Nuk ka vendim, Gjermania i shtyn negociatat për në shtator!
Gjermania duket të jetë tërhequr nga vendimi për nisjen e bisedimeve me vendin tonë në qershor.
Parlamenti gjerman nuk arriti të dalë me një vendim për hapjen e negociatave të pranimit duke e lënë qeverinë pa mandat për të miratuar nisjen e bisedimeve këtë muaj.
Duke qenë se deputetët gjermanë do të shkëputen për pushimet e verës, mundësia më e hershme për marrjen e një vendimi do të paraqitet në shtator.
Grupi parlamentar i CDU/CSU deklaroi se nuk kishte kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar raportet e Komisionit Europian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në seancën parlamentare të kësaj jave, e fundit para 20 qershorit.
Ndërkohë, mediat në Berlin raportojnë se qeveria gjermane është armiqësore ndaj integrimit të Shqipërisë dhe se sheh si një zgjidhje kompromisi hapjen e negociatave vetëm më Maqedoninë e Veriut dhe shtyrjen për Shqipërinë.
Cakaj me Hahn: Shqipëria e meriton hapjen e negociatave me BE
Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka zhvilluar një takim me Komisionerin e Zgjerimit, Johannes Hahn në Bruksel. Në një postim në “Twitter”, Cakaj tha se diskutuan mbi përgatitjet për hapjen e bisedimeve. Ndërsa theksoi se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave me BE.
Lidhur me hapjen e negociatave, qeveria holandeze dje gjatë diskutimit në parlament, i dha një shuplakë të fortë Shqipërisë.
Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, është shprehur në Dhomën e Ulët të parlamentit se qeveria holandeze nuk është dakord për hapjen e negociatat me vendin tonë.
Meta në Berlin: Shqiptarët presin të hapen negociatat brenda qershorit
Presidenti Ilir Meta nw takimin e 24-t Ndërkombëtar në Berlin në Mëngjesin e Lutjeve i dha një mesazh të fortë BE-së, duke kërkuar çeljen e negociatave për Shqipërinë. Meta tha se shqiptarët presin hapjen e negociatave këtë muaj.
“Bashkatdhetarët dhe bashkatdhetarët e mia presin që negociatat e pranimit me Bashkimin Europian të hapen sa më shpejt, shpresoj këtë muaj, ashtu siç dua t’ju siguroj se ata mbeten po aq kërkues edhe ndaj qeverisë së tyre që ajo të përmbushë detyrimet e të kryejë punët që i takojnë”, është shprehur presidenti Meta në fjalën e tij.
Meta i ftoi të pranishmit që të bashkohen me lutjet, që Shqipëria të gjejë rrugën për një paqe, stabilitet, begati dhe të ardhme të pakthyeshme europiane të merituar.
(Gjoja)Fushata, kriza politike dhe rikthimi i ‘Romeos dhe Zhuljetës’
Paraditen e kësaj të premteje në një nga lokalet e Njësisë numër 10 në Tiranë, kryeministri Rama zhvilloi njw takim me qytetarët si pjesë e fushatës elektorale.
I shoqëruar nga kryebashkiaku Erjon Veliaj dhe ish-ministri i Brendshwm, Fatmir Xhafaj kryeministri iu rikthye çështjes së përgjimeve, ku akuzoi opozitën se po harxhon shumë energji për t’i nxirë imazhin vendit përmes artikujve, edhe të paguar në mediat ndërkombëtare.
Sa u takon projekteve për zhvillimet vendore, në këtë takim u fol shumë pak dhe pjesën tjetër e zuri diskutimi për aktualitetin politik, por edhe për tërmetet në Korçë, ku Rama propozoi ngritjen e një fondi si Parti Socialiste me paratë që do të shpenzoheshin për postera, që do t’i bashkëngjitet një shume të dhënë nga buxheti i shtetit. Kryeministri premtoi se shtëpitë e banorëve të prekur do të rindërtohen.
Pra, me gjithë përpjekjet e mazhorancës për të zhvilluar një fushatë elektorale normale, kriza politike i dikton asaj fjalimet.
PD konteston listat e zgjedhësve: Për 351 mijë shtetas ka modifikime
Për Partinë Demokratike listat e zgjedhësve janë të pabesueshme dhe janë modifikuar në 10 për qind të totalit të tyre. Akuza ka ardhur nga ish-deputeti i PD-së, Endi Hasa, i cili me anë të një postimi bën të ditur se kjo është faktuar nga raporti i Audituesve të KQZ-së
Mbi 351 mijë qytetarëve iu janë modifikuar të dhënat e banimit dhe për këto ndërhyrje nuk ekzistojnë gjurmët, ndërsa theksohet se janë mbi 100 raste në të gjithë Shqipërinë ku kodet e banimit rezultojnë me mbi 300 banorë.
Për PD ky është një cenim i listës së zgjedhësve dhe akuzon për manipulime ministrin e Brendshëm dhe Drejtorinë e Gjendjes Civile.
Gjinushi “dorëzon” partinë, KQZ miraton një kryetar për PSD-në
Skënder Gjinushi nuk do të jetë më kryetari i Partisë Socialdemokrate. Pas zgjedhjes së tij si kryetar i Akademisë së Shkencave, Gjinushi ka dorëzuar drejtimin e partisë, duke i kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në fletën e votimit të mos figurojë emri i tij. Do të jetë Engjëll Bejtja kryetari i ri PSD-së, që sipas vendimit të KQZ-së është i kooptuar, deri sa forumet e PSD-së të zgjedhin drejtuesin e ri.
Gjinushi u zgjodh me kontestime në krye të Akademisë së Shkencave dhe një ndër arsyet ishte edhe fakti se mbante një post politik.
Kontrabanda në dogana, 4 policë në pranga, 6 të tjerë pezullohen
10 efektivë policie dyshohet se janë përfshirë në skema kontrabande në pikat kufitare të vendit, kryesisht në Qafë Botë, duke futur mallra dhe makina kontrabandë në Shqipëri.
Prokuroria e Tiranës, Drejtoria e Doganave dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave me një deklaratë të përbashkët për mediat kanë dhënë detaje për goditjen e paligjshmërisë në pikat kufitare të vendit, ku janë dokumentuar disa raste kontrabande.
Katër prej efektivëve të policisë janë lënë në burg dhe 6 të tjerë janë pezulluar nga detyra.
Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, tha se punonjësit e policisë janë përfshirë në skemën kriminale, duke shkelur ligjin.
Katër punonjësit e arrestuar për shpërdorim detyre janë: Thanas Gjika, Nazif Lama, Klemend Çani, Shpetim Gaziaj, të gjithë me detyrë kontrollor në Qafë-Botë.
Mat, digjen dy makinat e kryetares së PD-së
Janë djegur gjatë natës dy makina në pronësi të kryetares së PD në Ulëz, Gjelina Kalthi.
Dy makinat në pronësi të kryetares së PD Ulëz, njëkohësisht administratore e kësaj njësie për Bashkinë Mat, Gjelina Kalthi janë shkrumbuar nga flakët pranë banesës së saj.
Ndërkohë ende nuk dihen shkaqet, ndërsa dyshohet që zjarrvënia të jetë e qëllimshme.
Ndërsa, Kalthi mendon se gjithçka ka qenë një skenar politik dhe se ndihet e rrezikuar për jetën.
Partia Demokratike, nga ana e saj, në një njoftim për mediat e cilëson djegien e dy makinave të kryetares së PD-së në Ulëz si një sulm banditesk nga ana e qeverisë, për shkak të faktit që ajo vinte për të protestuar.
OBSH: Sëmundjet seksualisht të transmetueshme, tashmë rezistente ndaj ilaçeve
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar se nëpërmjet njerëzve kudo në botë, përçohen rreth 1 milion infeksione të reja seksualisht të transmetueshme (SST), çdo ditë. Gjithashtu u konstatua se tashmë SST po bëhen gjithnjë e më rezistente ndaj medikamenteve përkatëse. Në varësi të një vlershmi global OBSH raporton se nuk ka asnjë rënie të numrit të rasteve që preken nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme që prej vitit 2012. Të dhënat tregojnë se, 1 në 25 njerëz në rang global kanë përjetuar të paktën një nga këto infeksione, për të mos folur më pas se ka individë që kanë përjetuar, edhe infeksione të shumta në të njëjtën kohë.
FIFA dënon fituesit e Europa League me bllokim merkatoje
Tashmë është zyrtare Çelsi nuk do mund të hyjë në merkato në verën e këtij viti dhe në janarin e vitit 2020. “Blutë” e Londrës u dënuan me bllokim nga FIFA pas një hetimi 2-vjeçar në lidhje me transferimin e futbollistëve të rinj. Periudha e transferimeve në Premier Ligë mbyllet më 8 gusht dhe Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (Cas) tha se është e pamundur të thuhet kur mund të marrë një vendim në lidhje me apelimin që ka bërë Çelsi. Klubi anglez nuk ka kërkuar që ndalimi të hiqet, por të pezullohet ndërsa Cas konsideron vendimin e tij. Çelsi, përveç bllokimin duhet të paguajnë edhe një gjobë simbolike prej 460 mijë paund. Disa medie angleze shkruajnë se ky dënim do të jetë një provë për drejtuesit e Çelsit për të parë se sa të suksesshme janë huazimet që “blutë” kanë bërë në vitet e fundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.