Nderohet nëntetarja Zarife Hasanaj në Letoni, kontingjenti shqiptar i pranishëm
Në Camp Adazi në Letoni është zhvilluar ceremonia për nder të nëntetares Zarife Hasanaj të rënë dje në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s.
Në ceremoni ka marrë pjesë i gjithë kontingjenti shqiptar në grup-batalionin e NATO-s në Letoni dhe përfaqësuesi ushtarak shqiptar në NATO.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se është nisur drejt Letonisë Task Forca e ngritur me urgjencë nga kjo ministri për të ndjekur së bashku me autoritetet letoneze hetimin e plotë për ngjarjen e 6 Majit në Camp Adazi në Letoni.
Gjykata dënon me 10 vite burg Klement Balilin
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar këtë të martë Klement Balilin i etiketuar ndryshe si “Eskobari i Ballkanit” me 10 vite burg.
Gjykata ka vendosur 15 vite, por duke qenë se u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, është ulur 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 10 vite burg.
Klement Balili akuzohet për “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.
Banorët e Astirit zhvendosen në komisariat, kërkohet lirimi i të ndaluarve
Banorët e Astirit bllokuan rrugën sot pasi mësuan se do kalonte kryeministri Rama për të vizituar një biznes të zonës. Teksa banorët kanë bllokuar rrugën, situata ka degjeneruar në përplasje të dhunshme.
Në vendngjarje mbërritën forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me maska e skafandra.
Policia shoqëroi në Komisariat ish-deputetin demokrat Klevis Balliun dhe disa qytetarë tek “Unaza e Re”, pas tensionit të shkaktuar dhe bllokimit të rrugës.
Më vonë, banorët e Astirit u zhvendosën në Komisariatin nr. 6, për të kërkuar lirimin e të ndaluarve.
Ndryshimet e Kodit Penal, “testi” për deputetët e opozitës
Kodi Penal kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash në Parlament, të cilat mazhoranca nuk i ka, ndaj kur drafti i saj, që ashpërson dënimet për një sërë veprash penale aktuale dhe kriminalizon disa të tjera të votohet në seancë plenare, do t’u japë mundësi socialistëve që të kuptojnë më mirë qëndrimin e deputetëve të rinj të dalë nga listat e PD-së dhe LSI-së. Deri më tani, deputetët që refuzuan lënien e mandateve dhe ata që refuzuan mosmarrjen e tyre nuk kanë shfaqur një qëndrim të unifikuar në ato pak çështje për të cilat kanë ngritur kartonin në Kuvend. Për vetë rëndësinë dhe numrin e votave që kërkon, Kodi Penal do të krijojë një panoramë më të qartë për qëndrimin e deputetëve të rinj, jo vetëm për mazhorancën, por edhe për opinionin publik. Testi do të jetë nëse do të jenë të bashkuar, cilido qëndrimi që do të mbajnë për t’i përçuar një sinjal Kryeministrit Edi Rama, i cili në seancat e para pas djegies së mandateve nga PD dhe LSI u zotua të çojë përpara reformën zgjedhore dhe të gjitha reformat e tjera me opozitën e re.
Soreka thirrje partive: Koha është për kompromis
Ambasadori i BE-së, Luigi Soreka lëshon apelin ndaj partive politike për gjetjen e kompromisit për zgjidhjen e ngërçit politik. Në një intervistë për Dojcce Vele, Soreka deklaroi se duhet gjetur ura e komunikimit që sipas tij, ekziston ende.
“Tani është koha për ne që të japim rezultate, por është gjithashtu koha që partitë politike të këtij vendi të gjejnë një kompromis. Kultura e kompromisit nuk është medoemos tipike për këtë vend; ajo duhet të bëhet një moment ku takohen interesat. Gjithkush duhet të bëjë një hap përpara. Ka një urë diku dhe unë jam i sigurt, se ekziston një mënyrë për ta kaluar këtë urë dhe për të siguruar që të gjendet dialogu. Kjo është në interes të shtetasve shqiptarë që duan që ky vend të ecë përpara”, u shpreh Soreka.
Deputetët holandezë me mision në Tiranë: Nuk folëm për vizat
Parlamenti holandez pritet të publikojë së shpejti qëndrimin në lidhje me çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Një delegacion i deputetëve holandez zhvilloi një vizitë dy ditore në Shqipëri, në prag të publikimit të progresraportit vjetor të Komisionit Evropian.
Në përfundim të takimeve me përfaqësues të politikës dhe shoqërisë civile, delegacioni i deputetëve holandez të kryesuar nga Anne Mulder, Hayke Veldman dhanë një konferencë për median, duke u shprehur se vendimi i Parlamentit të Holandës varet nga raporti i Komsionit Europian.
Veldman deklaroi se në këto takime nuk kanë diskutuar mbi vendimin e parlamentit për kthimin e vizave, pasi kjo çështje do të diskutohet në fund të muajit maj kur deputetë shqiptarë të vizitojnë Holandën.
Të helmuarit në Bulqizë, ISHP nuk gjen ndotje
Pas helmimit të 113 banorëve në lagjen e vjetër të qytetit të Bulqizës, Instituti i Shëndetit Publik ka nxjerrë analizat e para të ujit.
Sipas Institutit, analizat e ujit të pijshëm kanë rezultuar negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale.
ISHP bën me dije se për të pasur një përgjigje përfundimtare për helmimin e këtyre banorëve duhet më parë të dalin edhe rezultatet e tjera të analizave nga mostrat, të cilat janë marrë nga uji i Bulqizës.
Sytë nga Amerika!
Duke filluar që prej orës 18:00 të së martës, të gjithë ata që kanë aplikuar nga 3 tetori deri më 6 nëntor të vitit të kaluar mund të verifikojnë në faqen zyrtare të lotarisë amerikane nëse janë përzgjedhur apo jo nga sistemi si fitues për DVLottery2020. Kontrolli bëhet përmes futjes së numrit të konfirmimit, që u është dhënë automatikisht në momentin e aplikimit sipas formatit. Nga shifrat e publikuara një herë në tre vjet nga ana e Departamentit të Shtetit, shqiptarët janë populli me numrin më të madh të aplikimeve për lotarinë amerikane në bazë të popullsisë. Aplikimet janë bërë gjithnjë e më masive, sidomos katër vitet e fundit. Në 2015, gjithsej numëroheshin rreth 100 mijë aplikime, përfshirë aplikime personale dhe familjare, për një total prej rreth 198 mijë personash. Rekordi u vendos në 2018, ku me gjithë probabilitetin e paktë për të fituar, u shënua një tjetër rekord. Rreth 170 mijë ishte numri i aplikimeve për 370 mijë persona në total.
Punime të tjera, Autostrada Tiranë-Durrës për 3 muaj me një korsi
Bllokohet sërish autostrada Tiranë-Durrës. Për gati tre muaj rresht autostrada Tiranë-Durrës do të funksionojë me një korsi të vetme dhe me shpejtësi të reduktuar. Si rrjedhojë do të shkaktojë ngadalësim të të gjithë aktivitetit qarkullues dhe ekonomik duke marrë parasysh që kompanitë e mëdha janë pozicionuar përgjatë autostradës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kanë informuar sot se duke nisur nga dita e mërkurë datë 8 maj 2019 ora 08:00 në mëngjes deri në datë 17.07.2019, në kuadër të projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore Bazuar në Rezultate”, financim i Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, do të realizohen punime në rrugë: Rehabilitim i sistemit të ndriçimit në Autostradën Tiranë-Durrës, nga Km 0+000 deri në Km 14+750, Segmenti rrugor: ish Dogana-Qafë Kashar-Vorë.
Qarkullimi i mjeteve në pjesën ku do të kryhen punimet do të jetë me shpejtësi të reduktuar, lëvizja e mjeteve do të drejtohet në 1 korsi (Punimet kryhen vetëm gjatë njërit drejtim të rrugës) dhe do të realizohet në përputhje me sinjalistikën e vendosur sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.
“Torta” e transportit ajror, Italia merr më shumë se gjysmën
Tregun e transportit ajror në Shqipëri vazhdon ta zotërojë Italia.
Të dhënat zyrtare nga Autoriteti i Aviacionit Civil për muajin mars tregojnë se Italia zë 58% të totalit të tregut me mbi 121 mijë pasagjerë, ndjekur nga Turqia, me 11%. Gjithashtu përgjatë muajit Mars, Hungaria dhe Austria kanë zotëruar 6% të tregut shqiptar. Në një qajse krahasuese për tre vitet e fundit, trafiku ajror dhe fluksi i pasagjerëve këtë vit, gjatë Mars 2019 ka një rritje prej 10.34% krahasuar me vitin e kaluar.
Gjatë muajit mars nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit kanë fluturuar mbi 212 mijë pasagjerë. Sipas të dhënave zyrtare, kompania ajrore “Blue Panorama” mbetet mbizotëruese në treg duke mbuluar fluksin më të madh të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Mars 2019 23% të totalit. Ndjekur nga Ernest S.p.A dhe AlbaWings.
Tension te Milani, Gatuzo bën sherr me Bakajokon gjatë ndeshjes
Milani po lufton për vendin e 4-t, i fundit që të çon në Champions, dhe tensioni i madh po reflektohet edhe në fushë. Gjatë ndeshjes me Bolonjën, ku Milani fitoi 2-1, vëmendjen e mori sherri mes trajnerit Gatuzo dhe mesfushorit Bakajoko. Francezi u filmua nga telekamerat, duke sharë trajnerin e tij, i cili i kishte kërkuar të bënte nxehmjen pas dëmtimit të Bilias. Bakajoko vonoi pak dhe Gatuzo aktivizoi Hoze Maurin. Më pas pati një debat mes Gatuzos dhe Bakajokos, i cili sqaroi në rrjetet sociale se nuk kishte refuzuar të luante. Drejtuesit e Milanit bënë të ditur se ndaj lojtarit do të merren masa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.