Rama i çon letër të katërt Bashës: Harroje dorëheqjen time
Kryeministri Edi Rama i ka drejtuar letrën katërt publike kreut të PD-së, Lulzim Basha duke e ftuar sërish për dialog politik. Letra e publikuar në rrjetet sociale përpara protestës i bën të ditur Bashës se duhet ta harrojë dorëheqjen si kryeministër.
“Bashkë me dorëheqjen time, Ju i dashur Lulzim, duhet të harroni edhe se mund ta nënshtroni shumicën, duke imponuar me dalë mendjen e një pakice në tkurrje, anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit - të cilat nuk i kam caktuar unë po Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nuk i kam në dorë unë, po populli shqiptar”, shkruan Rama në letrën e tij.
Protesta, Meta dhe OSBE: Dhuna, e papranueshme
Në prag të nisjes së protestës së gjashtë kombëtare të opozitës, presidenti Ilir Meta i bëri apel të fortë partive ë organizatore dhe për qytetarët, ku u kërkon që tubimi i tyre të jetë paqësor dhe të mos përdorin akte dhune.
Thirrjes për një tubim paqësor e pa dhunë i është bashkuar edhe OSBE-ja
e cila theksoi se reagimi i tepruar i efektivëve të Policisë së Shtetit nuk mund të pranohet, por dënon me forcë deklaratat për derdhje gjaku pak ditë para protestës kombëtare të opozitës së bashkuar.
Opozita e re mbledh firmat për të ndryshuar zgjedhjet
Të 38 deputetët e opozitës së re kanë firmosur një kërkesë duke detyruar mazhorancën e re që të fusë në shqyrtimin ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri.
Kjo lëvizje shihet si një mundësi edhe për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë. Deputeti Ralf Gjoni në një prononcim për Gazeta Si shprehet se firmat e mbledhur mund të përdoren edhe për ndryshimin e Kushtetutës, në rast se mazhoranca e majtë nuk pranon ta shqyrtojë kërkesën në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore.
Për zgjedhjet e 30 qershorit ka mbi 3,5 milionë votues
Në Shqipëri për zgjedhjet e 30 qershorit do të votojnë mbi 3,5 milionë shqiptarë. Ministria e Brendshme publikoi listën përfundimtare të zgjedhësve ku 51% e votuese janë meshkuj, dhe 49% janë femra. Sipas listës rreth 133 mijë zgjedhës votojnë për herë të parë.
Lista është e publikuar online dhe vetë votuesit mund të kontrollojnë nëse gjenden të regjistruar ose jo.
Në dorë të kujt janë shtëpitë e shqiptarëve debitorë ndaj ish Veneto Bank?
Hipotekat e qindra shqiptarëve kanë dalë jashtë vendit dhe fati i pasurive të tyre të paluajtshme nuk dihet. Bëhet fjalë për garancitë e lëna në formë hipotekore të borxhlinjve të Veneto Bank Shqipëri, e cila u shit në 2017-ën 100% tek Intesa San Paolo.
Këto hipoteka janë aktualisht në zotërim të shoqërisë italiane shtetërore SGA (Shoqëria për Menaxhimin e Aktivitetit) në Itali e cila ka pajtuar për mbledhjen e detyrimeve të debitorëve të ish Veneto Bank shoqërinë Tranzit SHPK në Shqipëri me seli në ishujt Cayman.
Ish-punonjës të Veneto Bank Shqipëri, dhe klientë të saj si depozitues dhe kredimarrës, kanë denoncuar në Prokurori këtë skandal sipas tyre, të transferimit të hipotekave nga Shqipëria jashtë kufijve.
Kreu i opozitës greke kërcënon Shqipërinë me veto
Pas kryeministrit Aleksit Tsipras, edhe kreu i opozitës greke, Kyriakos Mitsotakisk, ka kërcënuar me veto integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Duke folur përpara zgjedhjeve lokale të cilat zhvillohen të dielën në Greqi, kryetari i Demokracisë se Re premtoi se nëse do të fitoj do të vendosë veton për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Deklarata e tij vjen ndërkohë që Shqipëria pret me ankth progres raportin dhe dritën jeshile për negociatat me Bashkimin Europian.
Albright dhe Clinton vizitojnë Prishtinën!
Ish- sekretarja amerikane, Madeleine Albright dhe Hillary Clinton, dy nga zyrtarët më pro-shqiptare në Uashington do të vizitojnë pas dy javësh Prishtinën.
Tre ish-presidentët, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli, Atifete Jahjaha dhe Hashim Thaçi, do të organizojnë më 12 qershor një pritje madhështore për zonjën Albright dhe ish-kandidaten për presidente.
Vizita e dy ish-zyrtareve të larta do të vijë gjatë inaugurimit të një busti të zonjës Albrighti në sheshin, i cili mban tanimë emrin e saj.
Madeleine Korbel Albright i kushtoi mandatin çlirimit të Kosovës gjatë viteve të vështira të luftës dhe për ta shpërblyer shteti i Kosovës e ka nderuar me Medaljen e Artë të Lirisë.
Fillojnë ‘dhimbjet e kokës’ për Rejan, dy mungesa në mbrojtje
Futbollistë të një liste paraprake të vendosur nga trajneri Edi Reja janë grumbulluar prej tre ditësh në Durrës. Mes tyre ka fytyra të reja që veshin fanellën për herë të parë dhe shumë talente nga ekipi U-21. Por ende pa u bërë grupi i plotë, për Rejan kanë filluar “dhimbjet e para të kokës”. Mësohet se për dy ndeshjet e rëndësishme eliminatore me Islandën dhe Moldavinë, Edi Reja nuk do të ketë në dispozicion dy mbrojtësit, Arlind Ajeti dhe Mërgim Mavraj. Njëri për shkak të dëmtimit dhe tjetri për shkak të kartonit të kuq që ka marrë në ndeshjen me Skocinë. Reja tani është i detyruar që të gjejë alternativa të tjera për repartin e mbrojtjes.
Italianët fitojnë turin e Shqipërisë, Sefa humbet fanellën e verdhë
Është mbyllur turi i 76-të çiklistik i Shqipërisë, pas 5 etapave në të gjithë vendin. Etapa finale, Sarandë-Fier është fituar nga çiklisti shqiptar Eugert Zhupa, që rikonfirmohet edhe një herë tjetër si një nga më të mirët për momentin. Në trupin e 76-të çiklistik të Shqipërisë morën pjesë 15 ekipe nga 13 vende të ndryshme të Europës, ku fitues i fanellës së verdhë u shpall italiani Filipo Fioreli. Çiklisti tjetër shqiptar në këtë turne është Ylber Sefa. Ai ishte fituesi i etapës së parë por nuk ia doli të mbrojë fanellën e verdhë të sezonit të shkuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.