Podcast

Audio-Lajme 28 Prill 2019

Besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkën

Besimtarët ortodoksë kremtojnë sot Pashkën, dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të të krishterëve. 

Festimet e Pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.

Urimet nuk kanë munguar as nga udhëheqësit kryesorë të politikës,  si presidenti Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kreu e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Qindra besimtarë ortodoksë iu drejtuan në mesnatën e së shtunës katedrales së "Ngjallja e Krishtit" në kryeqytet dhe katedrales së Korçës, si dhe objekteve të kultit në qytetet e tjera për meshën e shenjtë të Pashkëve.

Raportet sekrete/ Donika Prelës iu refuzua viza amerikane

Shefes së prokurorisë së krimeve të Rënda, Donika Prelës i është refuzuar viza nga ambasada amerikane në vitin 2010. Kështu rezulton në raportin sekret të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, i publikuar sot nga Gazeta Si.

Në këtë dokument pohohet se vetë Prela e ka deklaruar këtë refuzim, ku ambasada e përdorte këtë kriter për pastërtinë e zyrtarëve shqiptarë.

Ndërsa për kryeprokuroren Arta Marku raporti sekret e vlerëson si figurë të pastër.

DSIK  vlerëson se për Markun dhe Prelën nuk kanë informacione se të arsyeshme për kontakte për papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Lajmi i keq për Shqipërinë, presidenti Macron kërkon përjashtime nga Shengeni

Pas kërkesës së Holandës për rivendosjen e vizave me Shqipërinë, edhe Franca, e cila ka kërkuar reformimin e zonës Shengen dhe përjashtimin e disa anëtarëve.

Presidenti francez Emmanuel Macron  ka deklaruar se është në favor të rinegociimit të zonës së Shengen dhe lëvizjes së lirë brenda të BE-së.

Sipas kreut të Elizesë, rezultati i këtij vendimi do të ishte një Shengen “me më pak vende anëtare”.

Mediat holandeze shkruajnë se Macron mund të mbështesë kërkesën e Amsterdamit, pasi edhe Parisi ka kërcënuar të rivendosë regjimin e vizave me Shqipërinë pas rritjes së kërkesave për azil në vitin 2017.

Thaçi: Në Berlin do të kërkojmë dënimin e gjenocidit serb ndaj Kosovës

Një ditë përpara samitit të Berlinit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zbardhur disa nga temat e këtij takimi,  që do të bëjë bashkë të gjithë liderët e Ballkanit Përendimor.

Presidenti ka theksuar se do të kërkojë llogari edhe për gjenocidin serb gjatë luftës së në Kosovë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ai thotë se do t’i kërkojë kancelares gjermane Angela Merkel edhe liberalizimin e vizave me Kosovën.

“Do të konfirmojmë edhe përkushtimin tonë për të vazhduar pa kompromis luftën kundër radikalizmit, terrorizmit dhe çdo lloj ekstremizmi”, shkruan presidenti.

Lëviznin me armë dhe drogë, arrestohen 2 të rinjtë në Fier

Dy persona janë arrestuar në Fier pas ndjekjes nga policia në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që një i dyshuar mësohet se ka arritur që të arratiset.

Të arrestuarit akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si dhe armëmbajtje pa leje.

Policia njofton se patrulla ka konstatuar një automjet  'Renault' në dalje të Fierit që kryente lëvizje të dyshimta dhe kur pikasi makinën e policisë është larguar me shpejtësi.

Pas ndjekës, uniformat blu kanë mundur të arrestojnë F.K. 22 vjeç dhe K.Gj. 22 vjeç, ndërkohë që 29 vjeçar nga Durrësi është shpallur në kërkim.

Gjatë kontrolleve policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë si dhe 40 doza me lëndë narkotike kanabis.

“Skifterët” e Belgjikës, arrestohen 8 shtetas, 3 në Shqipëri

Policia e Kurbinit finalizon me sukses operacionin e  koduar "Adriatiku", ku u ndalua një tjetër shtetas në Kurbin, 27 vjeç, i kërkuar për llogari të drejtësisë belge.

Aksioni u ndërmor në kuadër të operacionit të përbashkët ndërkombëtar të koduar "Pikaso", për goditjen e një grupi kriminal në fushën e vjedhjeve të banesave dhe të pronave në Belgjikë.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan 8 shtetas shqiptarë, 3 prej tyre në Shqipëri dhe 5 në Belgjikë. Grupi kriminal vepronte në fushën e vjedhjeve të banesave dhe të pronave në Belgjikë e në qytetet e tjera belge, duke grabitur sendet me vlerë.

Bizhuteritë ata i tregtonin në Belgjikë, ndërsa një pjesë tjetër të tyre i trafikonin edhe në Shqipëri ku më pas i shisnin.

Barcelona feston titullin e 26-të në Spanjë, Mesi hyn në histori

Barcelona shpallet kampione e Spanjës për herë të 26-të në historinë e saj, në javën e 35-të të kampionatit.

Pas fitores 1-0 ndaj Levantes, me golin e Lionel Mesit, katalanasit kanë festuar titullin 3 javë para fundit të kampionatit.

Atletiko Madrid është 9 pikë prapa, por Barcelona favorizohet nga ndeshjet direkte dhe shampanja është hapur  që të shtunën në mbrëmje.

Trajneri Ernesto Valverde ka fituar titullin e parë në stolin e Barcelonës, kurse Lionel Mesi titullin e 10-të në 15 kampionate me katalanasit.

Mesha e shenjtë zgjati deri pas mesnate, e sipas traditës dhe riteve, të gjithë besimtarët u bashkuan për të uruar ringjalljen e Jezusit.

Nejmar nervoz, godet me grushtin tifozin në tribunë

Braziliani i PSG-së, Nejmar Xhunior, është bërë protagonist në një episod të shëmtuar pas finales së Kupës së Francës, ku skuadra e tij  humbi ndaj Renes pas gjuajtjes së 11-metërshave.

Në momentin që futbollistët e PSG-së po shkonin për të tërhequr medaljet, një tifoz ka ngacmuar disa prej tyre me fjalë dhe sulmuesi brazilian ishte i vetmi që reagoi. Ai e goditi me grusht dhe skena u filmua me telefon nga qindra tifozë të tjerë. Një veprim që është kritikuar shumë nga shtypi sportiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë