Podcast

Audio-Lajme 19 qershor 2019

Zgjedhjet vendore, tym e flakë në bashkitë që drejton PD-LSI
Pas përplasjeve të djeshme në shumicën e bashkive të djathta në vend, sot është tensionuar situata edhe në shumë bashki të tjera të djathta.
Përplasje mes militantëve të PD dhe policisë ka pasur në bashkinë e Kamzës, kunonjësit e bashkisë dhe militantët e PD-së kanë tentuar që të hapin me forcë derën e shkollës “Ibrahim Rrugova”, ku ndodhet KZAZ-ja nr. 27, për të shkatërruar materialet zgjedhore. Po ashtu, tensione ka pasur edhe në Bashkinë e Gjirokastrës dhe Kavajës, ku bashkitë kanë urdhëruar lirimin e ambienteve të KZAZ.
Edhe në Bashkinë e Matit është kërkuar lirimi i ambienteve zgjedhore, duke zbatuar në këtë mënyrë dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve.
Mësohet se ka pasur përleshje mes policisë dhe qytetarëve në KZAZ nr. 16 që ndodhet në Pallatin e Sportit.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, zyrtarët e bashkisë kanë ndërhyrë dhe kanë nxjerrë jashtë materialet zgjedhore dhe i kanë djegur duke zbatuar kështu dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Burime nga Policia e Shtetit thonë se janë disa efektivë të plagosur, ndërkohë që nga Partia Demokratike thonë se vëllai i kreut të kësaj partie dega e Burrelit është goditur me shkop pas koke dhe është shoqëruar për në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të goditjeve të marra, sipas opozitës, nga policia e shtetit.
Përplasje janë shënuar edhe në Pogradec midis militantëve të PD-së që kanë tentuar që të futen në ambientet e KZAZ-së dhe drejtuesve të policisë.
Edhe në Kukës, mbështetës të PD-së kanë kërkuar të hyjnë në KZAZ nr. 11 e cila është vendosur në ambientet e një palestre për të larguar materialet zgjedhore në mbështetje të dekretit të presidentit, ndërkohë që Policia e Shtetit dhe FNSH kanë ndërhyrë për t’i ndaluar.

Përplasjet në KZAZ, arrestohen 12 vetë në Tropojë e Shkodër, 20 në kërkim. Mes tyre Bardh Spahia
Një ditë pas situatës së tensionuar nëpër KZAZ në Tropojë dhe Shkodër, policia ka vënë në pranga 12 persona.
Në Tropojë, policia ka vënë në pranga 7 persona, pasi dje disa shtetas hynë në mëngjes në ambientet e KZAZ nr. 9 në Pallatin e Kulturës në Bajram Curri të Tropojës, duke hequr që aty materialet zgjedhore.
Ata akuzohen për “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
Ndërkohë, janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë.
Policia e Shkodrës, pas përplasjes mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit arrestoi 5 persona. Ndërkohë ka shpallur në kërkim 14 shtetas dhe ka proceduar 2 të tjerë të cilët ndiqen në gjendje të lirë.

Rama: Kush kryen krim elektoral, do t’i ndalohet me ligj udhëtimi jashtë vendit
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar kalimin e një ligji në Parlament që do t’i ndalojë nga 5 deri në 10 vite daljen nga Shqipëria personave që kryejnë krim elektoral.
“Nuk do të lejohet të dalin nga vendi 5-10 vite kush kryen krim elektoral. Kjo masë do të kalojë nesër në Parlament. E gjithë kjo rrëmujë bëhet nga frika e reformës në drejtësi. Keqardhje për ata që i ndjekin se po përfundojnë burgjeve. Shkojnë në burg për Lulin dhe për fallxhoren. Nxisin njerëzit të bëjnë rrëmuja, vetë flenë në shtëpitë e tyre”, deklaroi Rama në një takim me banorët e njësisë bashkiake numër 1 në Tiranë.
Detajet e nismës së socialistëve mbeten ende për t’u mësuar, se ccfarë përcaktohet me krim elektoral në projektligj.

Incidentet, Lleshaj paralajmëron shkrirjen e policive bashkiake
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në një dalje publike për median paralajmëroi shkrirjen e policisë bashkiake në ato njësi vendore të opozitës, të cilat u bënë palë me dhunuesit e Komisioneve të Zonave Zgjedhore.
Sipas ministrit, këta policë po përbëjnë një rrezik publik dhe se po përdoren si mish për top nga PD dhe LSI.
Gjithashtu ministri garantoi zbatimin e ligjit duke mos toleruar dhe duke theksuar se policia do t’i përgjigjet proporcionalisht deri në fund këtyre akteve.
PS cakton dy relatorët për raportin për shkarkimin e Presidentit
Komisioni parlamentar i Ligjeve shqyrtoi sot kërkesën e mazhorancës për të shkarkuar nga detyra Ilir Metën nga posti i presidentit për shkelje të rëndë të Kushtetuese, me nxjerrjen e dekretit të dytë për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Për kërkesën e 55 deputetëve të majtë u caktuan relatorët e çështjes Adnor Shameti dhe Klotilda Ferhati. Të hënën e ardhshme komisioni do të shqyrtojë nismën me një debat me deputetët. Ulsi Manja, kryetari i komisionit, bëri të ditur se është njoftuar presidenti për këtë procedurë dhe në rast se ai dëshiron mund të paraqitet për t’u mbrojtur nga akuzat.

Basha shkon në prokurori: Akuza politike, për të tërhequr vëmendjen
Lulzim Basha nuk ka pritur 20 qershorin, datë e caktuar nga prokuroria për ta shoqëruar atë me forcë mbi akuzën e pastrimit të parave në lidhje me lobimin e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por është paraqitur vetë 24 orë më parë. Basha i parapriu 20 qershorit, ku sipas paralajmërimit të prokurorisë do të shoqërohej me forcë për t’u njohur me akuzën dhe marrjen si i pandehur, në dukje si një strategji për të mos hequr vëmendjen nga publikimet e Bild, që më 20 qershor pritet të nxjerrë të tjera përgjime, një ditë para protestës së radhës kombëtare të thirrur nga opozita. Kreu i PD thotë se prokuroria nuk e kishte dosjen gati për faktin se çështja është e montuar në zyrën e Edi Ramës, që sipas tij, e hedh për konsum sa herë që në radhët e socialistëve plas një skandal, për të hequr vëmendjen e qytetarëve ndaj këtyre skandaleve.

Shtyhet gjyqi ndaj ish-ministrit Tahiri
Gjykata ka vendosur shtyrjen e seancës ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai akuzohet për përfshirje në grupin kriminal të grupit Habilaj, i cili po gjykohet në Itali. Vetë Tahiri u shpreh i pakënaqur nga kjo shtyrje dhe deklaroi se ky është një gjyq i montuar politikisht. “Unë kërkova mos ketë vonesë, procesi të shkojë përpara pa humbur kohë, se boll kohë është humbur deri më sot”, deklaroi Tahiri për mediat.

Çelja e negociatave, kush na votoi pro dhe kundër në Luksemburg
Bashkimi Europian shtyu për në shator hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në një mbledhje prapa dyerve të mbyllura në Luksemburg.
Nga njëra anë e tryezës qëndronin vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, të cilat kanë kërkuar që Shqipërisë t’i jepet një shans, ndërsa nga ana tjetër ishin vendet më të mëdha të Europës Perëndimore.
Rumania, Çekia, Hungaria, Polonia, Bullgaria dhe Italia raportohet se dolën në krah Shqipërisë duke kërkuar hapjen e negociatave,përballë kritikave të vendeve si Holanda, Franca, Danimarka apo Belgjika.
Ministri rumun për Çështjet Europiane George Ciamba tha pas takimit se vendi i tij kishte bërë gjithçka që kishte në dorë për të shtyrë përpara procesin e zgjerimit.
Ai u ndal në veçanti tek kriza në Shqipëri, duke thënë se shumë vende anëtarë nuk mundën të injoronin situatën politike në vendin tonë, e cila ndikoi në vendim e shumë shteteve skeptike për shtyrjen e datës së negociatave.
“Shpresojmë që deri në tetor situate të përmirësohet për mirë dhe të ndryshojë mendimin e këtyre vendeve”, deklaroi Ciamba.
Ashtu siç edhe pritej, Holanda tha në mbledhjen e Këshillit të BE-së se kishte dyshime serioze në lidhje me pranimin e vendit tone për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Samsung sjell Galaxy Note 10, “smartfonin më të përparuar në botë”
Mediat ndërkombëtare kanë bërë me dije se Samsung do të lançojë për publikun telefonin më të fundit, Galaxy Note 10, në më pak se dy muaj. Smartfoni do të ketë një madhësi të njëjtë me telefonat e tjerë të linjës Note dhe do të prezantohet në qendrën Barclays në Bruklin, në të njëjtin vend ku u prezantua edhe telefoni Galaxy 9. Veçantia e telefonit të ri përqendrohet në kapacitetin prej 1 terabajt për të dhëna të ndryshme dhe një linjë e prodhimit do të funksionojë edhe në rrjetin 5G

Mishel Platini lihet i lirë: Shumë zhurmë për asgjë!
Mishel Platini është lënë i lirë, pasi ishte shoqëruar nga policia në Nanterre, në Francë. Ish-presidenti i UEFA-s është marrë në pyetje në lidhje me akuzat për korrupsion dhe për ndikim në zgjedhjen e Katarit si vendi organizator i Botërorit 2022.
Platini ka dalë nga komisariati i shoqëruar nga avokati i tij dhe ka folur shkurt për gazetarët e pranishëm.
“Shumë zhurmë për asgjë, nuk e kuptoj ende se çfarë lidhje kam unë me këtë histori”, është shprehur ish-presidenti i UEFA-s.
Pas lirimit të Platini, policia ka nxjerrë një njoftim zyrtar, ku shkruan: “Mishel Platini, pasi është dëgjuar si dëshmitar vitin e kaluar në kuadër të të njëjtit hetim, është shoqëruar në polici për arsye teknike.

VAR-i ndal Brazilin, konfuzion dhe vetëm 1 pikë ndaj Venezuelës
Konfuzioni dhe frustrimi i kanë bërë një shaka të pakëndshme Brazilit, që barazoi 0-0 kundër Venezuelën në raundin e dytë të ndeshjeve në Grupin A. Brazilianët u treguan të brishtë në zonën e rreptësisë dhe paguan paqartësinë e sulmuesve, si të titullarëve, ashtu edhe të atyre që u futën nga stoli. Nuk ishte mbrëmja e të zotëve të shtëpisë, që u ndalën dy herë nga VAR-i. Venezuela u mbrojt shumë fort për të marrë një pikë, që mund të rezultojë vendimtare për kualifikimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë