosh shtetin bullgar për shkelje të Artikullit 3, Protokolli 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut për cenim të të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Në pamje të parë, rasti në fjalë i jep plotësisht të drejtë arsyetimit të dhënë nga Presidenti Ilir Meta para Komisionit Hetimor Parlamentar, sepse më 30 qershor në më shumë se gjysmën e bashkive nuk pati garë, ndërsa në pjesën tjetër gara ishte vetëm në letra. Por, në praktikën gjyqësore dhe interpretimet që kjo gjykatë i ka bërë këtij artikulli të Konventës është vendosur standardi që ky rregull nuk zbatohet për zgjedhjet për pushtetin vendor, siç ishin ato të 30 qershorit në Shqipëri.

Aplikimi i Artikullit 3, Protokolli 1 i Konventës vetëm për zgjedhjet për pushtetin qendror, pra zgjedhje legjislative është vendosur si standard që prej 2 marsit të vitit 1987 në çështjen “Mathieu-Mohin dhe Clerfayt kundër Belgjikës”.

“Artikulli 3 (P1-3) zbatohet vetëm për zgjedhjet e “legjislaturës”, ose të paktën për një nga dhomat e Parlamenteve që janë me dy dhoma, ose më shumë. “Legjislaturë” nuk do të thotë domosdoshmërisht Parlamenti, por duhet të interpretohet sipas strukturës kushtetutese të shtetit përkatës”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e vendimit, sipas të cilit Gjykata e Strasburgut rrëzonte padinë e aplikuesve.

Pas këtij rasti, paditë e tjera që pasuan me të njëjtin objekt, pra për shkelje të Artikullit 3, Protokolli 1 të Konventës për të Drejtat e Njeriut u rrëzuan njëra pas tjetrës. Një e tillë është edhe ajo e “Salleras Llinares kundër Spanjës” në maj të vitit 1999. Luis Salleras Llinares pretendonte shkelje të këtij artikulli pasi për shkak të burokracive nuk kishte regjistruar dot në kohë listën e partisë së tij me kandidatët për këshilltarë bashkie në rajonin Cadaques.

Këtë praktikë Strasburgu e arsyeton me natyrën e pushtetit vendor, si pushteti më i afërt, që u ofron shërbimet bazike qytetarëve dhe kompetencat e të zgjedhurve të tij, që në gjykimin e Strasburgut nuk mund të kërcënojnë një sistem demokratik qendror dhe as mund të shkelin parimin e të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë