Kolegji rrëzon Presidentin: Zgjedhjet më 30 qershor
Kolegji Zgjedhor ka vendosur me 5 vota pro që të mos pranojë kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar për çregjistrim nga zgjedhjet. Ky subjekt kërkonte mos përfshirjen në zgjedhje pasi në fuqi ekziston dekreti i dytë të presidentit që anulon 30 qershor si datë të zgjedhjeve. Trupa e 5 gjyqtarëve e kryesuar nga Tomor Skreli e ka rrëzuar padinë e këtij subjekti politik, duke rrëzuar në një mënyrë edhe dekretin e presidentit Meta që shfuqizonte datën 30 qershor.
Meta, konferencë të jashtëzakonshme pas vendimit të Kolegjit
Presidenti Ilir Meta pritet të ketë një dalje për median të martën në mëngjes për të komentuar dhe vendimin e sotëm të Kolegjit Zgjedhor. Konferenca do të mbahet në orën 08:00 dhe pritet të ketë një reagim të fortë nga ana e Presidentit, Ilir Meta. Vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor i cili rrëzoi padinë e kreut të PUK-së, Idajet Beqirit u mor në mënyrë unanime nga 5 anëtarët e tij. Kolegji më këtë vendim praktikisht njohu 30 Qershorin si datën e zhvillimin të zgjedhjeve vendore.
Shkarkimi i Presidentit, të mërkurën raporti i Komisionit
Komisioni i Ligjeve do të miratojë të mërkurën raportin e posaçëm që do t’i paraqitet Kuvendit për të miratuar ngritjen e komisionit të posaçëm hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Nisma për shkarkimin e kreut të shtetit është firmosur nga 55 deputetë socialistë ku e cilësojnë aktin e presidentit për zhdekretimin e zgjedhjeve lokale si një akt i marrë në shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Rama mbledh Kryesinë dhe jep porosi për fushatën. Basha takon aleatët
Kryesia e Partisë Socialiste u mbledh mëngjesin e kësaj të hëne lidhur me fushatën dhe zgjedhjet e 30 qershorit. Në një kohë krize politike dhe përplasjesh të shumta pas dekretit të presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve, mësohet se kreu i qeverisë, Edi Rama, ka dhënë porosi të veçanta për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke nisur nga ditët e mbetura të fushatës dhe ditën e zgjedhjeve. Ndërsa e ka quajtur 30 qershorin të panegociueshëm, Rama ka kërkuar të dokumentohet çdo incident i mundshëm gjatë ditës së zgjedhjeve.
“Të dokumentohet çdo incident i mundshëm gjatë ditës së zgjedhjeve. Të garantohet mbarëvajtja e procesit zgjedhor. Të jemi korrekt me procesin e administrimit zgjedhor. Të respektohet kodi zgjedhor. Kush prek votën dhe manipulon votën, do përgjigjet para ligjit. Më 30 qershor të kemi një proces me standarde”, mësohet të ketë thënë kreu i qeverisë.
Ndërkohë në anën tjetër Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur në një takim aleatët për të diskutuar aksionin opozitar të kësaj jave. Nuk ka datë për një protestë kombëtare, ndërsa beteja është zhvendosur në bazë, në çdo qytet ku Rama ka miting për zgjedhjet e 30 qershorit.
Lufta e përgjimeve
Socialistët kanë hyrë në javën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa opozita në ditët e fundit të përpjekjeve për të ndalur këtë proces, që sipas saj dhe Presidentit Ilir Meta, është antikushtetues. Beteja zhvillohet në disa fronte, ku më interesanti dhe më i nxehti në ditët në vazhdim pritet të jetë ai i përgjimeve. Zëra opozitarë kanë paralajmëruar të tjera përgjime që do të publikohen nga “Bild”, ku hamendësohet për ministra aktualë të kabinetit Rama duke komunikuar në telefon me elementë kriminalë për manipulimin e zgjedhje. Nga mazhoranca, Pjerin Ndreu ka paralajmëruar përgjime për Lulzim Bashën për çështjen e lobimit në SHBA, ku akuzohet se është financuar nga para ruse. Po ashtu, në media është rikthyer edhe një akuzë e hershme ndaj Ilir Metës, dosja “978”, ku shfaqet në komunikime me Kastriot Ismailajn, të dënuar për aferën CEZ-DIA. Sipas kësaj dosjeje, në prag të zgjedhjeve të 2009 Ilir Meta i ka kërkuar Ismailajt 200 mijë euro. Përgjimet thuhet se janë asgjësuar, për shkak të imunitetit që Meta gëzonte si deputet i Parlamentit.
(Pa) siguria në plazhe, dy të mbytur dhe një i zhdukur në 24 orët e fundit
Sezoni turistik ka nisur, por viktimat që janë shënuar deri më tani ngrenë pikëpyetje mbi sigurinë në plazhet tona. Mëngjesin e së hënës është shënuar viktima e radhës në plazhin e Durrësit. Raportohet se është mbytur një pushues 60-vjeçar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, në zonën e Plepave. Trupi i 60-vjeçarit është nxjerrë i pajetë nga uji dhe u transportua drejt morgut, ndërsa ende nuk është bërë i ditur identiteti i tij.
Kjo është viktima e dytë brenda 24 orëve të fundit në plazhin e Durrësit, pasi po mëngjesin e sotëm u nxor i pajetë nga ky plazh edhe 31-vjeçari Doland Molla, i zhdukur mesditën e djeshme. Ndërkohë, në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin vijojnë kërkimet për 18-vjeçarin me inicialet E. M., i cili pasi ka hyrë në det nuk është parë më nga familjarët.
Erdogan dorëzon Stambollin
Presidenti Rexhep Taip Erdogan pësoi humbjen e dytë në Stamboll në zgjedhjet e zhvilluara në një kohë të shkurtër duke “dorëzuar” qytetin më të madh turk pas 25 vitesh.
Kandidati i partisë në pushtet në zgjedhjet e përsëritura për Kryetar Bashkie në Stamboll, Binali Yildirim, pranoi humbjen ndaj kandidatit të opozitës, Ekrem Imamoglu.
Kandidati i Partisë Republikane, në opozitë, ka fituar me 54,93% të votave përballë ish-kryeministrit Binali Yildirim, që mori 45,09% të votave.
Votimi i së dielës u mbajt pas anulimit të debatueshëm nga ana e zyrtarëve të zgjedhjeve të fitores së parë historike të zotit Imamoglu në mars, pasi Presidenti Rexhep Taip Erdogan e kundërshtoi humbjen e kandidatit të tij.
Por pas 25 vjetësh në pushtet, presidenti turk ka humbur tanimë “folenë” e tij politike, duke marrë një goditje të rëndë nga votuesit turq.
Ilaçi që mund të shërojë xhuxhizmin
Shkencëtarët shpresojnë se një lloj mjekimi i ri të cilin po eksperimentojnë, mund të nxisë rritjen e shëndetshme te fëmijët të cilët kanë lindur me problemet e zgjatjes së trupit, ose xhuxhizmin. Një fëmijë nëntëvjeçar në Londër, prej tre vjetësh po kryen një trajtim eksperimental i cili nëse funksionon, do të shërojë edhe shumë fëmijë të tjerë në botë. Xhuxhizmi shkaktohet kryesisht nga Akondroplazia, që është forma më e zakonshme e njerëzve të shkurtër. Kjo gjendje është një çrregullim gjenetik që dëmton rritjen e kockave në gjymtyrë, shpinë dhe pjesën e kafkës së kokës.
Partizani i nis përgatitjet me humbje, Laçi në rrugë të mbarë
Ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme aventura e Franko Lerdës në drejtimin e Partizanit. Italiani humbi në ndeshjen e parë si trajner i Partizanit me rezultatin 5-1 në një miqësore, përballë Sarajevos. Ekipi që zbriti në fushën e lojës me disa ndryshime të vogla ishte po i njëjti që një muaj më parë u shpall kampion në drejtimin e Skënder Gegës. Nga ekipi kampion mungonin të larguarit, Atanda, Hebaj dhe Duka, që ishin zëvendësuar me prurjet e reja. Ndryshe nga kampionët, Laçi e ka filluar mbarë këtë fazë përgatitore në prag të ndeshjeve europiane. Kurbinasit nën drejtimin e Sul Starovës kanë fituar ndaj Kukësit 2-0 në ndeshje të zhvilluar në stadiumin e qytetit të Librazhdit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.