Podcast

Audio-Lajme 28 maj 2019

Aksion kundër krimit të organizuar në Mitrovicën e Veriut, plagosen 4 policë
Katër efektivë të Policisë së Kosovës janë plagosur dhe mbi 20 persona janë arrestuar pas një operacionit të autoriteteve në Prishtinës në Mitrovicën e Veriut.
Prokurori Syle Hoxha konfirmoi se mes të arrestuarve është edhe shefi i policisë të komunës së Zubin Potokut.
Mes të arrestuarve, ka edhe zyrtarë doganorë dhe shtetas të tjerë shqiptarë, serbë e boshnjakë të dyshuar për aktivitete kriminale.
Nën pranga ka përfunduar edhe një shtetas rus, pasi është përpjekur të pengojnë operacionin e policisë duke paraqitur një dokumentacion si punonjës i UNMIK-ut.
Udhëheqësit e Kosovës thanë njëri pas tjetrit se përveç goditjes së krimit të organizuar, kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të jashtëligjshme, operacioni i policisë nuk kishte asnjë qëllim tjetër.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë dhe u bëri thirrje vendeve Perëndimore që të “ndalnin Prishtinën”. “Serbia nuk do të qëndrojë duarkryq të vëzhgojë kur Kosova ndërmerr një spastrim etnik”, citohet ai nga mediat serbe.

Thaçi inkurajon Parlamentin e Kosovës dhe Shqipërisë për bashkim kombëtar
Pas deklaratave të papritura nga Hasi, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur sërish për bashkim kombëtar te Kosovës me Shqipërinë. kthyer tanimë në qëllimin e radhës politik.
Nga ceremonia e 20-vjetorit të operacionit “Shigjeta DO-2” presidenti tha se zgjidhja më e mirë për të dyja vendet është që Parlamenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të dalin me deklarata për të jetuar në një shtet të përbashkët dhe pa kufij.
Sipas Thaçit, tanimë po krijohen edhe rrethanat e reja, të cilat sipas tij, ofrojnë bashkimin e e dy vendeve si zgjidhjen më të mirë.
“E ardhmja e jonë e sigurt është në NATO dhe në Bashkimin Europian. Por megjithatë po krijohen edhe rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që të dy parlamentet ai i Kosovës dhe Shqipërisë të nxjerrin deklaratat e nevojshme të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij”, tha Thaçi.

Procedim penal 6 ish-deputetëve të PD, dhunuan policët në drejtorinë e Tiranës
Prokuroria e Tiranës procedon penalisht një grup ish-deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kanë kundërshtuar me dhunë forcat e policisë brenda mjediseve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ngjarja ka ndodhur pas protestës së opozitës më 16 shkurt të këtij viti, kur edhe prokuroria nisi edhe hetimet. Video është bërë publike në rrjetet sociale dhe protagonistë janë ish-deputetët Flamur Noka, Enkelejd Alibeaj, Gent Strazimiri, Klevis Balliu, Xhemal Gjunkshi dhe Anton Frrokaj.
Ata kanë hyrë me dhunë në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe kanë vepruar në mënyrë të dhunshme ndaj efektivëve të policisë. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë thotë se ka kryer hetime duke ngritur akuzë “për veprën penale të Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik, kryer në përdorim të dhunës dhe në bashkëpunim”.

Raporti për Këshillin e Prokurorisë, Kuvendi kundër dy anëtarëve
Komisioni i Monitorimit të Reformës në Drejtësi, strukturë e Kuvendit të Shqipërisë ka kontestuar mënyrën se si është zgjedhur Vatë Stakaj si anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në një raport të posaçëm ky komision rrëzon disa prej procedurave të ndjekura nga Prokurori i Përgjithshëm për zgjedhjen e anëtarit të KLP-së.
Gjithashtu ky komision vlerëson se KLP-ja duhet të kishte ndjekur rastin e anëtarit Bujar Sheshi i cili u akuza nga Autoriteti i Dosjeve se kishte një të kaluar të errët, pasi figuronte si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe nuk duhet të ishte pjesë e këtij organi të lartë të drejtësisë.

Grabitja e Rinasit, nis hetimi pasuror për 6 të arrestuarit
Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin pasuror për të arrestuarit e grabitjes së Rinasit pasditen e 9 prillit.
Pas veprimeve të para hetimore për zbardhjen e ngjarjes tashmë ka nisur verifikimi i pasurive të personave të dyshuar si autorë, për të parë nëse arrijnë t’i justifikojnë ato me mjete të ligjshme ligjore.
Krimet e Rënda kanë nisur hetimin për shtetasin nga Kosova Ragip Hajdini dhe 5 të tjerët, Elton Piklin, Alkond Bengasin, Renaldo Sulaj, Oltjan Veselin dhe Saimir Çelën.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e 9 prillit të 2019-ës, ku 4 persona të maskuar hynë në Aeroportin e Rinasit me një fugon me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” dhe grabitën rreth 6 milionë euro.

Udhëtim në zonën Shengen, MB: Verifikoni pasaportat
Ministria e Brendshme paralajmëron të gjithë shqiptarët që do udhëtojnë në zonën Shengen, për të verifikuar vlefshmërinë e pasaportave të tyre.
Ministria apelon që para se të planifikoni udhëtimin, duhet të verifikoni dokumentin.
“Verifiko vlefshmërinë e dokumentit, para se të planifikosh një udhëtim!”, apelon Ministria e Brendshme.
Ministria bën me dije se në 90 ditët e fundit të vlefshmërisë së pasaportës biometrike nuk mund të udhëtoni në vendet e zonës Shengen.

KQZ merr vendimin mbi 30 bashki me një kandidat në fletën e votimit
Mbi 30 bashki do të ketë vetëm një kandidat për kryetar bashkie më 30 qershor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e miratimit të fletëve të votimit duke caktuar renditjen e kandidatëve për fletën e votimit, por në shumicën e bashkie ka vetëm 1 kandidat. Elbasani, Shkodra, Gjirokastra, Pogradeci, Berati, Fieri dhe Lushja janë disa prej bashkive që nuk ka rivalë në zgjedhje ku kandidojnë vetëm kandidatët Partisë Socialiste.
Ndërsa Tirana, Durrësi, Vlora, Lezha dhe Korça janë disa prej qyteteve që kanë dy ose më shumë kandidatë.

“Mjekë për Shqipërinë”, Rama: Proces transparent
Kryeministri Edi Rama ka lançuar sot portalin “Mjekë për Shqipërinë”, i cili do të shërbejë si një dritare e re për të gjithë ata që përfundojnë studimet në fushën e mjekësisë.
Krahas fushave të ndryshme që nga arsimi, administrata, kryeministri është shprehur se sektori i shëndetësisë dhe kryesisht spitalet rajonale kanë vështirësi në sigurimin e specialistëve, e lidhur me këtë ai shprehet se portali i ri “Mjekë për Shqipërinë” është një shans dhe strategji për të gjitha ata që duan të shërbejnë në spitalet e vendit.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri premtoi edhe rritje të pagave të mjekëve dhe rikonstruktime të qendrave shëndetësore.

Reja shpall listën e Kombëtares për Islandën dhe Moldavinë
Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet eliminatore të Euro 2020 me Islandën dhe Moldavinë, që luhen më 8 dhe 11 qershor. Italiani i ka besuar grupit që ka pasur në dispozicion ish-trajneri De Biazi, me pak ndryshime. Ai ka ftuar në Kombëtare të riun Marash Kumbulla të Veronës, pasi Berat Gjimshiti është dëmtuar dhe duhet të operohet. Janë rikthyer në skuadër Lenjani dhe Cikalleshi, ndërsa nga kampionati ynë bëjnë pjesë në listë vetëm portierët Hoxha dhe Selmani. Trajneri Reja theksoi se do të luajë me dy sulmues të deklaruar në ndeshjet e radhës. Konferenca e shtypit u mbyll me një incident, ku 73-vjeçari u rrëzua në momentin e largimit nga salla.

Skandal bastesh në Spanjë, arrestohet ish-lojtari i Realit
Është zbuluar në Spanjë një bandë kriminale, që trukonte ndeshjet e futbollit në periudhën 2016-2018. Pjesë e kësaj bande ka qenë edhe një ish-lojtar i Real Madrid, Raul Bravo, i cili është shoqëruar nga policia tashmë, por edhe presidenti i Hueskas, Agustin Lasaosa. E përditshmja katalanase, “El Periodico”, bën me dije se policia ka bërë disa arrestime futbollistësh në aktivitet dhe ish-futbollistësh, pasi ata akuzohen për trukimin e ndeshjeve gjatë sezoneve 2016-2017 dhe 2017-2018, për korrupsion dhe riciklim parash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë