Podcast

Audio-Lajme 18 qershor 2019

S’ka datë për negociatat, vetëm deklaratë. Gjermania: Vendimi në shtator ose tetor
Ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian janë duke mbajtur një takim me dyer të mbyllura në Luksemburg, ku pritet të vendoset fati i negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ministrat e BE-së pritet të nxjerrin vetëm një deklaratë për rëndësinë strategjike të Ballkanit për Europën, por nuk do të japin një datë përfundimtare për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Ministri gjerman i shtetit për Europën, Michael Roth bëri thirrje për fillimin e bisedimeve më të dyja vendet, duke deklaruar se Shkupi dhe Tirana i kanë bërë “detyrat e shtëpisë”.
“Para një viti u kemi dhënë detyrat e shtëpisë dy vendeve dhe ata i kanë përmbushur. Veç kësaj Maqedonia e Veriut ka arritur të zgjidhë një konflikt 30 vjeçar me Marrëveshjen e Prespës. Dhe kjo është e pashembullt dhe duhet shpërblyer”, ka deklaruar Roth. Gjatë bisedimeve ministrat mund të vendosim për hapjen e negociatave për Shkupin në tetor, por jo për Tiranën, shanset e së cilës u “errësuan” edhe më shumë me publikimin e audio-përgjimeve të gazetës gjermane “Bild”.

Paralajmërimi i BE-së për vizat, Meta: Kambanë alarmi!
Presidenti Ilir Meta ka dalë sot me një deklaratë të fortë pas paralajmërimit të bërë një ditë më parë nga Komisioneri për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, që deklaroi ndërmarrjen e masave ndaj Shqipërisë, krahas Venezuelës dhe Kolumbisë, për çështjen e lëvizjes së lirë. Sipas kreut të shtetit ajo deklaratë është një kambanë alarmi për të gjithë. Ai kërkoi që të merren masa urgjente për të mos lejuar rikthimin e vizave për shqiptarët.
Pas deklaratave të Metës, ka reaguar kryeministri Edi Rama. “Ilir Meta mos shqetësohet për rikthimin e vizave – s’ka shans të rikthehen – po të shqetësohet për vizën që i vuri figurës së kreut të shtetit, duke u bërë pjesë e frontit politik kundër zgjedhjeve dhe kundër drejtësisë! Kjo luftë e turpshme kundër Shqipërisë do dështojë. Me turp!”, ka komentuar Rama në Twitter.

Përgjimet e ‘Bild’, PD: Rama duhet të ishte në burg
Për Partinë Demokratike përgjimi i publikuar nga Bild është i mjaftueshëm për të provuar se Kryeministri ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në procesin zgjedhor, vepër penale që ndëshkohet nga një deri në tre vjet burg, Enkelejd Alibeaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazmend Bardhi dolën para mediave këtë të martë, duke interpretuar sipas tyre nenet e Kodit Penal për krimin zgjedhor. Duke cituar nenet përkatëse, dy deputetët demokratë thanë se “përgjimet tregojnë se Edi Rama, qeveria e tij dhe PS kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal për të marrë dhe mbajtur pushtetin në mënyrë të paligjshme”. “Edi Rama, Damian Gjiknuri, Pjerin Ndreu, Vangjush Dako e me rradhë duhet të ishin sot në burg për vjedhjen e votave”, thanë deputetët demokratë.

Rama pritet me protestën e PD në Londër: Qeveria është kapur nga krimi
Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Londër është pritur me protestë. Dega e Partisë Demokratike në kryeqytetin britanik e mbështetur edhe nga shqiptarë që jetojnë e punojnë atje janë mbledhur fillimisht para hotelit ku qëndroi kryeministri e më pas edhe në sallën ku zhvillohej takimi ku Rama do të marrë pjesë ditën e sotme.
Kryetari i PD-së në Londër, Naim Hasani, tha se gazeta më e madhe në Europë BILD ka publikuar përgjime, të cilat dëshmojnë se kjo qeveri ka ardhur në pushtet nëpërmjet mashtrimit, krimit elektoral, blerjes dhe shitjes së votës. Hasani tha se në çdo vend të Europës po të kishin dalë tmerre dhe regjistrime të tilla origjinale, autentike nga vetë autoritetet ligjzbatuese shqiptare, i gjithë populli do të ishte në këmbë.

Lobimi me SHBA, Arben Ristani paraqitet në Prokurori
Arben Ristani, ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, u paraqit sot në Prokurori për t’u njohur me akuzat e Prokurorisë në lidhje me hetimin e nisur me kontratën e lobimit në SHBA me firmën ‘Muzin Capitol Partners’. Prokuroria ka thirrur si të pandehur edhe kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe Iliri Dervishin ekonomistin e kësaj partie, por ato kanë refuzuar paraqitjen.
Firma amerikane ka deklaruar se është paguar 500 mijë euro nga PD, të cilat janë të padeklaruara në KQZ nga kjo forcë politike dhe kjo u bë shkak i hetimit nga prokuroria.

Lleshaj: Nuk kam asnjë informacion që Basha është kërcënuar
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se nuk ka dijeni që kryetari i PD-së të jetë kërcënuar. Reagimi i tij vjen një ditë pasi Partia Demokratike e cilësoi shantazh faktin që sipas saj, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një takim me truprojën e kryedemokratit Basha, ka bërë me dije se siguria e këtij të të fundit është në rrezik. Takimet me truprojat e Gardës që ruajnë Bashën, ministri i quan pjesë të punës së tij të përditshme.
Një ditë më parë, në shkresën që i drejtuan ministrit të Brendshëm e që mbante firmën e sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazmend Bardhi, demokratët i referoheshin një takimi të ministrit Lleshaj me një prej punonjësve të Gardës së Republikës, truprojë e Lulzim Bashës, mbi rrezikun që i kanoset sipas Ministrisë së Brendshme, kreut të opozitës.

Shkodër, sërish përplasje në KZAZ. Ademi: Policia në shërbim të Ramës
Edhe sot ka pasur përplasje në KZAZ nr. 2 në Shkodër mes Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake.
Të mbështetur nga Policia e Shtetit, sot në mëngjes, persona të paidentifikuar kanë tentuar të shpërthejnë derën e Pallatit të Sportit në Shkodër, por nuk ia kanë dalë, pas ndërhyrjes së policisë bashkiake.
Përplasja nisi që dje pas kërkesës që Bashkia e Shkodrës i bëri policisë për ta mbështetur në zbatimin e dekretit të presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Lidhur me këtë, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës u shpreh se policia është në shërbim të shtetit kriminal të Ramës. Ademi ndër të tjera tha se Edi Rama nuk do t’ia dalë të nënshtrojë Shkodrën dhe të asgjësojë vullnetin e shkodranëve për të votuar si qytetarë europianë në zgjedhje të lira e të ndershme!

Tension në Tropojë, thyhet KZAZ 9, hidhen në rrugë materialet zgjedhore
Pas Shkodrës, edhe në Tropojë nuk duan të vijojë puna për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Persona të paidentifikuar kanë hyrë sot në mëngjes në ambientet e KZAZ nr. 9 në Pallatin e Kulturës në Bajram Curri, duke hequr që aty materialet zgjedhore. Personat në fjalë mësohet të jenë përplasur edhe me policinë.
Ky veprim i tyre ka ardhur, pasi Bashkia e Bajram Currit u ka kërkuar drejtuesve të KZAZ nr. 9 të dorëzonin deri sot në orën 10:00 të gjitha materialet zgjedhore në Bashki, duke vënë në zbatim dekretin e presidentit Meta për mosmbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor.

Zjarr në pallatin 12-katësh në Elbasan, evakuohet vajza 7-vjeçare
Një apartament është përfshirë nga flakët në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur në mesditë në një pallat 12-katësh. Zjarri ka shkaktuar panik te banorët dhe mësohet se flakët janë shtrirë në 4 apartamente. Një helikopter i kërkim shpëtimit i Forcës Ajrore, me një grup të Forcave Speciale në bord mori pjesë në operacionin për evakuimin e një fëmije të moshës, 7-vjeçare të izoluar në katin e 10-të të pallatit, për shkak të zjarrit të rënë në banesën e saj.
Falë bashkëpunimit me Shërbimin Zjarrfikës të qytetit të Elbasanit, vajza u evakuua dhe pa pësuar lëndime. Nuk dihen ende arsyet e rënies së zjarrit.

Studimi: Rrjetet sociale tregojnë gjendjen tuaj shëndetësore
Një studim i fundit ka treguar se rrjetet tuaja sociale mund të tregojnë nëse ju vuani nga ndonjë sëmundje. Ekspertët kanë qenë në gjendje të parashikojnë deri në 21 lloje gjendjesh shëndetësore që nga shtatzënia e deri tek sëmundjet e lëkurës, vetë me anë të analizimit të profileve të njerëzve. Në studimin që do të publikohet në revistën mjekësore “PLOS One”, ata shqyrtuan rreth 949,530 statuse në Facebook të 999 njerëzve, postimet e të cilëve ishin më të gjata se 500 fjalë.

Rikthimi i mrekullueshëm i “Spice Girls”
Vajzat e “Spice Girls” gjatë këtij muaji kanë vendosur t’u bëjnë një surprizë fansave të tyre. Ato janë ngjitur në skenat më të mëdha botërore, për të performuar edhe një herë së bashku. Në performancën e tyre mungonte Victoria Beckham, e cila ka deklaruar se do t’i përkushtohej markës së saj të modës, ndërkohë që i ka mbështetur vajzat në koncertet e tyre. Një risi e grupit ishte dhe bashkëpunimi me DJ Diple, i cili përpunoi një këngë që vajzat kanë kënduar vite më parë, duke e risjellë më të përshtatur për gjeneratat e reja.

“Malore e fortë” për Partizanin, ndaj kampionëve të Azerbajxhanit në Champions
Nuk ishte një short me fat për Partizanin, që do të ndeshen me Karabagun, ekipin kampion të Azerbajxhanit. Një kundërshtar shumë i fortë, me një buxhet shumëfish më të lartë se kampionët e rinj të Shqipërisë. Partizani bënte pjesë në short në Grupin 2, por në vazon e jo favoritëve. Deri sezonin e kaluar me kampionët e Azerbajxhanit ka luajtur edhe ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli, i cili tani është transferuar në Amerikë. Me Karabagun është aktivizuar më parë edhe mbrojtësi shkodran, Admir Teli. Të dy këta lojtarë do të ndihmojnë Partizanin, duke i dhënë më shumë informacion për kundërshtarin në turin e parë eliminator në Ligën e Kampionëve. Azerët kanë bërë histori vitet e fundit, duke shkruar deri në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Përveç forcës së kundërshtarit, Partizanit i duhet të përballojë edhe udhëtimin e gjatë deri në Azerbajxhan. Ndeshja e parë luhet në Shqipëri, më 9 ose 10 korrik.

Ndalohet Mishel Platini, akuzohet se i dha Katarit Botërorin 2022
Ish-presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, është ndaluar dje nga policia në Paris, pasi akuzohet për korrupsion. Ai dyshohet se ka ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e Katarit si vendi organizator i Botërorit 2022. Vendimi për arrestimin e ish-presidentit është marrë në kuadrin e hetimeve që po kryen për Kupën e Botës “Katar 2022”. Sipas “Mediapart”, Platini është shoqëruar në zyrën antikorrupsion të policisë gjyqësore. Hetimet lidhen me periudhën 2007-2015, kur Platini ka qenë në krye të UEFA-s. Që në momentin kur Katari fitoi të drejtën për të organizuar Kupën e Botës në vitin 2022, ka pasur dyshime se vendimi ka qenë i ndikuar nga faktorë të tjerë. Vendimin përfundimtar e mori Blater, president i FIFA-s në atë kohë, por ishte një vendim që u pasua nga denoncime të ndryshme. Platini u përfshi indirekt në atë skandal, me akuzën se ishte paguar në mënyrë të jashtëligjshme nga Blater me shumën e 2 milionë frangave zvicerane. Për këtë arsye, Platini u dënua me 8 vite jashtë aktiviteteve futbollistike, që më pas u reduktuan në 4.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë