Kriza politike s’pengon raportin: Të hapen negociatat. Opozita t’u rikthehet institucioneve
Komisioni Europian rekomandoi sërish hapjen pa kushte të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Në raportin e publikuar këtë të mërkurë pasqyrohet kriza politike, por në vlerësimin e Komisionit ajo nuk cenon progresin e bërë. “Puna e Parlamentit u dobësua nga bojkotet e tejzgjatura të partive opozitare, të cilat së fundmi hoqën dorë në bllok nga mandatet e tyre parlamentare. Më shumë se gjysma e këtyre mandateve janë zëvendësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kuorumi për funksionimin e plotë të Kuvendit është ruajtur. Partitë kryesore të opozitës vendosën që të mos regjistrohen për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 30 qershor. Aksioni opozitar ka ndikuar negativisht në përpjekjet për një reformë zgjedhore konsensale, pavarësisht thirrjeve të mazhorancës. Opozita duhet të punojë konstruktivisht brenda institucioneve demokratike”, thotë raporti në pjesën e vlerësimit të kriterit politik. Raporti vlerëson reformën në drejtësi dhe atë në administratë, por thekson nevojën e thellimit të tyre dhe përshkallëzimin e luftës kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar.
KE pro negociatave, Rama: Konfirmim që Shqipëria bëri detyrat
Pasi Komisioni Europian rekomandoi edhe njëherë hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë vjen edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.
Kreu i qeverisë shprehet në rrjetet sociale se hapja e dritës jeshile nga Komisioni Europian konfirmon edhe njëherë se Shqipëria i ka përmbushur detyrat e shtëpisë.
“Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Europian për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian, konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces”, shprehet Rama.
Roth: BE të mbajë premtimin për Ballkanin, të hapë negociatat
Ministri gjerman i Shtetit, Michael Roth është një prej zërave më të fortë pro hapjes së negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në kabinetin e kancelares Angela Merkel. Në të gjitha daljet e tij publike për këtë temë ai ka mbështetur idenë se hapja e negociatave duhet të ndodhë pa asnjë vonesë dhe se vendet kandidate i kanë plotësuar kushtet e kërkuara nga BE.
Në një analizë të fundit të publikuar për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në ditën që Komisioni Europian jepte rekomandimin pozitiv dhe pa kushte për hapjen e negociatave, Roth i kërkon llogari Bashkimit Europian që të mbajë premtimin e dhënë për Ballkanin, në të kundërt paralajmëron se Brukseli do të humbasë besueshmërinë.
OSBE: Turbulencat politike zgjidhen vetëm me dialog
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka pritur sot Përfaqësuesin Special të OSBE, Ambasadorin Andreas Nothelle, i cili ishte i shoqëruar edhe nga Ambasadori Bernd Borchardt, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat thuhet se në takim u bisedua për sfidat e Shqipërisë, e cila do të marrë Presidencën e OSBE në vitin 2020.
Gjatë takimit nuk është anashkaluar edhe situata politike në Shqipëri. Përfaqësuesi Special i OSBE-së, Nothelle, është shprehur se turbulencat politike në Shqipëri mund të zgjidhen vetëm me dialog dhe në mënyrë paqësore, duke përjashtuar kategorikisht përdorimin e dhunës.
Vettingu, Kolegji shkarkon Rovena Gashi
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin nga detyra të prokurores Rovena Gashi.
“Lihet në fuqi vendimi i KPK për shkarkimin e Rovena Gashit. Vendimi është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, tha gjyqtarja.
KPA mori vendimin pas ankimit të Rovena Gashit lidhur me shkarkimin e saj si prokurore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ish-prokurorja, Rovena Gashi nuk e justifikoi pasurinë.
Dhuna në Komisariat, 6 ish-deputetët: Drejtuesit e policisë të dehur
Gjashtë ish-deputetët e Partisë Demokratike, të cilët janë proceduar penalisht nga Prokuroria e Tiranës për protestën e 16 shkurtit, në një konferencë për mediat kanë sqaruar të vërtetën e përplasjeve mes tyre dhe policëve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Ish-deputetët i kanë përgënjeshtruar akuzat e bëra dhe kanë theksuar se janë dhunuar.
Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj u shpreh se policia i ka penguar në të drejtën e tyre kushtetuese për të marrë informacion.
Alibeaj tha se Drejtori i Policisë së Shtetit ka agresuar kolegun e tij, Gent Strazimirin. Pra, sipas tij, janë vënë përballë agresionit të disa funksionarëve të lartë të policisë të dehur nga alkooli.
Kosova inauguron autostradën më të madhe në Ballkan, mungon Rama
Inaugurimi i Autostradës me të madhe në Ballkani Perëndimor ka bërë bashkë në Prishtinë liderët dhe kabinetet qeveritare të Kosovës, Maqedonisë se Veriut dhe Malit të Zi, por nga qeveria shqiptare nuk kishte asnjë përfaqësues.
Autostrada “Arbën Xhaferi”, e cila lidh Prishtinën dhe Shkupin është konsideruar nga si një kryevepër e infrastrukturës me një impakt të madh për zhvillimin e Kosovës.
Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit ka një gjatësi prej 60 kilometrash, dy tunele dhe urën me të gjate të rajonit.
Por i vetmi që mungonte në këtë ceremoni ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili edhe pse ka marrë një ftesë nga qeveria e Kosovës duket se ka vendosur mos të mos shkojë.
Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri i Maqedonisë së Veriu, Zoran Zaev dhe kryeministri malazez Dushko Markoviç.
Vuçiç: Kosova ka dy zgjidhje, shkëmbimin e territoreve ose autonominë për serbët në Veri!
Presidenti Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se marrëveshja me Kosovës mund të arrihej në dy mënyra: krijimin e një Republike Srpska në Veriu ose shkëmbimi i territoreve.
Sipas tij, normalizimi mund të bëhet vetëm në dy mënyra, ose që Kosova të mbetet shtet i pavarur duke dhënë disa të drejta ose që të pranojë opsionin e dytë për shkëmbimin e kufijve.
Ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë pa kryefjala e kohëve të fundit, duke ngritur shqetësime për zhytjen e rajonit në konflikte të mëtejshme etnike.
Presidenti Thaçi ka refuzuar deri më tani dhënien e një lloj autonomie serbëve që jetojnë brenda territorit të Kosovës, duke thënë se kjo do ta shndërronte Veriun në një rajon të ngjashëm më Republikën Srpska.
Shiu do të na shoqërojë edhe në fillim të verës
Gadishulli i Ballkanit vazhdon të jetë në ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme, me origjinë nga Europa Veriore, të cilat edhe për ditët e ardhshme do të mbajnë mot të paqëndrueshëm në vendin tonë. Muaji do të mbyllet me vranësira dhe reshje shiu.
Por edhe stina e verës do të nisë me vranësira dhe reshje shiu për shkak të masave ajrore me të freskëta të paqëndrueshme. Edhe në javën e parë të muajit qershor moti do të mbetet i paqëndrueshëm. Temperaturat do të luhaten nga 23 gradë në zonat malore, deri në 38 gradë në zonat e ulëta dhe bregdet.
Ismajli dhe Sadiku besojnë te fitorja me Islandën, elozhe për trajnerin Reja
Në ditën e dytë të grumbullimit të kombëtares para medieve kanë dalë edhe mbrojtësi Ardian Ismajli dhe sulmuesi Armando Sadiku. I kthyer në një nga pikat më të forta të kombëtares kuqezi, Ismajli është shprehur shumë i kënaqur për atmosferën që mbizotëron në ekip në këtë grumbullim të parë me Edi Rejan trajner. Sipas mbrojtësit që luan në kampionatin kroat kjo ndeshje e parë me Islandën do të jetë vendimtare në lidhje me fatin e këtyre eliminatoreve për ekipin kuqezi. Ndërsa sulmuesi Sadiku ka theksuar gjatë konferencës se e vlerëson shumë atmosferën që ka krijuar në Kombëtare trajneri i ri, Edi Reja. Sipas futbollistit elbasanas, trajneri italian e bën çdo lojtar të ndihet i rëndësishëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.