Shkodër, Rama hyn nga rruga dytësore. PD i bllokoi urën e Bahçallëkut
Pas rreth 1 ore, mbështetësit dhe simpatizantët e opozitës zhbllokuan sot hyrjen e qytetit të Shkodrës, duke lejuar qarkullimin e automjeteve. Pavarësisht tentativës për të bllokuar ardhjen e kryeministrit Edi Rama nga hyrja e Shkodrës tek Ura e Bahçallëkut, shefi i qeverisë mbërriti në qytet nga një rrugë dytësore, asaj nga Vau i Dejës dhe ka vijuar rrugën drejt Bashkisë së Malësisë së Madhe, aty ku mbajti edhe disa takime. Protestës iu bashkuan edhe ish-deputetë demokratë që u përplasën me policinë.
Rama rikonfirmon Marinajn në Malësi të Madhe: Zgjedhjet do të bëhen
Pas pengesës që pati rrugës për në Shkodër, kryeministri Edi Rama nisi turin e takimeve “Bashkia që Duam” në Malësinë e Madhe. Rama e nisi fjalën e tij duke komentuar bllokimin e rrugës nga mbështetësit e PD, duke u shprehur i keqardhur për grupet e vogla që dalin në rrugë. Nga ana tjetër, ai përmendi një sërë investimesh që do të bëhen në këtë zonë si dhe rikonfirmoi si kandidat për Bashkinë e Malësisë së Madhe, Tonin Marinajn.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë u ka bërë të qartë PD-LSI dhe partive të tjera opozitare se nuk do të lejojë krijimin e një qeverie tranzitore dhe se zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen.
Premtimet e Bashës për shëndetësinë, rritje financimi e pagash
Panorama e përgjithshme që Lulzim Basha dhe aleatët e tij në kampin opozitar i bëjnë situatës në Shqipëri është e zymtë në të gjitha fushat. Por, në shëndetësi, kreu i Partisë Demokratike flet për një gjendje kolapsi. I pranishëm në takimin rajonal mbi sistemet shëndetësore, të organizuar nga fondacioni “Konrad Adenauer”, Basha identifikoi katër problematikat më të mëdha dhe që të gjitha ato i lidh me keqqeverisjen dhe keqmenaxhimin e qëllimtë nga ana e qeverisë. Këto problematika sipas Bashës lidhen me nënfinancimin e sistemit, kontratat e dhëna sipas skemës partneritet publik-privat, menaxhimi i burimeve njerëzore, si dhe me sektorin farmaceutik. Basha tha se problemet në këtë sektor nuk nisën tani, por deklaroi se sot, shqiptarët paguajnë më shumë për shëndetësinë dhe u ofrohet shumë herë më pak prej saj.
Opozita e re, shtohen “tradhtarët” nga radhët e PD-së
Indrit Hoxha do të jetë deputeti më i ri Parlamentit. Kandidati për deputet i renditur i 35-ti në listën e PD-së për qarkun e Tiranës ka pranuar që të marrë mandatin e deputetit. Mësohet se ai ka depozituar formularin pranë KQZ-së, e cila pritet ta shpallë deputet. Aktualisht me mandatet e dhëna nga KQZ-ja, Parlamenti ka gjithsej 110 deputetë.
Gjermania thirrje opozitës: Hyni në zgjedhjet lokale
Deputeti i Bundestagut, Kristian Petry, pas takimeve të zhvilluar në Tiranë me liderët kryesorë të politikës shqiptare, i konsideron jo të duhura vendimet e opozitës për të braktisur Parlamentin dhe bojkotuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Petry theksoi se të dyja palët duhet të arrijnë në një dialog, ndërsa shtoi se këtë qëndrim ka mbajtur gjatë takimeve që ka zhvilluar në Tiranë.
Gara për Prokurorin e Përgjithshëm, edhe dy kandidatë të rinj
Prokurorja Fatjona Memçaj dhe avokati Lulzim Alushaj kanë depozituar kërkesën pranë KLP si kandidatë për Prokuror të Përgjithshëme. Kandidaturat e tyre vijnë pas asaj të prokurorit Olsian Çela, i cili e dorëzoi një javë më parë kërkesën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Gara për Prokuror të Përgjithshëm është hapur më 19 mars, pasi u miratua rregullorja mbi kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve. Sipas Kushtetutës, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e votave.
Grabitja në Rinas, arrest me burg për të arrestuarin në Bullgari
Gjykata për Krime të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 32-vjeçarin Elton Pikli, i arrestuari i pestë për grabitjen e parave në Aeroportin e Rinasit, të martën e 9 prillit. Më herët, Policia e Shtetit deklaroi se ai ishte arrestuar në Bullgari si i dyshuar për grabitjen e Rinasit. Pikli, banues në Krujë, ishte larguar jashtë vendit pak pas ngjarjes.
Ndërsa, po sot njëri nga të arrestuarit, Oltion Veseli, ka ankimuar vendimin e dy ditëve më parë, atë të “arrestit me burg”. Deri më tani janë 5 të arrestuar, ndaj të cilëve është masa “arrest me burg”.
Vrasja e vëllezërve Bilali në Shkodër, 2 në pranga, në kërkim ekzekutori
Zbardhet vrasja e dyfishtë në Shkodër, e ndodhur më 30 mars 2019, ku mbetën të vrarë dy vëllezër, Astrit dhe Ibrahim Bilali. Policia tha se ka arrestuar dy të rinj nga fshati Mjedë, Bashkia e Vaut të Dejës: Arsen Stojkun, 29 vjeç, dhe Myslym Ramën, 23 vjeç. Mbi ta rëndojnë akuzat “Vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim e shtetasit Ibrahim Lici, 26 vjeç, si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes, si dhe e shtetasit D. B., 29 vjeç, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”. Policia po vijon operacionin për gjetjen dhe kapjen e tyre.
Hiqet emri i Teatrit Kombëtar, PD: Rama po bën gati shembjen
Gjatë mbrëmjes së kaluar në fasadën e Teatrit Kombëtar janë hequr shkronjat e emrit për t’u bërë gati për shembje. Por kjo është vënë re vetëm mëngjesin e ditës së sotme.
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një postim në rrjetin social “Facebook”, sulmon kryeministrin Rama për heqjen e gërmave. Ky veprim vjen në një kohë kur vijon edhe refuzimi i artistëve për të mos lejuar shembjen e godinës dhe ndërtimin e një teatri të ri.
“Raiffaisen Bank” përfshihet në një skandal për pastrimin e parave ruse!
“Raiffaisen Bank” është përfshirë javët e fundit në një skandal të madh për pastrimin e parave ruse, me shifra që arrijnë deri në miliona dollarë.
Dy raporte të Fondacionit Hermitage dhe Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit akuzojnë bankën austriake për transaksione të paligjshme me qëllim pastrimin e parave me origjinë nga Rusia.
Bill Browder, drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Hermitage” tha se banka austriake u kishte mundësuar kriminelëve rusë të pastronin fondet e dyshimta. Në reagimin e saj të parë “Raiffaisen” tha se nuk ishte në dijeni të këtyre aktiviteteve të dyshimta, por se i kishte marrë seriozisht këto akuza.
Gallup: Shqiptarët ndër njerëzit më pozitivë në botë
Në raportin e titulluar “Emocionet Globale 2019” nga Gallup, vendi ynë renditet në vendin e 50 nga 145 vende, duke treguar kështu se shqiptarët kanë më shumë ndjesi pozitive (rreth 51 për qind) për përditshmërinë e tyre.
Gjetjet fokusoheshin te sjelljet e njerëzve të një vendi dhe statistikat e tyre janë hartuar në bazë të përgjigjeve për pyetje të ndryshme si; A i shijojnë ditët e jetës? A i përjetojnë shumë shqetësimet dhe streset? A e gëzojnë jetën pa menduar gjithë kohës për problemet të ndryshme? Sipas sociologut Gëzim Tushi, rezultatet e sondazhit në pamje të parë mund të duken si të pavërteta. Por – sipas Tushit - Ne jemi ballkanas që kënaqemi edhe me pak dhe nuk e vrasim shumë në mënyrë strategjike mendjen. “Ne kemi pritshmëri të ulëta për jetën dhe prandaj, nuk kemi stres të lartë. Shumicën e emocioneve negative e kemi në marrëdhënie të personalizuara, të cilat nuk i kap shumë sondazhi social”, shprehet sociologu Tushi.
Familjet shqiptare kanë më shumë se një hua. Pjesa më e madhe për konsum
Rreth 26 për qind e familjeve shqiptare kanë të paktën një hua për të shlyer, të cilën e kanë marrë për konsum, biznes apo rikonstruktim pasurie të paluajtshme. Banka e Shqipërisë në dokumentin e publikuar për vrojtimin e gjendjes financiare dhe huamarrjeve të familjeve shqiptare, që e kryen dy herë në vit, thotë se qëllimet kryesore të huamarrjes së familjeve shqiptare mbeten për konsum 37%. Ndërsa për blerje/riparim të një prone 26% dhe për zhvillim biznesi 15%.
Vetëm 8% e shqiptarëve që kanë aplikuar për azil në BE janë pranuar në 2018
Gjatë 2018-ës vetëm 8% e kërkesave të shqiptarëve për azil në vendet e Bashklimit Evropian, janë pranuar. Në vitin e shkuar, rreth 20 mijë shqiptarë aplikuan për azil në BE. Shqiptarët renditen në vend të parafundit (19) për pranimin e kërkesave për azil.
Fotografia e sistemit muskulor të femrës “pushton”rrjetet sociale
Fotografia e sistemit muskulor tek femrat u bë virale menjëherë në të gjitha rrjetet sociale, pasi mijëra njerëz u befasuan nga forma e saj e veçantë. Ndërsa, shumë njerëz janë të vetëdijshëm se si rrjedh qumështi i gjirit, shumë të tjerë nuk ia kishin idenë. Fotografia u shpërnda rreth 42.000 herë dhe me sa duket nga komentet, asnjë nga këta persona nuk e dinin se sistemi muskulor në pjesën e sipërme të femrës ishte në formë luleje.
Gega i përgjigjet Gjicit: Askush nuk e përçmon dot Partizanin!
Në prag të ndeshjes së radhës në kampionat me Laçin, trajneri i Partizanit, Skënder Gega, tha se Partizani shkon në Laç për të marrë fitoren e radhës. Gega theksoi se klubi i tij shikon vetëm punën e vet dhe nuk merret me deklaratat e të tjerëve. Megjithatë, një mesazh ia ka dërguar presidentit të Kukësit, i cili ditët e fundit është shprehur se Partizani është për vend të katërt. Gega ka thënë se Partizanin nuk përçmon dot askush. Të kuqtë janë 10 pikë para Kukësit dhe presin matematikën për të zyrtarizuar titullin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.