Intervista e Ramës për televizionin serb ndez debate në Beograd
Kryeministri Edi Rama përsëriti këshillën drejtuar Beogradit për të pranuar realitetin e krijuar në Ballkan duke e njohur shtetin e Kosovës, por në intervistën dhënë për një televizion serb, ai refuzoi që të flasë për çështjen e kufijve. Intervista u realizua me televizonin serb, Pink Tv nga gazetarja Ksenja Vuçiç. Gjatë bisedës është folur për të gjithë spektrin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, por ai që zuri faqet e para në mediat online dhe ato të print në Beograd ishte artikulli me titullin që vendoste në gojën e Kryeministrit shqiptar fjalët e bashkimit me Kosovën. “Unë vetë nuk jam për kufij, as me Maqedoninë, as me Malin e Zi, as me Kosovën dhe as me Serbinë. Ne duhet të punojmë që t’i heqim kufijtë”, citohet Rama.
Lirohet burri i ministres Besa Shahini, u arrestua në Kosovë
Deputetin e Partisë Socialdemokrate në Kosovë, Dardan Molliqaj dhe Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit nuk i lidh më asgjë bashkë. Por, aktivizimi i tij në të shkuarën me VV e ka “përndjekur”. Policia e Kosovës arrestoi në orët e para të së hënës deputetin e Parlamentit të Kosovës, i cili u la u lirë disa orë më vonë, për t’u hetuar në gjendje të lirë. Si arsyetim i arrestimit është përdorur pjesëmarrja në protestën e vitit 2015, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje për lirimin e Albin Kurtit. Partia Socialdemokrate, forcë e formuar një vit më parë me të pakënaqurit që u shkëputën nga Vetëvendosje ka reaguar përmes rrjeteve sociale. PSD thotë se arrestimi i Albin Kurtit në atë kohë ka qenë i padrejtë, çka legjitimonte protestën e asaj kohe.
Tre deputetë të PS lënë mandatin, Ndreu publikon dorëheqjen
Deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu, ka dorëzuar sot mandatin e deputetit. Me anë të një letre drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Ndreu shkruan se jep dorëheqjen nga mandati i deputetit për shkak të garës në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Vetëm dy ditë më parë në mbledhjen e Kryesisë, PS zyrtarizoi emrin e tij për kandidat të kësaj bashkie.
Po ashtu, edhe deputetët Rakip Suli dhe Ilir Xhakolli kanë dhënë dorëheqjen për shkak të kandidaturave në bashki. Rakip Suli kandidon në Kamëz dhe Ilir Xhakolli kandidon në Pogradec.
Një tjetër kandidat i PD kërkon mandatin e deputetit
Një tjetër kandidat nga listat e Partisë Demokratike ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Halit Valteri kandidati i PD-së në listat e qarkut Tiranë që ka pranuar ta marrë mandatin e deputetit.
Tri ditë më parë, kryetari i Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë, Selami Jenishehri dhe kandidati tjetër Besnik Troplini që të dy në listat e PD depozituan formularin e Dekriminalizimit.
Presidenti Meta, ngushëllon familjen e major Tanushit
Presidenti Ilir Meta ka ngushëlluar familjen e major Klodian Tanushi, i cili humbi jetën tragjikisht në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni.
Presidenti Meta shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e një ushtaraku shembullor e patriot.
Nga shpërthimi i një mine në kampin “Adazi” të Letonisë mëngjesin e 6 majit humbën jetën dy ushtarakë shqiptarë, Zarife Hasanaj dhe Klodian Tanushi.
Major Klodian Tanushi ndërroi jetë katër ditë pas ngjarjes në një nga spitalet e Letonisë për shkak të lëndimeve të shumta.
Gjonaj-Marku: Prokurorët t’i mbyllin më shpejt dosjet hetimore
Në takimin mes ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, gjatë paradites së sotme në Prokurorinë e Përgjithshme u vu theksi te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa u tha se puna hetimore nga prokurorët duhet të përmbyllet në një kohë më të shkurtër. Pra, korrupsioni do të jetë kryefjala e punës së Prokurorisë për vitin 2019. Në rekomandimet që Këshilli i Ministrave i ka dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme, lufta kundër korrupsionit është prioriteti kryesor.
Në detyrat e Prokurorisë së Përgjithshme si prioritet është renditur edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta ndaj pastrimit të parave. Gjonaj në fjalën e saj nuk ka anashkaluar edhe procesin zgjedhor ku ka rekomanduar ashpërsim të masave për ata që tentojnë të prekin apo cenojnë proceset zgjedhore.
Shi, era të forta dhe stuhi, çfarë po ndodh me motin?
Gadishulli i Ballkanit është në ndikimin e shtjellës ciklonike e pozicionuar në detin Jon, e cila ka sjelle reshje shiu intensive në vendin tonë. Reshjet e shiut do të jene me aktivitet kryesor, në pjesën e dyte të ditës në jug të vendit. Kjo gjendje ka ndikuar edhe në pezullimin e lundrimit detar në vendin tonë. Trageti i linjës Vlorë-Brindizi nuk do të niset sot drejt Italisë, pasi deti me dallgë deri në 6-7 ballë e bën të pamundur lëvizjen e tij. Gjithashtu edhe anijet e vogla janë njoftuar të mos dalin në det. Nga ana tjetër, duket se stuhia Andrea do të përqendrohet në të gjithë rajonin, duke shkaktuar reshje të mëdha me sasi 50 deri në 80 milimetra në mete katror. Mendohet se qyteti i Shkupit është më i rrezikuari, kështu që Dushko Veskovski drejtori i NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi” mbajti mbledhje ditën e sotme për të diskutuar rreth masave që duhen marrë për këtë situatë.
Legjionarët, shkëlqejnë Manaj dhe Bare në Spanjë
Ka vijuar shumë pozitive kjo fundjavë për futbollistët e kombëtares shqiptare në kampionatet e huaja. Pas Markut dhe Gjimshitit, ishin dy përfaqësuesit tanë në futbollin spanjoll, ata që kanë shkëlqyer. Rej Manaj me Albaseten dhe Kejdi Baren me Malagën kanë qenë në formë shumë të mirë në ndeshjet e kësaj jave në Ligën e dytë të futbollit spanjoll, La Liga 2. Manaj ishte titullar dhe autor i një goli, ndërsa Bare e filloi nga minuta e parë, por në minutën e 75-të u zëvendësua nga trajneri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.