Podcast

Audio-Lajme shkurt 17 korrik 2019

Gjykata e Durrësit nuk i jep mandatin kandidates së PS, Valbona Sako
Teksa në shumicën e bashkive gjykatat e vendeve përkatëse kanë pranuar mandatin e kryebashkiakëve të rinj të PS, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me Gjykatën e Durrësit.
Kandidatja e PS për Bashkinë Durrës, Valbona Sako, pasi ka fituar përballë kandidates së partisë Bindja Demokratike, ka bërë kërkesë në Gjykatë për konfirmimin e mandatit 4-vjeçar. Por kërkesa e saj nuk është pranuar nga Gjykata e Durrësit.
Gjykata ka dhënë argumentimin se procesi nuk është i ligjshëm, pasi Bindja Demokratike është regjistruar jashtë afatit zyrtar, duke i bërë këto zgjedhje nul.
Partia Bindja Demokratike është regjistruar në Gjykatë më 25 prill, pasi kishte përfunduar afati për regjistrimin e subjekteve zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Meta kërkon reflektim dhe zgjidhje të krizës
Presidenti Ilir Meta ka lëshuar një apel ndaj mazhorancës dhe opozitës për të zgjidhur krizën politike në vend. Ai fton palët që të marrin vendime në kohë, pasi më pas do të jetë vonë. Me anë një të postimi në rrjetet sociale Meta shprehet se nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër.
Me qëllim për të mos ngelur në vjeshtë kur BE të japë vendimin për negociatat, Meta fton që të dyja palët t’u krijojnë mundësinë që qytetarët të shkojnë në zgjedhje më 13 tetor për ato lokale dhe parlamentare.

Kryesia e PS, Rama pro negociatat me Bashën, por s’ka zgjedhje të reja
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është shprehur i hapur për t’u ulur në negociata me opozitën. Ky qe mesazhi që Rama dha pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS-së, e cila zgjati pesë orë.
Rama ndërkaq përjashtoi çdo mundësi që në tavolinën e negociatave me palët të diskutohet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale apo të parakohshme. Sipas tij qeveria do ta mbyllë mandatin deri në 2021 dhe se zgjedhjet lokale u mbajtën më 30 qershor dhe nuk ka ndonjë tjetër.

Kreu i ri i KLSH, Meta çon në Kuvend emrin e Petraq Milos
Presidenti Ilir Meta ka vendosur t’i propozojë Kuvendit si kandidat për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, profesor Petraq Milo.
Lajmin e ka bërë me dije zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi.
Në njoftimin e Presidencës për mediat, thuhet se Milo është një personalitet me një eksperiencë të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit në fushën e financave, të auditit, të bankave dhe të ekonomisë në tërësi, gjithashtu me një kontribut të spikatur në drejtimin e institucioneve financiare, fiskale e bankare në Kosovë.
Në njoftim thuhet se “Presidenti Meta duke qenë i bindur në drejtësinë e vendimit të Tij, pasi ka lexuar me shumë vëmendje sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për kryetar i KLSH-së, nuk gjeti dot një kandidat më të përshtatshëm dhe me kaq eksperiencë të gjithanshme, si Prof. Dok. Petraq Milo për të përmbushur me profesionalizëm dhe dinjitet këtë detyrë tepër të rëndësishme kushtetuese”.

Prokuroria humb 3 procesverbale, shtyhet sërish gjyqi i ish-ministrit Tahiri
Është shtyrë për herë të tretë seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Arsyeja këtë herë ka qenë se prokuroria nuk ka gjetur 3 procesverbale. Procesverbalet që kanë humbur janë përkthimet në gjuhën shqipe të tre të pandehurve që po përballen me drejtësinë italiane, Moisi Habilaj, Nezar Seiti dhe Meridjan Sulaj. Seanca e radhës u caktua më 22 korrik në orën 11:00, ku prokurorët do të paraqesin përkthimet.
Jashtë dyerve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj drejtësisë shqiptare.
Tahiri deklaroi se me këto letra deshën ta arrestojnë, ndërsa tani thonë se janë zhdukur. Ndër të tjera, ish-ministri paralajmëroi se herët ose vonë do ia dalë.

Cakaj: Reeker më tha “asnjë kompromis për reformën në drejtësi”
Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane, Philip Reeker është takuar me ministrin Gent Cakaj, ku sipas këtij të fundit, është shprehur se për SHBA-në, reforma në drejtësi nuk mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi, pasi ajo përbën një model për rajonin.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Cakaj bën të ditur se SHBA-të mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor.
Sipas Cakajt, në takim Reeker nënvizoi rëndësia e mbylljes së çështjeve dypalëshe në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor
“ Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej. Bazuar mbi modelin e pakrahasueshëm të reformës në drejtësi dhe rëndësinë gjeostrategjike të thellimit të lidhjeve midis Shqipërisë dhe BE-së, SHBA-të mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor”, shkruan Ministri në Detyrë.

Von Der Leyen: Do të mbështes hapjen e negociatave me Tiranën e Shkupin!
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka premtuar mbështetjen e saj për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas televizionit maqedonas Telma, Von Der Leyen iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Grupit të Sociali-Demokratëve në Parlamentin Europian, të cilët i kërkuan ish-ministres gjermane të Mbrojtjes të vazhdojë me politikën e zgjerimit të Komisionit të mëparshëm.
Në një letër drejtuar grupit S & D, Von Der Leyen deklaroi se Maqedonia e Veriut është një “shembull i shkëlqyer i arritjeve pozitive” dhe premtoi mbështetjen e saj pavarwsisht rezervave të shprehura nga disa liderë të BE-së si Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministri holandez Mark Rutte.
“Ne duhet t’i drejtohemi më seriozisht Ballkanit Perëndimor dhe Maqedonia e Veriut është një nga shembujt më të ndritur për një progres pozitiv”, tha Von Der Leyen duke u zotuar për të mbajtur hapur dyer e unionit për vendet e Evropës Lindore dhe Ballkanit Perëndimor që kërkojnë anëtarësimin në BE.

Korrupsion me bizneset në Velipojë, pranga 2 inspektorëve bashkiakë
Në sajë të operacionit policor “Akomoduesi”, Policia ka vënë në pranga dy inspektorë të taksave që punonin në Bashkinë e Shkodrës.
Sipas policisë, arrestimi i tyre erdhi pasi dyshohet të jenë përfshirë në një skemë korrupsioni me bizneset në plazhin e Velipojës.
Pas kontrolleve të ushtruara janë evidentuar shkelje të bëra nga ana e punonjësve të Bashkisë Shkodër dhe subjekteve në lidhje me deklarimin e të ardhurave.
Për këto shkelje, policia ka vënë në pranga shtetasit:
B. P., 32 vjeç, banues në Shkodër, punonjës në Bashkisë Shkodër;
I. M., 63 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër, punonjës në Bashkisë Shkodër;
Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi D. H., 32 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi” Shkodër.

Firmos holandezi De Ligt, edhe Nejmar i vetofrohet Juventusit
Mbrojtësi holandez, Mathis De Ligt, sot ka hyrë zyrtarisht në botën bardhezi. Është blerja e madhe e Juventusit në merkaton e verës. Ai është marrë nga Ajaksi për shifrën totale të 75 milionë eurove (70+5 bonus), ka kryer vizitat mjekësore dhe ka firmosur kontratën 5-vjeçare, nga e cila do të përfitojë rreth 12 milionë euro në vit. Mbrojtësi është takuar me trajnerin Mauricio Sarri dhe shokët e skuadrës së re. De Ligt kërkohej nga klubet më me emër në Europë, me Barcelonën që dukej se do ta bashkonte sërish me De Jong, por garën në fund e fitoi Juventusi. Ish-kapiteni i Ajaksit konsiderohet një nga mbrojtësit më të mirë në botë dhe klubi bardhezi nuk është kursyer, aq më tepër që ai është ende 19 vjeç.

Shkëndija e Feronikeli bëjnë “vetëvrasje”, eliminohen nga Liga e Kampionëve
As kampionët e Kosovës dhe as kampionët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mundur të kualifikohen për në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampionëve. Feronikeli dhe Shkëndija e Tetovës janë eliminuar, duke bërë “vetëvrasje” në fushat e tyre.
Krejtësisht i papritur ishte eliminimi i Shkëndijës, që e kishte fituar 0-1 në ndeshjen e parë me Nome Kalju të Estonisë në fushë kundërshtare. Tetovarët u mundën 1-2 në shtëpi, duke i dhënë lamtumirën kështu Ligës së Kampionëve që në turin e parw, edhe pse pritshmëritë ishin të mëdha. Shkëndija e Tetovës kalon tani në Ligën e Europës, ku do të ndeshet me Dudelanzh të Luksemburgut.
U mund edhe Feronikeli në stadiumin “Fadil Vokrri”, me rezultatin 0-1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë