Aleksandër Vuçiç në 8 maj në Tiranë
Presidenti Aleksandër Vuçiç do të vizitojë Tiranën, në kuadrin e samitit të Brdo-Brionit, më tetë dhe nëntë maj, i cili do të bëjë kështu së bashku presidentët nga mbarë Ballkani.
Burime nga presidenca thonë për Gazetën Si se deri më tani, presidenti serb, ai slloven, kreu i shtetit kroat, presidenti polak dhe kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi kanë konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen.
Ashtu si në Berlin, edhe në Tiranë tema qendrore pritet të jetë dialogu Kosovë-Serbi.
Zyra e Federica Mogherinit ka konfirmuar të premten se pas Berlinit, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së do të mbajë kontakte të vazhdueshme me presidentin e Kosovës dhe Serbisë gjatë samitit në Tiranë më qëllim uljen e të dyja palëve në bisedime.
“Mogherini është e gatshme të organizojë takime të reja brenda kornizës së dialogut, me tetë dhe nëntë maj gjatë samtit të Brdo-Brionit, por Kosova duhet të pezullojë tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, në mënyrë që dialogu mund të rifillojë sa më shpejt”, deklaroi zëdhënësja e saj, Maja Kocijanciç.
Televizioni po plaket, të rinjtë informohen përmes rrjeteve sociale
Një anketë e zhvilluar nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, mbështetur edhe nga Autoriteti i Medias Audiovizive konfirmon perceptimin e përgjithshëm të rënies në përgjithësi të besueshmërisë së qytetarëve te mediat, veçanërisht te media tradicionale. Në anketë kanë marrë pjesë 800 persona të grupmoshave dhe grupeve sociale të ndryshme. Anketa provon se shqiptarët gjithnjë e më shumë, të paktën për marrjen e informacionit, por orientohen drejt aparateve celularë me akses në internet. Televizioni mbetet burimi i parë për lajmet e reja për personat që e ndjekin atë. 51 për qind e të anketuarve deklarojnë se lajmin e parë e marrin përmes ekranit, ndërsa përmes grupi që lajmet e reja i merr përmes rrjeteve sociale ndjekin me 26.6 për qind. Pesha e gazetave në letër dhe online, të marra të dyja bashkë është vetëm 2.2 për qind. Grupmosha nga 18 deri në 35 vjeç kontaktin me lajmin e parë e ka kryesisht me rrjetet sociale, ndërsa nga televizioni informohen kryesisht mosha mbi 35 vjeç.
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, Meta: Sot media më pak e lirë
Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, presidenti Ilir Meta ka bërë një apel të fortë.
Duke e vënë theksin te situata në vend, presidenti tha se kjo ditë e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias.
Meta u bën thirrje të gjithë gazetarëve që të bëjnë detyrën me përkushtim dhe të denoncojnë çdo rast shantazhi e kërcënimi.
Ministrja Shahini: Ndryshime në Kodin Penal dhe për dhunën ndaj mësuesve
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka njoftuar sot se ka nisur paketën e re e ndryshimeve në Kodin Penal, që ka të bëjë me dhunën e ushtruar nga qytetarët kundrejt mësuesve, duke marrë si rast atë të dhunimit të një mësuesi nga një prind.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Shahini ka njoftuar se ndryshimet do të votohen në seancën e radhës plenare, me qëllim shmangien e dhunës.
Shkrirja e 12 Drejtorive Arsimore, qeveria zbardh vendimin
Shqipëria do të ketë vetëm 4 Zyra Rajonale Arsimore. Qeveria shqiptare me një vendim të posaçëm ka shkrirë 13 zyrat që funksionin në 12 qarqet e vendit, duke i krijuar vetëm në Durrës, Korçë, Fier dhe Lezhë.
Sipas vendimit të qeverisë numri i punonjësve për këto Zyra Rajonale, së bashku me Zyrat Vendore Arsimore do të jetë 428 veta. Ky vendim i qeverisë solli edhe reagimin e ashpër të opozitës, por pavarësisht këtyre qëndrimeve qeveria nuk u tërhoq nga kjo reformë.
Aleati i PD ngre padi kundër Bindjes Demokratike së Patozit
Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të regjistruar partinë më të re të Astrit Patozit, “Bindja Demokratike” ankimohet në Kolegjin Zgjedhor.
Bashkimi Demokratik Shqiptar, parti aleate e PD-së, me kryetar Ylber Valteri ka depozituar më 1 maj në Kolegjin Zgjedhor ankimin për çregjistrimin e Bindja Demokratike, pasi e cilëson vendimin e KQZ të kundërligjshëm.
KQZ vendoi më 27 prill pro regjistrimit të këtij subjekti politik vetëm 4 vota pro, ndërsa kryetari Klement Zguri votoi kundër.
Vrau gruan në Memaliaj, lihet në burg bashkëshorti
Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, për Skënder Hoxhën nga Memaliaj, i cili para tri ditësh vrau gruan e tij.
53-vjeçarja Antoneta Hoxha, u gjet e pajetë në banesën e saj mëngjesin e 30 prillit me dëmtime të shumta në kokë dhe në trup.
Bashkëshorti i saj e pranoi vrasjen e saj duke thënë se ajo e tradhtonte.
Ai ka rrëfyer përpara trupit gjykues se në ditën kur ndodhi ngjarja e rëndë në momentin kur është futur në banesë i dashuri i saj ka dalë nga dritarja.
Shi dhe dëborë, ja si do të vijojnë ditët e pranverës
Duke nisur nga dita e Shtunë vendi ynë do të ndikohet nga afrimi i masave ajrore të paqëndrueshme me origjinë nga Europa veri-perëndimore. Moti do të jetë me vranësira dhe reshje shiu, me aktivitet kryesor në orët e para të ditës së diel. Në zonën e Shkodrës reshjet do të jenë me intensitet të lartë të shoqëruara me stuhi dhe shkarkesa elektrike. Ndërsa, ditën e hënë masa ajri të ftohta me origjine polare, do të prekin Ballkanin dhe vendin tonë ku priten reshje shiu dhe reshje bore në zonat malore, deri lartësitë 800 metra mbi nivelin e detit.
Temperaturat do të zbresin ndjeshëm.
Zonat malore 3-10 gradë celsius
Zonat e ulëta 8-14 gradë celsius
Zonat bregdetare 9-15 gradë celsius
A është i nevojshëm përdorimi i kanabisit? Mjekët thonë “Po”
Sipas një sondazhi të fundit, shumë gra kanë deklaruar se përdornin kanabis për t’u qetësuar nga dhimbjet menstruale, ose dhimbje të tjera që kanë të bëjnë me shëndetin gjinekologjik. Disa studiues nga universiteti i Shëndetit dhe Shkencës në Oregon kanë intervistuar më shumë se 1000 gra anembanë SHBA-së dhe rreth gjashtëdhjetë për qind e tyre kishin përdorur kanabis, për trajtimin e dhimbjes së menstruacioneve, depresionin dhe ankthin. Pothuajse dy të tretat e grave, që nuk kishin përdorur kanabis kishin deklaruar se biseda me gratë që e kishin përdorur, i kishte bërë ato të ndryshonin mendje.
Gjetjet që do prezantohen këtë javë në një konferencë, në Kolegjin Amerikan të Gjinekologjisë, vijnë pasi ekspertët, gjatë gjithë kohës kanë kërkuar një zgjidhje si të ndalohen dhimbjet e rënda menstruale, duke e përcaktuar kanabisin tashmë si një substancë të nevojshme mjekësore. Mjeku Johns, në Klinikën Gjinekologjike në Atlanta, shprehet se ndërsa ligjvënësit kërkojnë që zhvillimi i kësaj industrie të ndalet, për mjekësinë po bëhet çdo herë më i nevojshëm.
Maestro Ksavi Hernandez zyrtarizon lamtumirën nga futbolli
Një nga mesfushorët më të mirë të të gjitha kohërave, Ksavi Hernandez, ka vendosur të tërhiqet nga futbolli i luajtur. Vendimin e tij e ka bërë të ditur me një anë të editoriali dërguar medieve nga Doha, ku këtë vit fitoi titullin kampion në Katar.
Spanjolli 39-vjeçar ka fituar 35 trofe në karrierën e tij, ka shkruar historinë e Barcelonës dhe është një nga futbollistët më fitues të gjithë kohërave të klubit katalanas.
Arsenali likuidon Valencian, Çelsi ndalet nga Frankfurti
Arsenali ka fituar bindshëm në shifrat 3-1 me spanjollët e Valencias, në ndeshjet e para të gjysmëfinaleve të Europa League. Me këtë fitore Arsenali ka shanset më të larta për të shkuar në finale, por duhet të ketë kujdes, pasi një fitore e pastër 2-0 e Valencias në shtëpi do i eliminonte djemtë e Emeri.
Ndërsa ekipi tjetër anglez i Çelsit është ndalur në transfertën gjermane të Frankfurtit. “Blutë e Londrës” u ndalën në një barazim, që gjithsesi nuk është rezultat i keq, pasi në sfidën e dytë luajnë në shtëpi përballë publikut të tyre. Të dy golat u shënuan në pjesën e parë, Joviç për vendasit dhe Pedro për miqtë. Në 45 minutat e dyta pati shumë raste për gol nga të dyja krahët, por pa mundur dot të jenë konkretë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.