Podcast

Audio-Lajme 5 Maj 2019

5 Maji, negociatat dhe krimet e komunizmit përçajnë politikën
Kriza e thellë politike nuk u reflektua në mesazhet tradicionale të përcjella nga Edi Rama dhe Lulzim Basha me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, por ajo u reflektua edhe këtë herë në oraret e ndryshme të vendosjes së kurorave me lule në monumentin “Nëna Shqipëri”.
Mesazhi i dhënë nga të gjithë në thelb kishte një përmbajtje: atë që sakrifica e dëshmorëve të mos shkojë dëm dhe të shpërblehet me aspiratën e popullit shqiptar për t’iu bashkuar Bashkimit Europian.
Por, palët kanë ndasi të thella për rrugën që realizon këtë aspiratë të popullit shqiptar. Presidenti Ilir Meta qëndroi mbi palët dhe në këtë ditë mesazhi i tij ishte thirrja për dialog.
Kryeministri u përqendrua edhe te debati më shumë publik sesa politik për Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, drejtuar nga Agron Tufa. Kryeministri paralajmëroi se ndante mendimin se instituti i Agron Tufës kishte tejkaluar kompetencat e dhëna nga Kuvendi për veprimtarinë e tij, duke u futur në periudhën e luftës. Për këtë pjesë, ai tha se do të vendosë vetë Kuvendi.
Basha: Liria dhe vlerat në Shqipëri janë në rrezik
Edhe Lulzim Basha e konsideroi 5 Majin ditë reflektimi e bashkimi. Por, ndryshe nga Rama, në mesazhin e përcjellë prej tij, nënkuptohet se në Shqipëri liria dhe vlerat e saj janë sërish në rrezik dhe për këtë kreu i PD-së kërkon një sakrificë nga të gjithë.
Ndërsa, Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së, ndan një qëndrim të përafërt me Partinë Socialiste sa i takon luftës nacionalçlirimtare dhe në fund të mesazhit të saj i përafrohet qëndrimit të Lulzim Bashës. “Nderimi ndaj dëshmorëve, është nderim për historinë e popullit, por është edhe një referencë krenarie, që na frymëzon për ta mbajtur të shenjtë amanetin e tyre, Shqipërinë e lirë, shtëpinë tonë të përbashkët!”, shkruan Kryemadhi.
Tabelat provokuese në greqisht, ligji shkelet me dy këmbë
Një ditë pas denoncimit të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, policia ka zhvilluar mbrëmjen e së shtunës një aksion në Finiq të Sarandës për heqjen e tabelave të vendosura në gjuhën greke dhe poshtë tyre edhe në shqip. Sipas burimeve policore, ndërhyrja e forcave të rendit ka hasur në kundërshtimin e disa banorëve të zonës, por gjithsesi aksioni është çuar deri në fund.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, 35 tabelat e vendosura ishin jashtë standardeve të përcaktuara në Kodin Rrugor dhe pa miratimin e entit pronar të rrugës ARRSH-së. Po ashtu, këto tabela sinjalizuese nuk plotësonin specifikimet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për sa i përket renditjes së emërtimeve në gjuhën shqipe dhe atë minoritare, ngjyrës dhe madhësisë së shkrimit të përdorur.
Dita pa makina dhe me çadra bllokon trafikun e Tiranës
Data 5 Maj ishte përcaktuar nga Bashkia e Tiranës, si “dita pa makina” me qëllim sensibilizimin e qytetarëve për të lëvizur pa makinat e tyre, në mënyrë që të reduktojnë nivelin e ndotjes.
Gazeta “Si” vëzhgoi rrugët e Tiranës dhe panorama e mëngjesit të 5 Majit në qendrën e kryeqytetit ishte një podium festiv pa folës, njerëz me çadra duke rendur për në punët e tyre, shi dhe pa makina.
Bashkia kishte marrë masat për evenimentet festive të planifikuara, por këtë mëngjes rrugët ishin bosh dhe nën shiun që dukej se kishte pezulluar çdo organizim. Disa policë bashkiakë dhe të ata qarkullimit rrugor, që kujdeseshin që makinat të mos hynin në bulevard, ishin të vetmit që dukeshin në peizazhin e boshatisur të aksit qendror të Tiranës.
Patozi shpërthen ndaj kundërshtarëve: Përçmim dhe neveri ndaj jush
Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi ka sulmuar sot kundërshtarët politikë që sipas tij tentuan të bëjnë pis këtë forcë të re të sapokrijuar.
Patozi në një reagim në rrjetet sociale shkruan se ndien neveri ndaj atyre që u përpoqën të hedhin baltë mbi këtë projekt politik me anë të akuzave të fabrikuara dhe falsifikimeve në çdo cep të Shqipërisë.
Kryetari i Bindjes Demokratike më tej shprehet se kjo parti do e tregojë që në zgjedhjet e 30 qershorit që nuk ishte rastësi. Sipas tij, partia në fjalë tronditi ata që i ai quan “gardianët e sistemit të kalbur politik”.
Shkon në 78 numri i të helmuarve në Bulqizë, 24 prej tyre fëmijë
Të paktën 78 persona dyshohet se u helmuan një ditë më parë nga uji i pijshëm në qytetin e Bulqizës. Mes të helmuarve janë edhe 24 fëmijë. Ata janë paraqitur në spital me dhimbje barku, të vjella dhe dhimbje koke. Nisur nga simptomat, mjekët paraprakisht thonë se shkak i helmimit mund të jetë uji i pijshëm. Drejtori i spitalit të Bulqizës, Hazis Jella, shprehet se janë ende në pritje të analizave për të konfirmuar shkakun e helmimit. Drejtori i Ujësjellësit, Nedion Muça, ka mohuar që shkak ka qenë uji, ndërsa ka shtuar se për të vërtetuar dyshimet paraprake të mjekëve duhet të pritet 48 orë për përgjigjet e analizave.
Maqedonia e Veriut voton për kreun e shtetit
Në Maqedoninë e Veriut zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, pasi në raundin e parë nuk u arrit shumica nga asnjë nga kandidatët për t’u zgjedhur si kreu i shtetit. Për t’u zgjedhur president duhet që në zgjedhje të dalin të paktën 40% e votuesve, apo 723,252 votues nga Lista zgjedhore që numëron 1,808,131 votues gjithsej.
Votuesit në vendin fqinj do të duhet të zgjedhin midis dy kandidatëve të mbetur, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska, të cilët do të jenë në krye të presidencës maqedonase për pesë vjet.

Shkëndija mbron titullin kampion në Maqedoni
Shkëndija e Tetovës ka vijuar dominimin në futbollin maqedonas edhe këtë sezon. Me fitoren 0-1 ndaj Rabotnickit, të arritur falë golit të shënuar përtej limiteve të kohës së rregullt nga Totre, kuqezinjtë tetovarë kanë nisur zyrtarisht festën e kampionit.
Pas 32 javësh të kampionatin të Maqedonisë së Veriut, Shkëndija është në kuotën e 72 pikëve me një avantazh prej 13 pikësh ndaj Vardarit të vendit të dytë, duke siguruar tashmë titulli dhe duke menduar për kualifikueset për edicionin e ardhshëm të Champions League. Ky është titulli i dytë radhazi në Superligën maqedonase për ekipin shqiptar që tashmë ka nisur një cikël dominues në futbollin e vendit fqinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë