Rend dhe Ligj

Si u 8-fishua pasuria e Dakos në 3 mandate

Kryetari në largim i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka një pasuri të deklaruar prej 102 milionë lekësh, duke u radhitur mes zyrtarëve më të pasur në Shqipëri. Pasuria e tij bruto në tre mandate qeverisjeje të qytetit bregdetar është tetëfishuar.
Përpara se të bëhej kryebashkiak Dako ka pasur një karrierë të ndarë midis biznesit dhe drejtimit të enteve publike vendore. Pas diplomimit ai ka punuar për një periudhë të shkurtër në ndërmarrjen e shfrytëzimit të ujërave në Durrës dhe më pas si administrator i kompanisë ‘3-D’, e cila ka operuar në sektorin e ndërtimit. Në vitin 2001-2002, Dako është emëruar në krye të policisë ndërtimore për Qarkun Durrës dhe në vitet 2004-2005 ka drejtuar zyrën e Hipotekës, përpara se të zgjidhej kryebashkiak në vitin 2007.

Raporti i prodhuar pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, (ILDKPKI), tregon se:
1- Kryetari i bashkisë Durrës deklaron një pasuri familjare në deklaratën e parë të pasurisë në vitin 2004 – si regjistrues në ZRPP Durrës, prej 12.1 milionë lekë. Ndërkohë në vitin e fundit të deklarimit, deri me 31 dhjetor 2017, pasuria e tij e deklaruar familjare kap një vlerë prej 102 milionë lekë, duke regjistruar një rritje vjetore prej afro 8.2 milionë lekë. Shumica e kësaj pasurie është vënë midis viteve 2004 -2007 si pjesë e një investimi në një pasuri të paluajtshme për ndërtimin e një pallati, në një kohë kur Dako nuk ka qenë zyrtar publik.
2- Pjesa më e madhe e pasurisë së subjektit përbëhet nga pasuri të paluajtshme në vlerë 84.1 milionë lekë, pasuri të luajtshme në vlerë 3.7 milionë lekë, likuiditete në bankë në vlerë 13.4 milionë lekë dhe likuiditete cash me vlerë 986 mijë lekë.
3- Gjatë vitet që ka qenë subjekt deklarimi, subjekti ka pasur të ardhura në vlerën 38.8 milionë lekë, nga të cilat 14.9 milionë lekë vijnë nga paga për shkak të funksionit, 5.6 milionë lekë nga paga e bashkëshortes dhe 9.6 milionë lekë nga shitja e pasurive të paluajtshme.
4- Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 11 vite të deklarimit, vetëm një vit rezultoi me probleme. Subjekti Vangjush Dako në vitin 2014 nuk justifikon shtesën e pasurisë me burimet e deklaruara në shumën 86,202 lekë (në këtë analizë nuk janë përfshirë shpenzimet e konsumit familjar për periudhën).
5- Përveç kontrollit aritmetik-logjik, raporti përmban edhe një analizë cilësore të deklaratave të kryebashkiakut Dako për të identifikuar flamuj të kuq. Nga analiza cilësore e deklaratave rezulton gjithashtu se subjekt në deklarimin Para Fillimit të Detyrës 2007, deklaron se të ardhurat ndër vite janë pasqyruar në faqen konfidenciale të formularit të deklarimit.
6- Në vitin 2007, subjekti ka deklaruar pallat 11 katësh me sipërfaqe totale 3,640 m2 me vlerë 72,000,000 lekë, por nuk ka të dhëna për burimin financiar të investimit të bërë për ndërtimin e këtij pallati. Detyrimi ndaj personave me të cilët është lidhur kontratë për prenotim apartamenti është në vlerën 80,000,000 lekë, dhe sipas vetëdeklarimit, të gjitha këto detyrime do të shlyhen me dorëzimin e apartamenteve personave porositës mbas regjistrimit të kontratave të shitjes.
7- Në vitin 2015 dhe 2017 janë lidhur një sërë kontratash shkëmbimi, mes një trualli + ndërtesë që subjekti ka pasur në pronësi kundrejt 7 apartamenteve në plazhin e Durrësit. Dako gjithashtu ka shkëmbyer një apartament të vitit 1994 me sipërfaqe 120 m2+garazh me një apartament 245 m2. Subjekti ka shkëbyer gjithashtu një ndërtesë tjetër + truall me një sipërfaqe toke në fshatin Xhavzotaj prej 4950 m2. Në vitin 2016 djali i subjektit ka deklaruar blerje aksione 35% në shoqërinë ‘Arctic Group’ sh.p.k, me burim krijimi borxhi i dhëne nga xhaxhai, në shumën 966,000 lekë.
Marrë me shkurtime nga BIRN


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë