Dy agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit Moody’s dhe Standard &Poor’s konfirmuan sot vlerësimin e qëndrueshëm pozitiv B+ për Shqipërinë me pritshmëri të qëndrueshme.
Por agjencitë konsiderojnë me rrezik për rritjen ekonomike të vendit luhatjet në tregjete e huaja, luhatjet klimaterike dhe krizën politike.
Gjithashtu agjencitë në vlerësimin e tyre nënvizojnë rekomandimin për një kujdes të shtuar ndaj PPP-ve.
Ministria e Financave, raporton se “ky konfirmim pozitiv për Shqipërinë, bazohet në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe vijimësinë e saj në periudhën afat-mesme; uljen e borxhit publik dhe defiçitit, si dhe përmirësimi i llogarisë korrente dhe përballueshmërinë e tyre nga flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte.”
Agjencitë kanë vlerësuar se profili makroekonomik i Shqipërisë si dhe parametrat e borxhit kanë vazhduar të përmirësohen. Vlerësimi i qëndrueshëm merr në konsideratë nga njëra anë përmirësimin e profilit makroekonomik, progresin në reformat strukturore dhe institucionale, si dhe konsolidimin fiskal të arritur gjatë viteve të fundit.
Vlerësohet gjithashtu se dinamika e rritjes ekonomike është përmirësuar gjatë viteve të fundit me perspektivën ekonomike të favorshme, pavarësisht moderimit të rritjes gjatë këtij viti.
Situata e jashtme sidomos e rritjes në vendet partnere të tregtisë, si dhe luhatjet klimaterike përbëjnë rreziqet kryesore ndaj rritjes.
Pavarësisht se situata e fundit politike identifikohet si një rrezik për perspektivën ekonomike dhe për ritmin e implementimit të reformave strukturore, agjencitë vlerësojnë se qeveria shqiptare do të vijojë me axhendën e reformave në afatin e mesëm, në linjë me aspiratat për integrimin në BE.
Autoritetet po vijojnë në mënyrë aktive përpjekjet për të rritur qëndrueshmërinë e borxhit publik. Agjencitë parashikojnë vazhdimin e konsolidimit fiskal dhe vijimësinë e uljes së borxhit publik, në përputhje edhe me rregullin fiskal, si dhe vlerësojnë pozitive përpjekjet e autoriteteve për të përmirësuar administrimin e të ardhurave.
Gjithashtu vlerësohen planet për të rritur rolin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në vlerësimin e rreziqeve të mundshme të PPP.
Vlerësohet se cilësia e institucioneve shqiptare është përmirësuar në vazhdën e rrugëtimit drejt BE, gjë e cila mbështet perspektivën pozitivetë rritjes afatmesme. Progres i dukshëm është bërë në reformën në drejtësi, e cila po vijon, si dhe në luftën kundër ekonomisë informale, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkohë që progresi në fushat e “sundimit të ligjit” dhe “të drejtave të pronësisë” ka përmirësuar klimën e biznesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




