Këtë të premte Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh duke pasur sërish në axhendë Gjykatën e Lartë. Pas mbylljes së garës për kandidatët jo gjyqtarë që konkurruan për t’u ulur në tre vende të mbetura bosh në gjykatën supreme, anëtarët e KLGJ do vendosën relatorët për secilin nga 21 pretendentët.
Relatorët në muajt në vijim do të drejtojnë “kontrollin “për secilin nga garuesit, sipas një sistemi filtrues që e ngarkon KLGJ-në për kontrollin e trefishtë të atyre që vijnë nga radhët jashtë gjyqësore. Kjo mbledhje është thirrur për të fituar kohë , për të orientuar punët e administratës për seleksionimin e dokumentacionit të kandidatëve jo gjyqtarë teksa anëtarët e KLGJ-së do shfrytëzojnë gushtin për të pushuar larg andrallave gjyqësore.
Por menjëherë sapo të kthehen në vjeshtë, anëtarët e KLGJ-së do kenë gati materialin ndaj pretendentëve të cilët më tej i nënshtrohen “Vettingut “ të veçantë jo nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit , por nga vetë KLGJ. Megjithatë qeveria e gjyqësorit nuk dihet ende se kur do ta ngrejë siparin edhe për garën e gjyqtarëve që plotësojnë kriteret për të konkurruar për 16 vendet vakante për këto kuota, diçka e tillë në të vërtetë do të sillte mbushjen e Gjykatës së Lartë me gjyqtarë të mirëfilltë dhe jo sikundër ka nisur plotësimi i vakancave me pretendentë që do të jenë nga sistemi jashtë gjyqësor .
Këtë përshtypje ta lë lista e 21 garuesve, pjesa më e madhe e të cilëve janë avokatë dhe juristë, apo edhe figura të njohura që dikur kanë qenë pjesë e sistemit dhe kanë prekur majat e drejtësisë qoftë pranë akuzës qoftë pranë kushtetueses. Nëse KLGJ vonohet dhe e hap ne vjeshtë garën për 16 vendet që do të dërgonin drejt gjykatës së lartë gjyqtarë të mirëfillë që janë në sistem, atëherë pritet të ndodhë që gjykata e lartë e rindërtuar pas furtunës së vettingut , ta nisë punën me treshen e parë që do të vijë nga jashtë gjyqësori.

Diçka jo fort e pëlqyeshme si nisje, ndonëse mes tyre ka ekspertë të reformës apo edhe profesorë të jurisprudencës. Por përtej parashikimeve, e tashmja e Gjykatës së Lartë është 18 vende bosh me një karrige të zëna me afat të shkurtër.
Deri në ora 11:00 të ditës sotme Gjykata e Lartë kishte 2 gjyqtarë në detyrë, por Kolegji i Posaçëm i Apelimit përjashtoi kryetarin e saj Xhezair Zaganjorin.
I vetmi i mbetur është gjyqtar i lartë në detyrë është Ardian Dvorani, me kompetenca të shpërndara për sa kohë ai drejton edhe një institucion tjetër siç është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Pas largimit të Zaganjorit kjo Gjykatë zyrtarisht del jashtë loje dhe njëkohësisht rrit volumin e dosjeve që kanë prekur tavanin e Arkivës.

Numri i dosjeve të pashqyrtuara ka shkuar në 33 mijë, mes tyre më urgjentet ato të ekstradimeve, që në rastin më të keq, nëse nuk shqyrtohen , i pari që do të shikojë lirinë do ta përfitojë këtë bonus nga shembja e Gjykatës së Lartë mëngjesin e datës tetë gusht 2019. Të tjerët në vazhdim të gushtit dhe në shtator. Pa llogaritur indianin e zbuluar së fundmi për super mashtrimin në vendin e tij, në total janë 5 trafikantë të kërkuar nga Italia të cilëve drejtësia do tu dhurojë drejtësinë. Por KLGJ mendon se do ta riparojë përkohësisht këtë defekt duke caktuar gjyqtarë të veçantë për gjykimin e tyre, megjithëse pas këtij vendimi për këtë zgjidhje provizore nuk është hedhur ende shorti që do zgjidhte nga apelet “shpëtimtarët” nga turpërimi i drejtësisë.
Si ra Gjykata e Lartë?
Edhe pse duket sikur vettingu është shkaktari kryesor i boshtatisjes së Gjykatës së Lartë, në fakt goditja e gjykatës “supreme” kishte nisur disa muaj para se të hynte ne fuqi ligji, sipas të cilit do kryhej rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Deri në vitin 2013 gjykata e lartë përbëhej nga 17 gjyqtarë të lartë. Por që të arrije në krye të shkallës së tretë të gjyqësorit, rrallë ka ndodhur që të kalohej pa zhurmë. E gjitha kjo për shkak të politikës , e cila mundësoi gjatë dy dekadave të fundit kapjen e “Olimpit” të gjykatave përmes emërimeve preferenciale të saj. Dhe në shkëmbim Gjykata e Lartë vërtetoi besnikërinë ndaj politikës përmes verdikteve që shpëtuan nga fajësia disa prej tyre. në vitin 2013 ishin në detyrë 17 gjyqtarë. Ligji premtoi rritjen e pragut duke e çuar organikën në 19 gjyqtarë, por në fakt ndodhi e kundërta.

I pari kryetari i saj Xhezair Zaganjori , I pari kryetari i saj Xhezair Zaganjori , emëruar nga radhët e jo gjyqtarëve në vitin 2013 me dhënie pëlqimi nga Kuvendi. Pas një beteje njëvjeçare me procesin e Vettingut, ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik të 2018 e vlerësoi pozitivisht, sot Komisioni i Posaçëm i Apelimit mori vendimin përfundimtar për shkarkimin nga sistemi i drejtësisë të kryetarit të Gjykatës së Lartë. Pasuria e paluajtshme e krijuar ndër vite sipas KPA-së ishin krijuar me burime të pajustifikueshme, si dhe shkollimi i fëmijëve.
I dyti Ardian Dvorani, i konfirmuar në detyrë, u emërua sipas dekretit të presidentit në vitin 2005 dhe është gjyqtari i lartë më jetë gjatë në këtë gjykatë. Prej pesë vitesh atij i ka përfunduar mandate nëntëvjeçar, por për shkak të vakancës vazhdon në detyrë edhe pse angazhimi i tij jashtë mandatit u bë shkak edhe për të vendosur në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Pozicioni i tij konsiderohet i lirë dhe zëvendësimi i tij kryhet me 3 gjyqtarët e ardhshëm që do të emërohen ndoshta në muajin dhjetor .

I treti, Medi Bici, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor. U konfirmua në detyrë nga Vettingu, por u zgjodh për të përfaqësuar Gjykatën e Lartë në KLGJ. Por ai për tre vitet e ardhshme nuk mund të ushtrojë asnjë detyrë si gjyqtar i lartë deri sa të mbarojë detyrën si anëtar i KLGJ. Bici u dekretua si gjyqtar i lartë në 2010 dhe mandati nëntëvjeçar i është pezulluar ndaj edhe pozicioni i tij konsiderohet i lirë.

Majlinda Andrea e mori në 2008 me pëlqimin e Kuvendit vendin si gjyqtare e lartë. Por e la këtë detyrë me vendim të kolegëve të saj që e shpallën fajtore për çështje korrupsioni dhe e dënuan me shërbim prove. Vendi i saj është bosh që prej 14 qershorit 2017.
Ardian Nuni u mandatua si gjyqtar iu lartë në 2007 dhe e mbajti këtë detyrë fiks deri ditën që i përfundoi mandati. Nga 21 prilli 2016 vendi i tij në këtë Gjykata është i lirë.

Mirela Fana është e para gjyqtare e lartë që dha dorëheqjen ditën që hyri në fuqi ligji i vettingut. E dekretuar në gjykatën e lartë në 23 prill 2009, ajo dha dorëheqjen në 31 janar 2017 pra një vit para se t’i përfundonte mandate nëntëvjeçar duke lënë një vend bosh
Arjana Fullani, u mandatua si gjyqtare e lartë në datë 8 korrik 2008 dhe fiks nëntë vjet më pas në qershor 2017 sapo përfundoi mandatin hoqi dorë nga e drejta për tu caktuar në një pozicion të lirë në gjykatë apeli. Gjithashtu vendi i saj konsiderohet bosh në Gjykatën e Lartë.

Në grup, si anëtares Arjana Fullani iu përfundoi mandati në të njëjtën ditë pasi ishin dekretuar në të njëjtën datë me të edhe Guxim Zenelajt, Andi Çelikut, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako. Ata e dorëzuan mandatin e përfunduar pranë Kolegjeve të Bashkuara të cilat në të njëjtën datë pra në 29 qershor 2017 deklaruan fundin e mandatit të tyre. Më pas siç kishte vepruar edhe me Fullanin edhe për këta të katërt Këshilli i Lartë Gjyqësor u konfirmoi përfundimin e statusit të magjistratit pasi kishin hequr dorë nga e drejta për të zënë një vend në Gjykatat e Apelit. Largimi në grup i këtyre pesë gjyqtareve të cilët e lexuan ligjin ndryshe nga kolegu Dvorani (që mendon se do të qëndrojë në detyrë derisa të zëvendësohet) krijoi gropën e parë të zezë në gjykatën e lartë. Më pas gjithçka ka emrin e vettingut

Shkëlzen Selimi u shkarkua me vendim të formës së prerë në shkurt 2019. Komisioni i Pavaruar të Kualifikimit dhe Opercacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë zbuluar lidhje të shumfishta midis anëtarit të Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi dhe krimit të organizuar.

Admir Thanza, të cilit i mbaronte mandat në 2022, u shkarkua në 18 prill 2019 me vendim të formës së prerë. Ai është i vetmi gjyqtar që ishte i dënuar vite më parë në Itali, por që nuk e kishte deklaruar.

Artan Zeneli, që i mbaronte mandati në 2021 u shkarkua me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posacëm i Apelimit

Tom Ndreca të cilit i mbaronte mandate në 2022 u shkarkua me vendim të formës së prerë nga vetting
Edmond Islamaj, të cilit i mbaronte mandat në shtator 2019, ndonëse u konfirmua nga shkalla e parë edhe ai u shkarkua nga KPA

Artan Broci, të cilit i përfundonte mandati në 2021, u shkarkua me vendim të formës së prerë në korrik, edhe vendi i tij është bosh

Pas shkarkimit të Zaganjorit, “i fundmi i Moikanëve “do të jetë Ardian Dvorani, i cili në fakt nuk ka asnjë mandat për të qëndruar në detyrë, ashtu sikundër edhe Vitore Tusha e Gjykatës Kushtetuese të cilës i ka përfunduar koha, por qëndron në detyrë sepse është e vetmja që fitoi betejën me Vettingun. Dhe dikush duhet për t’i fikut dritat kur përfundon orari zyrtar .
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





