Ekonomi

Shqipëria e fundit në Europë për konsumin dhe PBB për frymë

Shqipëria renditet e fundit në Europë e rajon për konsumin për frymë e Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për frymë.
Teksa Konsumi Individual aktual dhe PBB për frymë në vitin 2018, në BE ishte 100, të dhënat e raportuara nga Eurostat tregojnë se në vendin tonë niveli i komsumit dhe PBB-së për frymë është alarmant; respektivisht 38% dhe 31% .

Sipas statistikave konsumi aktual për frymë në vendin tonë është 2.6 herë më i vogël se ai i një europiani.

Krahasuar me vende si Norvegjia, një shqiptar konsumon 3.3 herë më pak. Norvegjia është dhe vendi me konsumin më të lartë individual, 25% mbi mesataren europiane.
Shqipëria në renditjen për konsumin individual dhe PBB për frymë është ndjekur nga Bosnje Hercegovina dhe nga Maqedonia e Veriut.

Malazezët qëndrojnë më lart se bullgarët me konsumin për frymë prej 57% krahasuar me 100 % të standartit europain.

Konsumi aktual për frymë është një masë e mirëqenies materiale të familjeve. Bazuar në vlerësimet për vitin 2018, konsumi për frymë i shprehur në Standardet e Fuqisë Blerëse varion nga 56% në 132% krahasuar me mesataren e BE-së (BE) në të gjithë Shtetet Anëtare.
Dhjetë shtete anëtare regjistruan konsum për frymë mbi mesataren e BE në 2018. Niveli më i lartë në BE u konstatua në Luksemburg, 32% mbi mesataren e BE. Gjermania ishte rreth 20% më lart, e ndjekur nga Austria, Danimarka, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Finlanda, Belgjika, Suedia dhe Franca, të cilat të gjitha regjistruan nivelet midis rreth 5% dhe 15% mbi mesataren e BE.

Konsumi për frymë për dymbëdhjetë shtetet anëtare qëndron mes mesatares së BE-së dhe 25% më poshtë. Në Itali, Qipro, Irlandë, Spanja dhe Lituania nivelet rezultuan 10% ose më pak nën mesataren e BE-së, ndërsa Çekia, Portugalia dhe Malta ishin midis 10% dhe 20% më poshtë dhe Polonia, Sllovenia, Sllovakia dhe Greqia midis 20% dhe 25% më poshtë.

Gjashtë Shtetet Anëtare regjistruan konsum për frymë 25% ose më shumë nën mesataren e BE. Estonia ishte 26% më poshtë, Letoni dhe Rumania ishin 30% më poshtë, ndërsa Hungaria dhe Kroacia kishin konsum për frymë 40% nën mesataren e BE-së dhe Bullgaria 44% më poshtë mesatares së BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë