Podcast

Audio-Lajme 11 Maj 2019

Bulqiza po fundoset! Ekspertët kërkojnë analizë gjeomorfologjike
Uji i pijshëm nuk është i vetmi problem për Bulqizën dhe banorët e saj këto ditë. Ekspertët kanë lëshuar alarmin se qyteti i vjetër rrezikon të fundoset dhe për këtë kërkojnë një analizë të thelluar gjeomorfologjike të terrenit ku është shtrirë ky qytet.
Kërkesa është shqiptuar tërthorazi nga kompania Gjeokonsult & Co. Kjo e fundit është konsulente e Bashkisë së Bulqizës në hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor. Aktualisht, nga kjo kompani thonë për ‘Gazeta Si’ se puna është ende në fazë studimore dhe vetëm në fund të saj do të mund të dilet me propozimet konkrete si për autoritetet vendore, ashtu edhe për ato qendrore.
Por, puna studimore nuk përfshin analizën gjeomorfologjike, pra analizimin me detaje të nëntokës së Qytetit të Vjetër të Bulqizës, që ndodhet mbi galeritë e minierës së kromit. “Gjeokonsult” deklaron se ka bërë si propozim ndërtimin e një rrjeti kanalizimesh, pasi në qytet nuk ka një rrjet të tillë, por veprohet me gropa septike në nivel lagjeje, pallati, institucioni dhe shtëpie.

Zgjedhjet, Kryesia miraton emrat, Valbona Sako largon Dakon
Kryesia e Partisë Socialistëve miratoi sot 59 kandidatët për 61 bashkitë, duke lënë për një vendim të mëvonshëm emrat për bashkitë e Hasit dhe Peqinit.
Valbona Sako, drejtoresha e Tatimeve të Durrësit do të jetë kandidatja e socialistëve për bashkinë e qytetit bregdetar. PS largon Vangjush Dakon, i cili mbajti disa mandate si kryebashkiak.
Në listë është edhe ish-aktori i njohur i ‘Portokallisë’, Erion Isai për bashkinë e Kolonjës, ndërsa janë përfshirë edhe 5 deputetët Pjerin Ndreu për Lezhën, Rakip Suli për Kamzën, Flamur Hoxha për Gjirokastrën, Nuri Belba për Përrenjasin dhe Ilir Xhakolli për Pogradecin.

Rama: Nesër prezantojmë kandidatët
Kryesocialisti Edi Rama deklaroi pas mbledhjes së kryesisë së PS-së se të gjithë kandidatët për bashkitë do të shpallen zyrtarisht të dielën. Të 12 deleguarit e qarqeve do të prezantojnë kandidatët dhe një pjesë të emrave për anëtarë të këshillave bashkiakë përpara elektoratit socialist.
Pas këtij prezantimi, socialistët do të bëhen gati për të ndezur motorët e fushatës elektorale që zyrtarisht nis më 30 maj.

Vdekja e major Tanushit, flamuri shqiptar ulet gjysmë shtizë në Afganistan
Major Klodian Tanushi është efektivi i dytë shqiptar që ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar gjatë misionit të NATO-s.
Tanushi u plagos mëngjesin e 6 majit nga shpërthimi i një mine, ku humbi jetën edhe nëntetarja Zarife Hasanaj. Prej 4 ditësh ishte i shtruar në spitalin e Rigës në gjendje të rëndë, e ndërsa dje ndërroi jetë.
Lajmi i dhimbshëm u dha mbrëmë nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, pikërisht në ditën që iu dha lamtumira në Varrezat e Dëshmorëve nëntetares Zarife Hasanaj.
Sot në bazën e NATO-s “Camp Arena” në Herat Afganistan flamuri shqiptar është ulur në gjysmë shtizë. Kontingjenti i V-të Paqeruajtës nderoi veprën sublime të dëshmorëve të rënë Letoni.
Përkujtimi i Kacifas, 9 grekë ndalohen të hyjnë në Shqipëri
Nëntë persona janë ndaluar të hyjnë në territorin shqiptar nga pika kufitare e Kakavijës, pasi donin të ishin të pranishëm në ceremoninë përkujtimore 6-mujorit të vdekjes së Kostandino Kacifas, i cili u ekzekutua nga policia në tetor të vitit të kaluar gjatë një shkëmbimi zjarri në Bularat.
Nga të ndaluarit rezulton se pesë prej tyre prishnin qetësinë publike, ndërsa të tjerët nuk argumentonin hyrjen në pikën e kalimit kufitar me shtetin fqinj në Gjirokastër.
Ceremonia në nderim të Kostandin Kacifas u zhvillua në kishën e Shën Athanasit, kishë kjo e cila ndodhet sipër fshatit.

“BE-ja duhet të përqafojë Ballkanin ose ta humbasë!”
Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç, por edhe një sërë ekpertësh rajonalë ngrenë alarmin se nëse Bashkimi Europian nuk vepron shpejt, Ballkani Perëndimor do të bjerë në dorë të Rusisë dhe Kinës.
“Moska, nëpërmjet ndikimit politik dhe Pekini, përmes huave, synojnë të “parandalojnë zgjerimin e NATO-s dhe BE-së në Ballkan,” tha Gjukanoviç në një intervistë për “Reuters”.
Sipas tij, kjo do të thotë se rajoni duhej të ishte interesi kryesor strategjik i Bashkimit Europian.
“Nëse BE nuk e kupton këtë, unë kam frikë se e ardhmja jonë mund të jetë në rrezik,” tha ai.
BE-ja është duke vënë si kusht çrrënjosjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por është duke ulur fondet për vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku me Bankën Botërore dhe huadhënësit e tjerë perëndimorë, duke e lënë Kinën të mbushë boshllëkun.

Palmer: Kosova të marrë shembull nga Maqedonia e Veriut!
Zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës të arrijnë një marrëveshje duke ndjekur shembullin e Greqisë dhe Maqedonisë e Veriut.
“Shpresoj se nga ky shembull do të nxjerrin mësime edhe udhëheqësit e Beogradit dhe të Prishtinës dhe të nisin rrugën e kompromisit dhe gjetjen e një zgjidhjeje të mirë”, theksoi Palmer.
Ai ka folur edhe për angazhimin e SHBA-ve dhe BE-së në Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se asgjë nuk ka ndryshuar. Palmer tha se është koha që udhëheqësit në Ballkanin Perëndimor të kuptojnë rolin e tyre dhe t’i udhëheqin vendet e tyre drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Zyrtari i lartë amerikan tha se roli i SHBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor është i madh dhe i tillë do të vazhdojë të jetë, por ngriti alarmin se Rusia dëshiron ta shohë rajonin të përçarë.

Derbi për kampionatin, Gega: Fitojmë për tifozët që do mbushin stadiumin
Fitorja në derbi këtë herë për Partizani mund të ketë shijen më të ëmbël prej 26 vitesh. Mjafton një triumf në ndeshjen e kësaj të diele dhe Partizani shpallet automatikisht kampion i Superligës Shqiptare për sezonin 2018-2019, pas plot 26 vitesh. Por ndeshja është më delikate se ç’duket në plan të parë. Tirana lufton për mbijetesën dhe këto pikë i ka jetike, kur kanë mbetur edhe katër javë dhe ka vetëm 5 pikë më shumë se Kastrioti i vendit të parafundit. Në konferencën për shtyp në prag të kësaj sfide, trajneri i Partizanit, Skënder Gega ka thënë se kjo ndeshje si gjithë të tjerat vlen tre pikë. Për teknikun e kuq, fakti që në tre ndeshje Partizani ka marrë 7 pikë, do të thotë se edhe në ndeshjen e nesërme çdo gjë mbetet e hapur. Më tej Gega tha se ai nuk firmos për barazimin edhe nëse ai do i garantonte skuadrës së tij fitimin e titullit.

Minuta të plota, legjionarët mbrojtës i japin shpresë Edi Rejas
Ka qenë shumë e mbarë për futbollistët e kombëtares shqiptare kjo javë në kampionatet ku ata aktivizohen. Më veçanërisht në formë të shkëlqyer kanë qenë tre mbrojtës kuqezinj pretendente për tu grumbulluar në qershor. Ivan Balliu, Naser Aliji dhe Adrian Ismajli, të tre në ekipet e tyre kanë luajtur titullarë dhe kanë qenë në formë të mirë, duke dhënë një sinjal pozitiv për trajnerin Edi Reja në prag të dy ndeshjeve të qershorit. Dy ndeshjet e radhës të kombëtares shqiptare janë me Islandën në transfertë dhe Moldavinë në shtëpi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë