Vizat, Danimarka ndjek Holandën. Shkak janë emigrantët shqiptarë
Politikanët danezë në Bashkimin Europian po shqyrtojnë mundësinë e përforcimit të regjimit të lëvizjes së lirë në zonën Shengen, pas përhapjes së disa artikujve që thonë se Danimarka është shndërruar në një vend tranzit për emigrantët e paligjshëm shqiptarë që tentojnë të mbërrijnë në Britaninë e Madhe. Kështu shkruan në versionin e saj anglisht “The Copenhagen Post”, një prej gazetave më të shitura në Danimarkë. E përjavshmja skandinave shton se Gjiri i Esbjergut është pika e nisjes së emigrantëve shqiptarë, të cilët fshihen kryesisht nëpër kamionë transporti mallrash e konteinerë për të hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe. Në tre muajt e fundit, thotë gazeta, janë ndaluar 54 shtetas shqiptarë në përpjekje për të mbërritur në brigjet britanike.
Turi holandez, Ruçi optimist për negociatat: Pozitiv!
Kuvendi i Shqipërisë është duke përfunduar procesin e informimit të parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian mbi progresin e bërë në objektivat e përcaktuara nga Brukseli për hapjen e negociatave. Kryeparlamentari, Gramoz Ruçi njoftoi nga Haga, ku u gjend për një tur lobimi në parlamentin holandez, se në përfundim të këtij procesi, raporti informues do t’u dorëzohet edhe institucioneve të Bashkimit Europian. Turin e takimeve në Holandë, njëra prej vendeve skeptike për hapjen e negociatave, Gramoz Ruçi e vlerësoi si pozitiv. “Me bashkëbiseduesit që ne takuam, gjetëm një mirëkuptim të plotë dhe me objektivitet ata deklaruan që ne po presim të mbarojnë zgjedhjet e Parlamentit Europian”, tha ai.
Meta sulmon Reformën në Drejtësi: S’është sukses, solli krizë
Mungesën prej kohësh të Gjykatës Kushtetuese, presidenti Ilir Meta e përdori si argument për të përcjellë këtë të mërkurë mendimin e tij se Reforma në Drejtësi, në mos ka dështuar, është e pasuksesshme.
Presidenti Meta ka qenë i ashpër edhe me Euralius, (misioni i asistencës së BE-së për reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri). Meta tha se pas ngërçit që u krijua me shortin e KED u kërkoi të gjitha institucioneve që të diskutojnë dhe vendosin, por misioni Euralius kishte refuzuar, sipas kreut të shtetit me argumentin se ‘ishin mision teknik’.
Për krizën politike, presidenti Meta qortoi të dyja palët në fjalën e mbajtur në konferencën me temë “Sfida e Sigurisë”.
Meta ka treguar edhe pse nuk mund të ulë Ramën dhe Bashën në tryezë në këtë gjendje krize.
“Presidenti nuk mund të ulë disa persona që thonë nuk ulem me këtë se është kryeministër, ndërsa tjetri thotë se 30 qershori do të jetë sukses”, tha Meta.
Rama i përgjigjet Metës: Vettingu nxori shejtanin nga djepi i drejtësisë
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj përmes rrjeteve sociale komenteve të presidentit Meta gjatë konferencës “Sfida e sigurisë”.
“A e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese Presidentin e Republikës të mbrojë datën e zgjedhjeve, që sipas Kushtetutës ai e ka dekretuar?”, pyet kryeministrin në postimin e parë të tij. Rama ndan një tjetër mendim nga presidenti. Ai i referohet procesit të vettingut, si shtylla kryesore e reformës në drejtësi, që sipas kryeministrit pastroi edhe Gjykatën Kushtetuese. Për krizën politike, Rama i përgjigjet duke i kërkuar që të shprehet zyrtarisht dhe institucionalisht se ç’qëndrim ka mbi përbetimin e opozitës për të prishur zgjedhjet.
Aleatët e Bashës në Lezhë: Nuk lejojmë zgjedhje më 30 qershor
“Forumi për zgjedhje të lira”, i organizuar nga “Grupimi i Qendrës së Djathtë”, është ndalur në qytetin e Lezhës.
Aleatët e Partisë Demokratike, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, kreu i PDK-së Nard Ndoka, kreu i PR-së Fatmir Mediu, kreu i PBDNJ Vangjel Dule dhe kreu i PAA-së Agron Duka, zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me strukturat dhe mbështetësit e partive që drejtojnë.
“Mbas 30 vitesh tranzicion, ka ardhur koha që njëherë e përgjithmonë zgjedhjet të zhvillohen të lira, të ndershme dhe të barabarta, me një ‘qeveri tranzitore’ pa Edi Ramën kryeministër”, janë shprehur krerët e partive opozitare, të cilët kanë një qëndrim të unifikuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Vettingu, KPK pezullon shortin e dosjeve deri në ngritjen e SPAK
Deri në muajin shtator Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur që të pezullojë procedurën për hedhjen e shorteve për procesin e vettingut të prokurorëve e gjyqtarëve.
KKP ka vendosur të pezullojë shortin e parashikuar për t’u hedhur më 15 maj që parashikon ndarjen e 36 dosjeve për muajt maj, korrik dhe shtator të këtij viti, për shkak të listës prioritare që ka në dispozicion. Procesi i vettingut do të fokusohet te kandidatët për Prokurorinë e Posaçme dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Studentët protestë para Ministrisë së Arsimit. Rama: Premtimet u mbajtën
Pas 5 muajsh, sot janë rikthyer protestat studentore. Siç edhe kishin paralajmëruar një pjesë e studentëve, ata janë grumbulluar para Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve. Qëllimi i kësaj proteste, sipas studentëve, është të kërkojnë llogari për premtimet e qeverisë, të cilat nuk janë përmbushur pas protestave të dhjetorit. Ajo që u vu re, ishte pjesëmarrja e paktë në këtë protestë.
Para Ministrisë janë hedhur tymuese dhe gurë duke thyer disa xhama të ndërtesës së këtij dikasteri. Studentët janë shprehur se nuk janë partiakë dhe se asnjë nga 8 pikat nuk është plotësuar. Ndërkohë, më herët kryeministri Rama ka shpërndarë në faqen e tij zyrtare në “Facebook” një video, e cila tregon sipas tij premtimet e mbajtura në lidhje me “Paktin e Universitetit”.
Një fshat sfidon makinerinë shtetërore
Përplasjen mes banorëve të fshatit Vërri të rrethit të Fierit me institucionet shtetërore për koncesionin e ndërtimit të inceneratorit të djegies së mbeturinave do ta zgjidhë Gjykata Administrative e Tiranës. Nëntë banorë të fshatit, të mbështetur nga ambientalistë dhe nga juristë të nismës së shoqërisë civile “Klinika e Ligjit” akuzuan se leja e ndërtimit për inceneratorin në fjalë është dhënë në shkelje të shumëfishta të ligjeve të vendit. Paralelisht me protestën në kantierin e hapur për ndërtim, banorët dorëzuan edhe në gjykatë padinë. Të kontaktuar nga gazeta “Si”, banorët që kanë marrë pjesë vazhdimisht në protestë shpresojnë se gjykata do të marrë një vendim të drejtë, për anulimin e lejes së ndërtimit.
“Rënia e euros, të shikohet mungesa e monedhës Lek në treg”
Euro këmbehet sot me 122 lekë sipas kursit të këmbimit të disa prej bankave të nivelit të dytë. Euro ka rënë me 0,61 pikë përqindje nga dita e djeshme sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë ku një euro këmbehej me 122,61 lekë.
Ky është një zhvlerësim historik i monedhës së përbashkët europiane. Një vlerë e tillë e monedhës euro nuk shihej që prej vitit 2008.
Eksperti Elvin Meka e shpjegon trendin zhvlerësues të monedhës euro me mungesën e monedhës Lek në treg. Sipas tij, mungesa e monedhës LEK, vjen nga mos-emetimi në treg i bonove të thesarit 3 mujore nga ana e qeverisë shqiptare.
Kosova publikon listën për ndeshjet e qershorit, disa prurje të reja
Në prag të dy ndeshjeve eliminatore për Europianin 2020 në qershor, trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka publikuar listën e futbollistëve të thirrur. Në këtë listë të teknikut zviceran ka disa risi të rëndësishme. Mes tyre, që grumbullohet për herë të parë me ekipin është edhe futbollisti që luan në Premier Ligë me Hudersfilld, Flored Hadërgjonaj. Mesfushori 23-vjeçar e mori pasaportën kosovare disa javë më parë dhe largohet kështu nga përfaqësuesja zvicerane, ku ishte aktivizuar në ekipet e moshave deri në U-21.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.