Shkencë

Siguria rrugore / Europa kufizon shpejtësinë me satelit. Ne, pa sinjalistikë e me rrugë të gabuara

Në një kohë që në Shqipëri, pasiguria rrugore merr jetë njerëzisht edhe për shkak të infrastrukturës rrugore dhe mungesës së sinjalistikës, Bashkimi Europian do të bëjë deri në vitin 2022 të detyrueshëm një sistem inteligjent (satelitor ose tokësor) për kufizimin e shpejtësisë së automjeteve. Sistemi europian duket aq larg realitetit shqiptar, ku ekspertët e sigurisë rrugore nuk reshtin së dhëni (tashmë prej vitesh) alarmin për rrugë të projektuara keq dhe mungesë të tabelave sinjalizuese.

Sipas ekspertëve, dy nga burimet kryesore të aksidenteve janë mungesa e ndriçimit dhe sinjalistika e dobët. Ekspertët, por edhe policia e qarkullimit rrugor, tashmë kanë krijuar hartën e pikave të nxehta ku sinjalistika e paktën është problematike dhe burim aksidentesh. Kështu, aksi më problematik në Elbasan, është rruga kombëtare Elbasan-Librazhd, në afërsi të fshatit të Labinotit. Ndonëse kjo zonë është tërësisht e banuar dhe me institucione të arsimit 9-vjeçar që gjenden fare pranë rrugës, parametrat e sigurisë ende nuk janë në nivelin e duhur.
Rruga Shkodër-KryeBushat, si edhe autostrada Shkodër-Hani i Hotit, përvec mungesës së sinjalistikës ka si shkak të aksidenteve dhe shpejtësinë tej normave të lejuara. Edhe Lezha mbetet një nga hot-spotet më të rrezikshme në vend, për shkak të sinjalistikës së dobët dhe të mungesës së mbikalimeve kryesisht në kryqëzimet e Rrilës, Shënkollit, Blinishtit, Spitnit, Patokut, Dajcit dhe Shëngjinit.
Derisa sa u hap by-pass-i i Fierit, problematike dhe me mungesë në sinjalistikë rrugore, konstatoheshin hyrje-daljet e Fierit. Ndërsa aktualisht, ekspertët dhe policia rrugore sugjerojnë që në rrugën e re që është hapur këtë sezon veror, të bëhet tepër kujdes, pasi rruga është ende shumë larg parametrave të sigurisë. Një aks tjetër problematik me mungesë sinjalistike mbetet edhe rruga Trans-Ballkanike e Vlorës.

Sa larg Europës jemi akoma…
Në një raport të publikuar në 2018, të hartuar nga ekspertë shqiptarë të sigurisë rrugore për UNECE, (Komisionin Ekonomik për Europën i Kombeve të Bashkuara, që është seksioni i OKB-së për Europën), theksohet se mungesa e infrastrukturës dhe kryesisht e sinjalistikës rrugore janë faktorë të të paktën 12 për qind të ngjarjeve rrugore. Studimi thekson se megjithëse numri i të plagosurve dhe të vdekurve në rrugët shqiptare ka ardhur në ulje nga viti 2016, përsëri kjo nuk është arritur sepse është përmirësuar sinjalistika, por sepse kryesisht policia rrugore ka qenë më e fokusuar në aksione në terren dhe sepse niveli i ndërgjegjësimit të drejtuesve të mjeteve është rritur.
Studimi nënvizon se masat që kanë ndikuar në uljen e numrit të viktimave, kanë qenë: Kryerja e fushatave sensibilizuese; Planet operacionale të inicuara nga Drejtoria e Policisë Rrugore, (për shpejtësinë, mospërdorimin e rripit të sigurimit, përdorimi i mjetit nën ndikimin e alkolit apo përdorimit të telefonave gjatë drejtimit të mjeteve); Monitorimi i masave për çdo fushatë; Trajnimet e vazhdueshme të punonjesve të policisë; Përmirësimi i metodave të kryerjes së shërbimeve policore.

Pra, sic shihet, në asnjë nga masat që kanë ndikuar në uljen e viktimave në rrugët shqiptare, nuk përmendet aspak ndonjë përmirësim i infrastrukturës rrugore apo shtimi i sinjalitisikës rrugore në vecanti.
Studimi i UNECE sugjeron gjithashtu se: 1- Sistemi rrugor duhet të projektohet për të pritur dhe për të pranuar gabimet njerëzore. 2- Në një aksident, ndërveprimi midis automjetit – rrugës – trupit të njeriut duhet të menaxhohet në mënyrë që gjasat serioze të dëmtimit të minimizohen, nëse nuk eliminohen.
Fundjavën e kaluar policia rrugore bëri thirrje që të gjithë shoferët duhet të zbatojnë sinjalistikën, për të qenë të sigurtë vetë dhe për të tjerët. “Çfarëdo rregullimi që të bëhet (në infrastrukturë) duhet të respektohet sinjalistika dhe në rrethrrotullim duhet të shkosh me shpejtësi drejt zeros. Nëse vjen me shpejtësi 140 km/h nuk ka rrethrrotullim që të të mbajë. Përmirësimi, pa sjelljen e shoferit, nuk ka mundësi të shmangë aksidentet”, u shpreh drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola.
Sipas tij, dalja nga Tirana, rruga për në Gjirin e Lalzit, segmenti rrugor nga Durrësi për në Vlorë, por edhe trafiku brenda për brenda Vlorës dhe qarkullimi për në bregdet, janë segmentet dhe pikat e nxehta në fundjavë, kur policia e qarkullimit rrugor është përqendruar me forca të shtuara për të shmangur jo vetëm aksidentet, por edhe radhët e gjata në trafik.

Sistemi i ri në Europë, prej vitit 2022
Sigurisht që në fillim do t’ju duket çuditshëm momenti, kur të jeni duke udhëtuar në rrugë me 97 km/orë, ndërkohë shenjat e limitit të shpejtësisë në kroskotin tuaj, do të fillojnë të ndizen dhe makina do të ngadalësojë vetë shpejtësinë.
Këtë gjë ekspertët e quajnë ndryshe edhe si një sistem inteligjent i ndihmës së shpejtë (ISA). Kjo që ndodh është e çuditshme por njëkohësisht do t’ju ndihmojë për të kaluar në rrugë të ndryshme. Ky sistem funksionon në mënyrë të atillë: Nëse shkoni në një zonë ku shpejtësia maksimale nuk duhet të jetë më shumë se 30 km në orë, atëherë frenat shtypen automatikisht dhe japin një frenim emergjent, duke kufizuar kështu edhe fuqinë e motorit. Nëse shpejtësia juaj nuk ulet për ndonjë arsye, një zile elektronike do t’ju lajmërojë gjithë kohës.
Sisteme të tilla tashmë janë në dispozicion në shumë makina të reja. Por së shpejti do të bëhen shumë më të zakonshme, sepse Bashkimi Europian po planifikon t’i bëjë ato të detyrueshme, në të gjitha makinat e reja që nga viti 2022. Këshilli Europian i Sigurisë së Transportit ka insistuar për përdorimin e tyre, duke vëzhguar sa funksionale do të jenë ato për udhëtime të ndryshme.

BE-ja ka përcaktuar një gamë shumë më të gjerë të masave të sigurisë të detyrueshme që do të duhet të përshtaten për të gjitha makinat që nga ajo datë, duke përfshirë frenimin automatik të urgjencës, ndihmën në korsi dhe sistemet për të parandaluar përgjumjen e shoferëve.
Ekspertët shprehen se deri më tani asnjë limitues shpejtësie nuk ka qenë kaq funksional sa ISA, por kjo gjë edhe mund të mos pranohet në shoqëri, pasi ideja e limitimit të detyrueshëm të shpejtësisë është diçka që shumë shoferë e kundërshtojnë. Mbështetësit e këtij plani gjithashtu janë pak skeptikë ndaj tij.
“Shumica e njerëzve dëshirojnë të përdorin makinën me limitin e shpejtësisë, por ata kanë nevojë për ndihmë që të kuptojnë se çfarë është kufiri i shpejtësisë për çdo rrugë të veçantë. Këto teknika do t’i ndihmojnë ata ta bëjnë këtë gjë,” thotë Matthew Avery nga industria e sistemit të sigurimit në BE.
Me fjalë të tjera, ai ka për qëllim të jetë një ndihmë për shoferin dhe jo një justifikim vetëm për t’u shpëtuar aksidenteve. Sipas Avery shoferët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për rreziku në rrugë. Megjithatë, sipas Këshillit Evropian të Sigurisë së Transportit, me adoptim masiv të këtij sistemi nëpër makina, mund të ketë përfitime të mëdha sigurie, potencialisht në uljen e incidenteve me 30% dhe aksidentet fatale me 20%.

Për të rregulluar shpejtësinë, makina duhet të dijë se cili është kufiri i saj i shpejtësisë në një zonë të caktuar. Aktualisht kjo mund të bëhet në dy mënyra:
Së pari, është e mundur të përdorim teknologjinë e navigimit satelitor GPS, për të përcaktuar saktësisht se ku është makina dhe ku po shkon dhe ta krahasojmë atë me një bazë të dhënash të hartës, mbi të cilën regjistrohen kufijtë e ndryshëm të shpejtësisë.
Avantazhi i një sistemi të tillë është se jo vetëm që e di se cili është kufiri i shpejtësisë në rrugën që po përdor, por mund edhe të paralajmërojë për limitin e shpejtësisë, që duhet të përdorësh në vend të tjera. Por ekspertët shprehen se ky sistem mund edhe të mos funksionojë, sepse informacioni nëpër disa rrugë mund të jetë shumë i vjetër dhe shumë i paplotë, duke pasur një limit të përkohshëm të shpejtësisë.
Një alternativë tjetër shumë e vlefshme është të përdorim një aparat fotografik dhe softuer në sistem, që mund të lexojë vetë shenjat e limitit të shpejtësisë. Kjo lejon që kompjuteri në makinë t’u përgjigjet kufizimeve të pandryshueshme dhe kufizimeve të shpejtësisë në kohë të shkurtër.

Sipas hulumtuesve zgjidhja logjike do të ishte një kombinim i të dy sistemeve. Kjo mund të tingëllojë si një recetë e cila ka shumë shpenzime, por sipas Roland Schaefer një ekspert i sigurisë në kompaninë Ford, shumë makina tashmë janë të pajisura me harduerin që kanë nevojë.
“Nëse tashmë navigoni me GPS dhe keni një aparat fotografik në makinë, atëherë gjithçka që ju nevojitet është edhe softueri i cili është pak i komplikuar për t’u vendosur,” shton ai.
Një ekspert për sigurinë në udhëtime që ishte i përfshirë në studim, tha se fillimisht ai sëbashku me kolegët e tij kanë vlerësuar se kostot e mundshme ishin rreth 2000 paund për çdo automjet.
“Tani nuk i llogarisim shpenzimet ekstra, sepse kemi një sërë gjërash të dobishme për shoferët e makinave,” u shpreh ai.
Por ndërkohë që teknologjia mund të jetë përballueshme, po nuk është e përsosur. Ekspertët thonë se gjatë eksperimentit të tyre, kanë hasur edhe probleme, pasi produktet e sistemit nuk funksiononin njëkohësisht.
“Ne kemi hasur edhe informata kontradiktore, për shembull, kur harta e GPS , na tregonte një rrugë kamera na tregonte një rrugë të ndryshme nga e para,” thotë Roland Schaefer nga kompania Ford.
Por, duke anashkaluar të gjitha vështirësitë, përsëri çdo gjë është në varësi të shoferit. Schaefer thotë se mund të ndërtojmë teknologji të mira me shumicë, duke menduar se ndihmojmë njerëzit, por shoferi nuk duhet të anashkalojë “rolin e tij”. Ai duhet të jetë gjithnjë i gatshëm për çdo fenomen që i servir rruga./BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë