Podcast

Audio-Lajme 31 maj 2019

Holanda dorëzon kërkesën në Bruksel: Pezulloni vizat për shqiptarët
Holanda ka dorëzuar sot zyrtarisht në Komisionin Europian kërkesën për rikthimin e vizave për shqiptarët, nën argumentin e rritjes së emigracionit dhe kriminalitetit nga vendi ynë.
Në letrën drejtuar Komisionerit për Emigrimin dhe Punët e Jashtme, Dimitris Avramopulos, Holanda kërkoi me shkrim që Komisioni Europian të konsiderojë pezullimin e vizave për shqiptarët.
“Gjatë viteve të fundit, çështjet që kanë të bëjnë shtetasit shqiptarë kanë marrë shumë vëmendje në Holandë. Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në krimin e organizuar në qytete të tilla si Amsterdami dhe Roterdami dhe rajone të tjera në vendin tonë”, e nis Holanda kërkesën e saj. “Numri i aplikimeve për azil nga shtetas shqiptarë është gjithashtu i lartë. Këto rrethana po minojnë mbështetjen e publikut në Holandë për liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë”, thekson kërkesa.
Kërkesa ka mbërritur në duart e Komisionit Europian vetëm dy ditë pas rekomandoi hapjen e negociatave me vendin tonë.

Shefi i NATO-s në Tiranë në ditën e protestës
Pikërisht në ditën kur opozita pasditen e së dielës ka parashikuar protestën e shtatë kombëtare, më 2 qershor Tiranën do ta vizitojë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Vizita duket e pa programuar, pasi nuk është njoftuar në faqen zyrtare të Aleancës, por bëhet e ditur vetëm se Stoltenberg do të vizitojë vetëm për dy ditë Maqedoninë e Veriut.
Mësohet se shefi i NATO-s do të zhvillojë takim “kokë me kokë” me kryeministrin Rama , duke dhënë një konferencë për mediat. Stoltenberg do të takohet edhe me presidentin Ilir Meta. Në fokusin e diskutimeve mes tyre pritet të jetë edhe situata politike.

Kriza, Gutting i CDU: Molotovi jo zgjidhje, kujdes me datën e zgjedhjeve
Deputeti i Partisë Kristiandemokrate gjermane, Olav Gutting me anë të një deklarate për median ka kërkuar dialog mes mazhorancës dhe opozitës shqiptare për zgjidhjen e krizës politike.
“Mund të themi se bojkoti i Parlamentit dhe hedhja e molotovëve nuk është një opsion. Kjo është e gabuar dhe nuk përputhet me parimet tona. Mosmarrëveshjet politike duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe debateve parlamentare, jo duket luftuar nëpër rrugë”, tha ia në deklaratën e tij.
Duke qenë pro arritjeve të Shqipërisë, Gutting thekson se palët duhet të bëjnë kujdes sa i përket çështjes së datës së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Kisha, apel për politikën: Po ecim drejt vetëvrasjes së kombit, dialogoni
Kisha katolike shpall të premten e 7 qershorit ditë agjërimi dhe lutje për një zgjidhje paqësore për vendin tonë. Arqipeshkvi Metropolit Tiranë - Durrës Imzot George Frendo urdhëroi gjithë famullitarëve që atë ditë të organizojnë në kishat famullitare një adhurim për paqen, për të cilën t’i nxisin besimtarët të jenë të pranishëm.
Në mesazhin e tij, imzot Frendo theksoi se po ecet drejt vetëvrasjes së kombit dhe thirrjet për paqe dhe dialog kanë mbetur si një zë në shkretëtirë. “I kemi bërë apel politikanëve tanë që të gjejnë rrugën e duhur për zgjidhjen e kësaj krize, duke pasur parasysh të mirën e përbashkët më shumë se sa të mirën e partisë ose vetjake, dhe duke ndjekur rrugën e dialogut”, theksoi kleriku.

Vrasja e ish-policit Arben Bilali, arrestohet Gjergj Cukali, i “forti” i Myslym Shyrit
Policia ka zbardhur vrasjen e ish-policit Arben Bilali, që u ekzekutua me armë zjarri në zonën e Selitës në Tiranë, më 30 janar të këtij viti. Policia ka arrestuar si të dyshuar për vrasjen e tij shtetasin Gjergj Cukali, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Ai është fundosur nga ADN e gjetur në automjetin e përdorur për vrasjen e ish-policit Arben Bilali.
Gjergj Cukali nuk është emër i panjohur për policinë e kryeqytetit, pasi rezulton i dënuar më parë për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Rrëmbim personi”.

9 muaj burg ish-gjyqtarit Admir Thanza, por dënimi konvertohet në shërbim prove
Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor ish-gjyqtarin Admir Thanza, duke e dënuar me 9 muaj burg, pasi akuzohej për falsifikim të formularëve të dekriminalizimit.
Dënimi u konvertua në shërbim prove për 18 muaj, ndërsa gjatë seancës gjyqtari Admir Thanza ka kërkuar pafajësi. Më herët, prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 1.6 vite burg.
Para trupit gjykues, ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë ka deklaruar se është i pafajshëm dhe nuk ka fshehur asnjë dënim ndaj tij.
Thanza gjykohet për zbulimin e ONM-së, në të cilin rezulton i dënuar nga Gjykata italiane me 40 ditë burgim për vjedhjen e një supermarketi.

Rriten lejet e ndërtimit, kërkesa për blerje bie drastikisht nga pasiguria politike
Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna për tremujorin e parë të vitit është rritur me 10,9 % krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas INSTAT. Ose e përkthyer në numër, në tremujorin e parë 2019, janë miratuar gjithsej 245 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 221 leje të miratuara në tremujorin e parë 2018.
Por, kërkesa për blerje ka rënë në masën 50% sipas agjencive imobiliare. Dritan Leka i Century 21 e shpjegon këtë fenomen me pasigurinë e konsumatorëve ndaj gjendjes së nderë politike në vend.
Ai e krahason tregun imobiliar me të njëjtën periudhë të 2017-ës, që ishte vit elektoral.

Kosova dëbon rusin e UNMIK-ut, pengoi operacionin në veri
Qeveria e Prishtinës ka shpallur person “non grata” shtetasin rus, pjesë e stafit të misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i cili u arrestua nga policia gjatë aksionit në Veri të Mitrovicës.
Mikhail Krasnoshchenkov u arrestua pranë komunës me shumicë serbe të Zubin Potokut. Policia e Kosovës tha se shtetasi rus kishte penguar operacionin e forcave speciale të Policisë, gjatë së cilit kishte paraqitur edhe dokumentacionin si pjesë e misionit UNMIK.
Vendimin për shpalljen e tij “non grata” e njoftoi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Muhamet Liko, dëshmia e një talenti të madh të humorit
Mbante titullin e Mjeshtrit të madh. Muhamet Liko, ishte një ndër humoristët më të talentuar të estradës shqiptare. Për rreth 41 vite, Liko nuk ishte thjesht një figurë e ekranit, por një njeri tepër i dashur për publikun. Duke mos mundur të fitonte betejën për jetën këtë të enjte, për shkak të sëmundjes së zemrës që e përndiqte prej kohësh, ai sot nuk gjendet në skenën e teatrit “Petro Marko”, në Vlorë. Ishte pikërisht ky vendi ku nisi gjithë karriera e tij. Që prej vitit 1978, me daljen e parë në skenë, Meti, ashtu si e quanin të gjithë, i shtoi skenës një tjetër talent që do të mbahet mend nga shqiptarët ndër vite. Përpara dy ditësh së bashku me parodistët Afrim Agalliu e Agron Hamo, ai u shfaq në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë, ku përgëzoi edhe parodistët e rinj të estradës së Vlorës, e më pas u nis për në Itali për të kryer një ndër kontrollet periodike, për sëmundjen e tij, por fatkeqësisht kjo do të ishte edhe hera e fundit për të që do të ngjitej në skenë.

Vijon magjia e Harry Potter, botohen edhe katër seri të reja
Pas tetë vitesh nga botimi i fundit i serive të librit Harry Potter, autorja JK Rowling ka deklaruar se do të lançojë katër seri të reja të librit, gjatë muajit të ardhshëm, duke u ofruar lexuesve mundësi për t’u “zhytur” më thellë në historitë e magjisë.
Shtëpia botuese online Rowling’s Pottermore do të publikojë botimet, të cilat do t’i përkushtohen të gjitha mësimeve në shkollën Hogwarts. Secili do të ketë një temë të veçantë rreth këtyre mësimeve, njëjtë si botimet paraardhëse.

Roshi dhe Abrashi: Me Islandën, ndeshje vendimtare
Roshi dhe Abrashi ishin dy lojtarët e radhës të Kombëtares që dolën në konferencë shtypi. Të mesfushorët, që kthehen pas dëmtimeve të gjata, kanë shmangur krahasimet mes trajnerëve dhe kanë evidentuar faktin se ndeshja me Islandën ka rëndësi shumë të madhe, pasi është një sfidë direkt në grup. “Panuçi? Të gjithë lojtarët kemi respekt për trajnerin, jemi profesionistë dhe respektojmë çdo trajner që punon me ne. Reja është një njeri shumë i komunikueshëm, e njohim të gjithë për përvojat që ka pasur më parë në karrierë. Nuk duhet të merremi me të kaluarën, por me lojtarët që janë grumbulluar. Po e provojmë skemën e trajnerit të ri, sipas së cilës duhet të punojmë mirë në të dyja fazat e lojës. Më mirë t’ia lëmë fushës, por mund të fitojmë”, tha Roshi.
Kurse Amir Abrashi u shpreh: “Duhet të marrim rezultat pozitiv me Islandën, sepse e dimë çfarë rëndësia ka kjo ndeshje për ne. Nuk i krahasoj trajnerët, secili ka filozofinë e vet dhe rezultatet tregojnë gjithçka. Me rëndësi është që ekipi të jetë i bashkuar, edhe ai që nuk luan nuk duhet të bëhet nervoz, por të jetë me zemër me ekipin. Me zemër duhet të luftojmë për Kombëtaren”.

Interi zyrtarizon Antonio Konten
Antonio Konte është zyrtarisht trajneri i ri i Interit. Trajneri 49-vjeçar është prezantuar nga klubi zikaltër me anë të një videoje, ku Konte shfaqet duke shkuar në zyrat e Interit për t’u takuar me presidentin Steven Zhang. “Më në fund fillon. Motive kam shumë. Ka kaq shumë sfida përpara në një klub, ku tifozët e tij do të pyesin veten: ”Pse mua? “Sepse kemi të njëjtën ambicie, kurajë, uri dhe vendosmëri. Tani është radha ime”, thotë Konte në videon e prezantimit. Konte zë vendin e Luçiano Spaletit, I shkarkuar nga Interi ditën e enjte. Me Konten në stol fillon një epokë krejt ndryshe, titulli kampion dhe përfaqësimi sa më i denjë në Champions League kthehen në detyrime për ekipin zikaltër tashmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë