Holanda bën ndarjen: Jo Shqipërisë, por për Maqedoninë dera mbetet e hapur
Qeveria holandeze ka diskutuar ditën e sotme në parlament vendimin e saj në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke i dhënë një shuplakë të fortë Tiranës zyrtare.
Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, është shprehur në Dhomën e Ulët të parlamentit se qeveria holandeze nuk është dakord për hapjen e negociatave me vendin tonw. Shqipëria ende ka një rrugë të gjatë përpara”, tha Blok.
Megjithatë, ai tha se vendi i tij do ta linte derën të hapur për Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se Shkupi kishte bërë një sërë përparimesh.
Sipas ministrit të Jashtëm holandez, asnjë vendim nuk mund të merret në BE nëse edhe një shtet del kundër zgjerimit.
Përgjimet, ekspertët: Urdhri i prokurorisë i paligjshëm dhe i pazbatueshëm
Ekspertë dhe juristë janë radhitur në krah të medias përballë urdhrit të Prokurorisë që ndalon publikimin e materialeve nga dosja “339”. Ata thonë se përveç se shkeljes së konventave ndërkombëtare, vendimeve të Gjykatës së Strasburgut dhe Kushtetutës së Shqipërisë në nenet për lirinë e shprehjes dhe të medias, një vendim i tillë kërkon edhe marrjen e një autorizimi nga ana gjykatës. Urdhri është i pazbatueshëm, sidomos në rastin e “Bild”. “Në këtë rast, mediat shqiptare vetë nuk po zbulojnë asnjë sekret, por thjesht po përkthejnë në shqip sekretet e zbuluara nga “Bild”. Çështja është nëse urdhri i prokurorisë i ndalon edhe “Bild” publikimin e materialeve nga kjo dosje, apo jo?”, thotë një burim për Gazeta Si. Përgjigjen për këtë pyetje e ka dhënë ish-anëtari shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledi Bianku në një koment të tijin. Ai deklaron se një vendim që ndalon publikimin nga mediat në shkallë europiane e jep vetëm Gjykata Europiane e Drejtësisë. Kjo gjykatë, vijon Bianku, ka marrë dhjetë ditë më parë një vendim që sanksionon se organi që kërkon këtë masë duhet të jetë i pavarur nga qeveria, jo vetëm ligjërisht, por edhe praktikisht. Ligjërisht, prokuroria shqiptare sot është e pavarur nga qeveria, sa për praktikisht atë duhet ta vendosë kjo gjykatë, në rast se asaj do t’i paraqitet kërkesa nga ana e prokurorisë shqiptare.
Përgjimet e ‘Bild’, deputeti i PS, Ndraxhi: S’kam lidhje me Avdylajt
Deputeti i PS, Ilir Ndraxhi emri i të cilit është përmendur në audiopërgjimet e publikuara nga prestigjiozja gjermane “Bild”, është shprehur se nuk ka asnjë lidhje me Avdylajt, një nga bandat më të rrezikshme dhe më ndikim në zonën e Shijakut dhe të Durrësit.
Deputeti Ndraxhi thotë se Avdylajt nuk kanë bërë fushatë për të dhe nuk i ka takuar ndonjëherë.
“Pasi mora vesh për përgjimet, mora në telefon vëllain dhe e pyeta nëse ka ndonjë gjë të vërtetë, por ma mohoi. Avdylajt nuk kanë bërë fushatë për mua dhe nuk i kam takuar ndonjëherë”, shprehet Ndraxhi.
Në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane ‘Bild’, pretendohet që kreu i bandës, Astrit Avdylaj të ketë ndikuar që Ilir Ndraxhi të bëhet deputet në zgjedhjet parlamentare të 2017-s.
PD: Rama po ikën por mbron Dakon. Lleshaj: Përgjimi nuk prish imazhin e vendit
Politika shqiptar ka vijuar përplasjet me anë të deklaratave një ditë pas publikimit të 6 audiopërgjimeve të gazeta “Bild” mes trafikantëve dhe zyrtarëve lokalë të PS-së. Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj u shpreh se “Kryeministri ilegjitim, i ardhur në pushtet me votat e blera nga krimi, siç konfirmuan edhe përgjimet e fundit të gazetës Bild, jo vetëm nuk po e konsideron dorëheqjen, por është vënë në mbrojtje të Vangjush Dakos, duke arritur deri tek kërcënimi publik i kujtdo që nxjerr sekretin e bashkëpunimit me krimin për blerjen e votave”.
Edhe nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama deklaroi kur pritej largimi i kryeministri ai urdhëroi që eksponentë të mazhorancës të sulmonin për nxjerrje të sekretit hetimor.
Këtyre zërave iu është kundërvënë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili në një intervistë për Dojçe Vele shprehet se këto përgjime nuk e prishin imazhin e Shqipërisë dhe se çështja është në hetim dhe se duhet të merret me qetësi duke pritur rezultatin e hetimit.
Përgjimet, deputeti Maliqi kërkon shpërndarjen e Parlamentit
Deputeti i opozitës Lefter Maliqi ka kërkuar shpërndarjen e Parlamentit pas publikimit të 6 audiopërgjimeve të gazetës gjermane “Bild” ku përfshihen zyrtarë dhe bashkiakë të Durrësit dhe Shijakut për blerjen e votave. “Parlamenti duhet të shpërndahet. Vendi të kalojë në zgjedhje të parakohshme. Përgjimi i shitblerjeve të votave, ndërhyrja e grupeve kriminale tregon se deputetët, drejtorët, kryetarët e Bashkive etj zgjidhen, vendosen dhe emërohen nga krimi. Çdo institucion ka rënë. Jemi në dorë të krimit, paaftëve, servilëve, oligarkëve. Shkaku është sistemi i kalbur elektoral, korrupsioni dhe krimi i organizuar”, shprehet Maliqi.
Balla në Gjermani: Opozita po hedh baltë për të penguar rrugëtimin europian
Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i cili ndodhet prej tri ditësh në Berlin për të lobuar për çeljen e negociatave akuzon opozitën se është munduar të hedhë baltë edhe në Gjermani për të penguar rrugëtimin europian, akuza të cilat vijnë një ditë pasi gazeta gjermane ‘Bild’ publikoi disa përgjime të reja nga dosja 339.
Në njoftimin për mediat thuhet se Balla i është referuar gazetës Die Welt sipas të cilës prezantohet Shqipëria e vërtetë dhe jo Shqipëria e disa mediave të cilat në mënyrë të qëllimshme mundohen t’i bëjnë dëm imazhit të Shqipërisë.
Deklarata e Ballës vjen një ditë pasi gazeta gjermane ‘Bild’ publikoi disa përgjime të reja nga dosja 339 mes Astrit Avdylit me Vangjush Dakon dhe zyrtarë të tjerë lokalë në Durrës.
Aleatët e Bashës: Të shtyhen zgjedhjet me 6 muaj
Krerët e 5 partive aleate historike të Partisë Demokratike, Fatmir Mediu i PR, Agron Duka i PAA, Nard Ndoka i PDK, Dashamir Shehi i LZHK dhe Vangjel Dule i PBDNJ, zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me qytetarët e bashkisë së Kamzës.
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i kërkoi presidentit Ilir Meta që të shtyhen me 6 muaj zgjedhjet lokale.
“Në qoftë se Presidenti i Republikës ka deklaruar që është i gatshëm, në qoftë se do të ketë mirëkuptim politik, ne sot kuptojmë që nuk ka mirëkuptim nga pushteti i krimit. Prandaj është e rëndësishme që të shtyjmë zgjedhjet për 6 muaj dhe të ndërtojmë një qeverisje tranzitore”, deklaroi Mediu.
Haradinaj: Merkel i tha “po” liberalizimit të vizave
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila duket se ka dhënë “fjalën” për përshpejtimin e procesit të liberalizmit të vizave,
Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj bën të ditur se ai dhe Merkel kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon dhe për marrëdheniet mes Kosovës e Serbisë.
Ashtu si edhe ishte paralajmëruar, Haradinaj shkruan se Merkel i tha “po” liberalizmit të vizave me Kosovën.
“Falënderova kancelaren Merkel për konsistencën e shtetit gjerman sa i përket mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe për vendimin e Gjermanisë për t’i thënë ‘PO’ heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës të cilët, ndonëse i përkasin popullit më proeuropian, gjatë kohë janë mbajtur të izoluar”, thekson kreu i qeverisë së Kosovës.
Haradinaj ka bërë po ashtu të ditur se ndër temat qendrore të takimit me kancelaren gjermane ka qenë edhe marrëveshja e ardhshme Kosovë-Serbi, për të cilët të dy liderët duket se kanë rënë dakord se duhet të arrihet brenda kufijve ekzistues.
Zaev: Gjermanët frikësohen nga kërcënimet e Ramës për bashkim me Kosovën!
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka fajësuar trazirat politike në Shqipëri për shtyrjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe vendin tonë.
Zaev tha nga Brukseli se Holanda dhe Franca kanë më shumë rezerva për nisjen e negociatave me Tiranën se sa për Shkupin.
Kreu i qeverisë se vendit fqinj deklaroi se gjermanët frikësohen nga kërcënimet e palës shqiptare se vendimi mund të ndikojë për jostabilitet në rajon dhe mund të çojë në Bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
“Ata mendojnë se nëse i hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe lihet jashtë Shqipëria, do të krijohet problem dhe mund të ndikojë tek Kosova. Gjermanët frikësohen nga kërcënimet e mikut tim Edi Rama për ndryshime të mundshme të kufijve ose bashkimit me Kosovën, por unë nuk besoj në këto punë, pasi kjo do të thotë kthim prapa për 10 vjet për Shqipërinë. Ndërsa një gjë të tillë nuk e dëshiron askush”, tha mes tw tjerash Zaev.
Duke folur përpara gazetarëve, ai theksoi se shtyrja e negociatave me Maqedoninë e Veriut, mund të çojë në rrëzimin e qeverinë së tij dhe mund të kthejë forcat nacionaliste në pushtet.
Moody’s: Rritja ekonomike e Shqipërisë 3.8%, nuk ndryshon
Rishikimi më i fundit i Agjencisë së vlerësimit të kreditit, Moody`s për indikatorët kryesorë makroekonomikë të Shqipërisë rezulton me një projeksion të pandryshuar të rritjes prej 3,8%.
Raporti i 3 qershorit tregon se edhe në vitin 2020 parashikimi për rritjen ekonomike të vendit mbetet 3,8%.
Vlerësimi për borxhin sovran të vendit mbetet i njëjtë në B1 me perspektivë të qëndrueshme.
Mes indikatorëve kryesorë makroekonomikë të marrë në analizë është ecuria e çmimeve të konsumit dhe vulnerabiliteti i jashtëm.
Raporti i Moody`s thotë se çmimet këtë vit do të rriten me një hap ndjeshëm të ngadaltë se vlerësohej pak muaj më parë.
I njëjtë është parashikimi edhe për vitin e ardhshëm.
Parashikimi për këtë vit ishte që inflacioni të ishte në 2.9%, por me rishikimin e fundit parashikohet në 2.2%, ende poshtë objektivit të Bankës Qendrore, 3%.
Milani s’heq dorë nga Tare, Maldini e sheh si shpëtimtarin e klubit
Milani nuk heq dorë nga Igli Tare. “Sportmediaset” i ka kushtuar vëmendje të veçantë zhvillimeve të fundit në klubin kuqezi, duke pasur në qendër të vëmendjes pikërisht drejtorin sportiv të Lacios, Igli Tare. Në shkrimin e saj “Sportmediaset” rendit një sërë argumentesh pse Igli Tare shihet si shpëtimtari i Milanit. Duhet parë, nëse presidenti më aktiv dhe me më shumë influencë në futbollin italian do ta lejojë të largohet faktorin kryesor të llogarisë bankare të Lacios, Igli Taren. Drejtori sportiv është çështja më e rëndësishme për t’u zgjidhur nga Milani, më e rëndësishme se ajo e trajnerit, sepse klubi e ka urgjente rregullimin e bilanceve, për të pasur më pas një buxhet, me të cilin mund të veprojë për ekipin e ri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.