Politike

5 skenarët, nga shkarkimi i Metës, tek një marrëveshje Rama-Basha

Presidenti Ilir Meta futi në një territor të panjohur më parë klasën politike shqiptare me vendimin për të shfuqizuar 30 qershorin si datën e zgjedhjeve lokale. Në deklaratën e tij, Meta thotë se në të tilla kushte dhe tensioni politik, është e pamundur që të zhvillohet një proces normal votimi.

Me kushtet aktuale, kreu i shtetit nënkuptonte vendosjen e palëkundur të palëve në llogoret e tyre; shumica e vendosur për të mbajtur zgjedhjet më 30 qershor dhe opozita e vendosur për ta ndalur këtë proces me të gjitha mjetet.

Po pas këtij vendimi të Metës, a do të krijohen kushtet normale për një proces zgjedhor? A është ky dekret hapi i parë drejt zgjidhjes së krizës aktuale, apo i jep kësaj krize një tjetër dimension? Nga gjuha e përdorur nga mazhoranca fill pas deklaratës së Presidencës më shumë gjasa ka që të ketë ndodhur kjo e dyta.

Deklarata e Presidencës e gjeti Edi Ramën duke iu drejtuar qytetarëve të Beratit, ndalesa e radhës e tij në kuadër të fushatës elektorale. Ai nuk vonoi dhe e komentoi këtë vendim.

“Presidenti Meta bëri një tjetër gabim! Zgjedhjet do të mbahen me 30 qershor” tha ai. Vendosmërinë e Ramës e përforcoi më vonë Taulant Balla. Kryetari i grupit parlamentar socialist tha se 30 qershorin nuk e luante as topi, jo më ta lëvizte Ilir Meta.

Meta e lëvizi dhe përballë vendimit të tij, mazhoranca ka pak mekanizma ligjorë për t’iu kundërvënë.

Skenari i parë është që të shpërfillë vendimin e Presidentit dhe të detyrojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të vazhdojë me përgatitjet për zgjedhjet. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, kjo do të thellonte edhe më tej krizën si politikisht, ashtu edhe ligjërisht e institucionalisht.

Skenari i dytë është që mazhoranca të sigurojë votat e nevojshme në Parlament për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta. Edhe ky është një mision i vështirë. Për të siguruar numrin e nevojshëm socialistëve u duhen votat e deputetëve të rinj të opozitës, që sado dolën kundër vendimit për djegien e mandateve, vështirë se do të miratonin një shkarkim të Presidentit.

Skenari i tretë është i përshpejtimit me reformën në drejtësi dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit do të interpretonte më pas dekretin e Ilir Metës. Ky skenar kërkon kohë përtej 30 qershorit dhe për më tepër nuk ofron garanci se vendimi në fund do t’i japë të drejtë qëndrimit të mazhorancës.

Skenari i katërt; palët do të ulen në tryezë dhe të gjejnë një rrugëdalje nga kjo krizë përmes një marrëveshjeje. Marrëveshja do të ndryshonte Kodin Zgjedhor dhe “zgjidhte duart” Presidentit për dekretimin e një date tjetër për zhvillimin e procesit, me gjasa në vjeshtë.

Sa mund të realizohet ky skenar? Lulzim Basha e cilësoi dekretin e Presidentit Ilir Meta një betejë të fituar falë vendosmërisë së protestuesve, por nuk sinjalizoi stepje, përkundrazi. Protesta pati të njëjtin intensitet dhune me protestat pararendëse dhe Basha në fjalimin përmbyllës tha se protestat nuk do të ndaleshin, ndërsa nga mazhoranca po shqyrtojnë mundësitë për të rrëzuar dekretin e Presidentit.

Skenari pestë, akoma më i pamundur, duket ai i dorëheqjes së Kryeministrit Rama duke plotësuar kështu kërkesën e Partisë Demokratike për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme, apo braktisjes së kësaj kërkese nga Lulzim Basha dhe gjetja e një marrëveshjeje me Ramën për të hyrë në zgjedhjet vendore, e për të pritur 2021-in për t’u përballur në zgjedhjet për Parlamentin.

Këto janë disa prej mundësive sesi mund të dilet nga kjo situatë. Zgjidhja mund të mbërrijë edhe si një miklim i dy apo më shumë skenarëve në fjalë, mund të vijë si njëri prej këtyre skenarëve, ose një skenar tjetër që koha do ta provojë. E sigurtë është që ajo do të vijë, por e pasigurtë është se sa kohë, sa energji do të kërkojë dhe mbi të gjitha, me çfarë kostoje për shqiptarët?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë