Ekonomi

Inflacioni i korrikut negativ. A është ekonomia shqiptare drejt stanjacionit?

INSTAT ka raportuar se rritja mesatare vjetore e çmimeve në muajin korrik 2019 qe vetëm 1.5 për qind, nga 2.3 për qind që qe ky ndryshim një vit më parë. Një rritje shuma larg objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Kurse ndryshimi mujor i çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2019, krahasuar me Qershor 2019, është – 0,1 %. Një inflacion negativ nuk shihej që nga viti 2015-2016 kur ekonomia në atë kohë sipas ekspertëve rrezikonte një deflacion të mundshëm.

Viti 2016 shënoi po ashtu edhe inflacionin më të ulët të regjistruar në Shqipëri që nga viti 2000, kur çmimet qëndruan të pandryshuara në krahasim me vitin 1999, për shkak se një sasi e konsiderueshme mallrash të importuara pa taksa në ndihmë të popullsisë së shpërngulur nga lufta të Kosovës, u shitën në treg në mënyrë ilegale e me çmime të ulëta duke ndikuar në treguesin e inflacionit.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të çmimeve për korrikun është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,07 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar pozitivisht gjithashtu. Po ashtu edhe çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante”, “Argëtim dhe kulturë” , “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje.

Grupi që ka dhënë kontribut negativ ka qenë “Shëndeti” dhe “Transporti” respektivisht me -0,004 dhe -0,003 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Korrik 2018, rritja më e madhe e çmimeve është vënë re po në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, etj
Inflacioni i çmimeve të mallrave dhe shërbimeve shërben si barometër ekonomik pasi inflacioni i lartë zakonisht nënkupton rritje të kërkesës dhe konsumit, ndërsa inflacioni i ulët është simptomë e vështirësive ekonomike dhe konsumit të dobët.

Sipas ekspertëve, një situatë e tillë e ngjashme e vazhduar me inflacion negativ mund të çojë shpejt dhe në deflacion, efektet e të cilit në ekonomi janë edhe më negative e me pasoja sesa vetë inflacioni. Rreziku më i madh për ekonominë e vendit nga këto nivele të indeksit të çmimeve të konsumit mund të ishte një stanjacion i mundshëm, pra një mungesë stimuli për rritje ekonomike në përgjithësi.

Gjë që guvernatori i Bankës së Shqipërisë e paralajmëroi një ditë më parë duke deklaruar se vitin e ardhshëm mund të ketë një politikë monetare të lehtësuar, pra ulje të normave bazë të interesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë