Me arsyetimin se nuk ekzistojnë kushtet për të zhvilluar zgjedhje, Ilir Meta anuloi procesin e parashikuar për më 30 qershor. Kjo nuk është hera e parë që dekretet e tij e vendosin në kurs përplasjeje me mazhorancën, por është e para herë që shkakton një paqartësi të gjithanshme, duke shtuar dozën e rrotullimeve në rrethin vicioz ku orbiton prej kohësh politika shqiptare.
Lulzim Basha e përshëndeti vendimin dhe e cilësoi atë fitoren e parë të qëndresës së opozitës dhe kërkoi që betejës t’i shkohet deri në fund. Si mund t’i shkohet në fund kësaj beteje? Për opozitën një është kushti kryesor: dorëheqja e Edi Ramës dhe ngritja e një qeverie tranzitore që do ta çojë vendin në zgjedhje parlamentare të parakohshme.
Edi Rama iu rikthye termave të shahut, me të cilin u luajt në aksin Kryeministri-Presidencë në vjeshtë-dimrin që kaloi. Ai tha se ishte tre hapa para, e radhiti Presidentin në krah të opozitës, se e kishte parashikuar këtë vendim të tij dhe ç’është më e rëndësishmja, se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor.
Por, dekretimi dhe zhdekretimi i datës së zgjedhjeve është një e drejtë ekskluzive e Presidentit të Republikës. Konstitucionalistët bien dakort se ka vetëm një institucion që mund të interpretojë dhe vendosë për këtë vendim të tijin; Gjykata Kushtetuese. Ky institucion sot nuk ekziston, “falë” reformës në drejtësi, asaj reforme që Kryeministri thotë se i trembet opozita sot.
Atëherë si do të dilet nga kjo situatë? Ka disa skenarë që po qarkullojnë, njëri më pesimist se tjetri dhe që të gjithë me kosto për qytetarët. Dekreti, ashtu siç thotë ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume duhet shfrytëzuar nga klasa politike si një mundësi e mirë e dhënë nga ana e Presidentit për të dialoguar dhe arritur një marrëveshje. Nga ajo se çfarë është deklaruar deri më tani, vështirë se do t’ja arrijë qëllimit.
Deri më tani, dekreti ka përforcuar qëndrimet e palëve; e para për të zhvilluar zgjedhje dhe e dyta për t’i ndaluar ato. Opozita e bazon gjithë kauzën e vet tek përgjimet, që sipas saj, tregojnë se Edi Rama në bashkëpunim me krimin bleu zgjedhjet e 2017. Këto përgjime janë të mjaftueshme për opozitën që zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën Kryeministër nuk mund të ketë.
Por, zgjedhjet e 2017, ashtu si edhe gjithë zgjedhjet e tjera në Shqipëri patën një arbitër ndërkombëtar. OSBE/ODIHR nuk është se nuk gjeti parregullsi në proces, por thotë se parrëgullsitë nuk ndikuan në rezultatin final dhe në raportin e vet e certifikoi si legjitim atë proces, produkt i marrëveshjes së 17 majit.
Ky certifikim i arbitrit ndërkombëtar, por edhe mbështetja e përfaqësive diplomatike dhe partnerëve të tjerë të Shqipërisë përforcon bindjen e mazhorancës se zgjedhjet e 2017 janë një justifikim i opozitës për t’iu shmangur humbjes dhe më keq akoma, frikë e drejtuesve të saj nga reforma në drejtësi dhe ngritja e SPAK-ut.
Në mes të të gjithë kësaj ngrihet pyetja, nëse ligjërisht justifikohet, po realisht a qëndron dekreti i Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve? Proceset zgjedhore në Shqipëri janë zhvilluar në kushte edhe më të vështira. Në 1996, PS braktisi Parlamentin pas atij procesi të kritikuar edhe nga OSBE, një vit më vonë PD hyri në një proces ku nuk arriti që të zhvillojë fushatë në gjysmën e vendit, ndërsa në 2001 u krijua një mazhorancë artificiale falë sistemit të Dushkut.
Në asnjërin prej këtyre rasteve, pala humbëse nuk dogji mandatet dhe për më tepër, Presidentët nuk anuluan mbajtjen e zgjedhjeve për “mungesë kushtesh”, sepse s’mund të thuhet se nga 1996 e deri në 2017 kanë ekzistuar kushte më të mira për zhvillimin e zgjedhjeve.
Vendimi i Presidentit Meta po interpretohet si shmangie e “konfliktit civil”. Që në momentin që PD, LSI dhe aleatët e tyre braktisën Kuvendin, rreziku për një përplasje civile është shumëfishuar. Por, pyetja lind: a hodhi ujë apo benzinë dekreti presidencial mbi zjarrin e politikës shqiptare? Një përgjigje bindëse dhe të qartë, askush s’mund ta thotë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.