Rezoluta e PS kundër Metës, si një “kamerdare shpëtimi” për KQZ
Përmbajtja e projektrezolutës që socialistët do të diskutojnë këtë të enjte në seancë parlamentare kundër dekretit të Presidentit Ilir Meta që anulon 30 qershorin si datë zgjedhjesh, në thelb më shumë duket si një “kamerdare shpëtimi” për administratën zgjedhore që të shpërfillë vendimin e kreut të shtetit dhe të vazhdojë përpara me përgatitjen e procesit të votimit, sesa një akt kundër Presidencës. Me këtë logjikë, projektrezoluta i kërkon administratës zgjedhore që të garantojë dhe mbrojë procesin zgjedhor nga çdo ndërhyrje e jashtme, qoftë fizike, qoftë juridike duke e garantuar atë se refuzimi i dekretit të Presidentit Meta nuk do të ketë asnjë pasojë penale për të. Projektrezoluta u bën thirrje organeve të tjera publike që ta konsiderojnë nul këtë vendim dhe i referohet Kushtetutës, ku i kujton Presidentit se Shqipëria është Republikë Parlamentare.
Shkarkimi i Metës, të enjten 5 orë mocion-debati në Kuvend
Një ditë pasi presidenti Meta anuloi zgjedhjet e 30 qershorit dhe PS ndërmori nismën për shkarkimin e presidentit, kryeparlamentari Ruçi ka mbledhur sot Konferencën e Kryetarëve.
Në mbledhje është vendosur se në seancën e së enjtes do të ketë 5 orë debat për dekretin e Presidentit që anuloi zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Vendimi është marrë me dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës së re parlamentare. Dekreti i Presidentit do të jetë pika e parë e rendit të ditës dhe koha do të ndahet në mënyrë proporcionale.
Dje, vetëm një orë pasi presidenti Ilir Meta firmosi dekretin për anulimin e zgjedhjeve, PS vendosi në mbledhjen e Kryesisë se do të nisë menjëherë procedurat për shkarkimin e tij. Ka qenë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla që ka depozituar kërkesën për mocion me debat.
Anulimi i zgjedhjeve, LSI: Meta po mbron unitetin e kombit
Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon kreun e qeverisë, Edi Rama se po kërkon të zhdukë pluralizmin politik në Shqipëri. Lidhur me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit nga ana e presidentit, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së tha sot në përputhje të plotë me Kushtetutën, presidenti ka mbrojtur dy kolonat e republikës parlamentare.
“Presidenti i Republikës ka kryer me këtë dekret një veprim kushtetues, i cili ka mbrojtur dy kolonat e republikës tonë parlamentare, ka mbrojtur pluralizmin politik dhe u garanton qytetarëve mundësinë që të zgjedhin dhe të zgjidhin, ka mbrojtur unitetin e kombit nga një rrezik ekstrem konflikti civil dhe social të pashembullt. Rilindja e interesuar të përvijojë puçin kushtetues të rrëmbimit kriminal të pushteteve”, u shpreh Vasili.
Në këtë situatë të nxehtë politike, Vasili deklaroi se opozita është më e palëkundur dhe më e fortë se kurrë për të vazhduar kauzën e saj.
Ndryshimet në hartën e bashkive, Tabaku: S’shpëtojnë dot nga humbja
Në një kohë që klima politike është shumë e nxehtë pas anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit nga ana e presidentit Ilir Meta, ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku hedh akuza të forta për qeverinë.
Ajo e cilëson antikushtetues vendimin e ripërcaktimit të kufijve të bashkive firmosur nga zv/kryeministri Erjon Braçe në fund të majit 2019. Tabaku thotë se nuk ka ndryshim harte që i shpëton nga humbja!
Sipas saj, VKM për ndryshimin e hartës është antikushtetuese, pasi në të vërtetë është një reformë elektorale.
Tabaku thekson faktin se sipas saj, qeveria pretendoi se Reforma Territoriale do të prodhonte bashki më eficente, por në fakt është e kundërta pasi shqiptarët jetojnë më keq.
13 vende anëtare duan hapjen e negociatave me Shqipërinë
Trembëdhjetë vende të BE-së, shumica anëtarë të rinj nga Europa Qendrore dhe Lindore së bashku me Italinë dhe Austrinë, po hartojnë një draft duke kërkuar hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Vendet që kanë nënshkruar draftin e hartuar nga Polonia janë Estonia, Lituania, Letonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria, Italia, Austria, Kroacia, Sllovenia dhe Malta. Ky draft do të paraqitet në takimin e ambasadorëve të BE-së në Bruksel të mërkurën.
“Ideja është të bëjmë sadopak presion për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha për “Euractiv” një diplomat i shquar europian. “Të themi se kemi nevojë për reformin e BE dhe më pas zgjerimin është hipokrizi dhe e gabuar. Nëse të dyja proceset nuk ecin krah për krahu së bashku, BE së shpejti do të përballet sërish me Ballkanin Perëndimor, por fatkeqësisht në një mënyrë të dhimbshme për të dyja palët”, tha diplomati.
Komisioni Europian ka rekomanduar zyrtarisht hapjen e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën, por vendimi duhet të konfirmohet nga të gjitha vendet anëtare në Këshill, ku Franca dhe Holanda udhëheqin opozitën.
Ekspertët thonë se ky i hap vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore pritet të shtojë presionin ndaj Parlamentit të ri Europian por edhe vendeve skeptike.
Bill Clinton mbërrin në Prishtinë për 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës
Ish-presidenti amerikan Bill Clinton është rikthyer për herë të dyrë në Kosovë për të marrë pjesë në 2-vjetorin e Çlirimit dhe hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.
Ish-kreu demokrat është pritur në aeroportin “Adem Jashari” nga ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
Miku më i madh i shqiptarëve ndodhet në Prishtinë për të festuar përvjetorit të 20-të të çlirimit të Kosovë ku pritet të marrin pjesë personalitete të ndryshme nga e gjithë bota.
Ai do të takohet me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe më pas edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.
Bashkë me të ishte planifikuar të mbërrinte edhe gruaja e tij Hillary, por ish-zonja e Parë duket se ka anuluar vizitën në momentin e fundit.
Në reagimin e saj të parë, Jahjaga shkruan se ishte nder dhe privilegj i madh të mirëpriste ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike”.
Vodhi Famullinë në Durrës, Kisha ia publikon fytyrën dhe çastin e grabitjes
Pak ditë më parë, Kisha Shën Dominiku në Durrës ra pre e grabitjes. Një person i paidentifikuar theu arkën ku besimtarët hidhnin të holla, duke marrë të gjitha paratë që ndodheshin brenda.
Ndërkohë famullia ka publikuar pamjet filmike të kamerave të sigurisë lidhur me autorin e kësaj ngjarjeje.
Ajo shkruan përkrah fotove dhe videove “paratë e vjedhura janë lekë të popullit që përdoren për t’iu ardhur në ndihmë nevojtarëve dhe për punimet në Kishë”, duke bërë thirrje për bashkëpunim për të identifikuar autorin.
“Meshkuj dhe Femra që krijoi Ai”: Dokumenti i Vatikanit që “rregullon” identitetin gjinor
Në dokumentin e fundit që u lëshua nga Vatikani, tregohen mënyrat se si duhet të sfidohen konceptet moderne të identitetit gjinor. Udhëzimi prej 31 faqesh, i publikuar të hënën titullohet “Mashkull dhe Femra që krijoi Ai”.
Problematika kryesore që parashtrohej në këtë dokument është kriza arsimore, gjë e cila do të çojë në destabilizimin e institucioni familjar. Qëllimi i këtij dokumenti është të krijojë një rrugë dialogu mbi çështjen e gjinisë në arsim, duke mbështetur ata që janë angazhuar për edukimin e brezave të rinj, që të trajtojnë metodikisht një ndër çështjet më të debatuara deri më sot, seksualitetin njerëzor.
Zhdukja drastike e bimëve, lajme të këqija për të gjitha llojet
Një studim i fundit ka treguar se pothuajse 600 bime janë zhdukur kohët e fundit. Ekspertët shpjegojnë se numri bazohet në zhdukjet aktuale dhe jo në vlerësime dhe është sa dyfishi i zhdukjes së gjitarëve dhe amfibe së bashku. Gjithashtu, ata shprehen se zhdukja e bimëve po ndodh 500 herë më shpejt nga sa pritej zhdukja e natyrshme e tyre.
Studiuesit thonë se analiza e tyre për të gjitha zhdukjet e dokumentuara të bimëve në botë tregon se çfarë duhet të ndodhë për të ndaluar zhdukjet e ardhshme. Ndër të tjera ata kanë përmendur se diçka pozitive ishte rigjetja përsëri e një bime shumë të veçantë, siç është zambaku i Kilit.
Totenhemi e Arsenali në garë për Strakoshën, duhen 25 milionë euro
Sirenat angleze për Tomas Strakoshën kanë rënë edhe më parë, kur shqiptarin e Lacios e kërkoi Liverpuli, që më pas mori brazilianin Alison nga Roma. Tani këto sirena janë edhe më të forta për 24-vjeçarin kuqezi. “Gazeta dello Sport” shkruan se janë dy skuadrat e mëdha të Londrës, Totenhemi dhe Arsenali, që po interesohen seriozisht për Strakoshën, të cilin e josh jo pak atmosfera e futbollit britanik. Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, bashkë me drejtuesit e tjerë të këtij klubi, nuk e kanë futur emrin e portierit në listën e shitjeve. Përkundrazi, konsiderohet si një nga kolonat kryesore të ekipit të së ardhmes nga trajneri Inzagi, i cili i ka besuar fanellën e titullarit në Serinë A që kur Tomasi ishte ende pjesë e të rinjve të Lacios.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.