Podcast

Audio-Lajmet 17 Prill 2019

Ekskluzive/ Dritan Dajti në burgun e Peqinit. Në gjurmët e tij edhe Emiljano Shullazi?

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka transferuar drejt një burgu të sigurisë së lartë Dritan Dajtin pak kohë pasi Gazeta Si denoncoi mbajtjen e të dënuarit për katër vrasje të policëve në një ambient paraburgimi siç është paraburgimi 302 në Tiranë. Një burim konfirmoi se Dajti është transferuar në burgun e Peqinit, ashtu sikundër urdhëroi edhe Gjykata e Apelit që kërkoi vuajtjen e dënimit në një burg të sigurisë së lartë. Por nuk ka ende një qëndrim se për çfarë arsyesh 47-vjeçari nga Tirana fill pas vendimit të Gjykatës së Apelit, u dërgua sërish në qelinë e paraburgimit, aty ku ai u mbajt për gati 10 vjet, po aq sa edhe zgjati odiseja gjyqësore.

Siç veproi Dritan Dajti, i cili luajti me gurin më të fortë, atë të avokatëve, njëjtë po luan edhe Emiliano Shullazi. Prej 6 seancash, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda nuk po realizon çeljen e seancave, pasi herë sëmuren të pandehurit e herë sëmuren avokatët. Procesi në shkallën e dytë ka nisur në muajin janar 2019, pak javë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda kishte dënuar në total me 55 vite burgim anëtarët e bandës së Shullazit.

Shkarkimet e padrejta, shteti nuk zbaton vendimet e gjykatave për rikthim në detyrë

Mbi 300 vendime gjyqësore nuk janë ekzekutuar nga dikasteret shtetërore për kthim punonjësish në administratën shtetërore në nivel qendror dhe lokal.

Shifra jepet nëpërmjet Raportit të Komisionerit për Shërbim Civil, ku  theksohet se nga ky moszbatim i vendimeve të Gjykatave shkaktohet edhe një kosto financiare në buxhetin e shtetit nga pagesat e detyrueshme.

Në këtë raport të prezantuar në Kuvend janë evidentuar 357 raste të emërimeve të parregullta në shërbimin civil.

KQZ jep mandatet, Kuvendi me 106 deputetë

Erion Piciri pritet të jetë deputeti më i ri Partisë Demokratike. Ai ka depozituar formularin e Dekriminalizimit në KQZ, duke pranuar marrjen e mandatit. Piciri është renditur i 26-ti në listën e shumëemërore të PD-së për qarkun e Tiranës.

KQZ do të marrë nesër vendimin për dhënien e 4 mandateve, duke e çuar në 106 numrin e deputetëve në Parlament.

Tendera të fryrë sigurie, karburant e orendi! Si shpenzohen paratë e studentëve

Për thuajse gjashtë muaj, pesë universitetet më të mëdha publike në vend kanë shpenzuar 12.2 milionë euro, para me burim kryesor tarifat dhe taksat që këto institucione të arsimit të lartë i mbledhin nga studentët e tyre. Nën monitorim më të imtësishëm nga “Qëndresa Qytetare” kanë qenë Universiteti i Tiranës, Politekniku, Universiteti i Korçës, Elbasanit, Durrësit dhe Shkodrës. Nga vëzhgimi është dalë në përfundimin se në këtë periudhë kohore, pesë nga shtatë universitetet publike nuk kanë hedhur asnjë cent në zërin studime dhe kërkime shkencore. Vetëm 0.9 për qind e shumës totale ka shkuar për këtë qëllim, në një institucion që në vetvete duhet të përqendrohet te studimi. Por, më shumë se te studimi, universitetet janë përqendruar te siguria. 1.6 milionë euro ose rreth 8 për qind e shpenzimeve totale të kësaj periudhe kanë shkuar në zërin për sigurinë e godinës.

Balla kërkesë Ruçit: Të shtyhet afati i Reformës Zgjedhore deri më 29 nëntor

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, pasi kërkon ndryshime në vendimin për Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Balla i ka kërkuar që afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore që është deri më 5 maj të zgjatet deri më 28 nëntor 2019.

Gjithashtu kërkon që veprimtaria e Komisionit të realizohet në disa faza dhe t’i shtohen edhe çështjet e sistemit zgjedhor.

“Vizat”, Kryemadhi: Rama dështoi. Salianji: Do t’i japim fund krimit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e ka cilësuar një goditje të rëndë për Shqipërinë vendimin e parlamentit holandez për rivendosjen e regjimit të vizave për shqiptarët. Sipas saj, parlamenti holandez thotë se arsyeja është kapja e shtetit nga krimi, dështimi i qeverisë drejtuar nga Rama dhe jo djegia e mandateve nga ana e opozitës.

Ndërkohë, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji në një deklaratë për mediat u shpreh se lidhja e qeverisë me krimin e ka futur vendin në një rrugë të pashpresë. Salianji pohoi se pikërisht për këtë arsye, rritjen e krimit shqiptar, Parlamenti holandez i propozoi qeverisë së saj që të kthejë vizat. Ish-deputeti u zotua se Partia Demokratike do të çmontojë grupet kriminale dhe do ta kthejë Shqipërinë në një shtet ligjor.

Tabaku: Rama dhe Veliaj rritën taksat, 25 mijë biznese u mbyllën

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një deklaratë për mediat u shpreh se taksat e Bashkisë Tiranë janë dyfishuar gjatë viteve 2015-2019 dhe biznesi është më i prekuri. Sipas saj, rritja e taksave nga Bashkia e Veliajt dhe nga qeveria e Ramës është arsyeja se pse sot në Tiranë janë mbyllur mbi 25 mijë biznese, duke e kthyer Tiranën në qytetin më të shtrenjtë, në qytetin me taksat më të larta, në qytetin e pamundësisë.

‘Bregu i Lumit’, tension mes banorëve e policisë

Forca të shumta policore shkuan sërish mëngjesin e sotëm te ‘Bregu i Lumit’ për prishjen e shtëpive, të cilat janë parashikuar në kuadër të projektit të ‘Bulevardit të Ri’.

Ish-deputetë të Partisë Demokratike, studentë dhe aktivistë kishin shkuar pranë banorëve në mbështetje të tyre. Konfrontim ka pasur jo vetëm me banorët, por edhe me ish-deputetët që kanë shkuar për t’i mbështetur. Policia ka goditur edhe ish-deputetët e opozitës, Klevis Balliu dhe Endrit Braimllari.

Notre Dame, Shqipëria jep 100 mijë euro për rindërtimin

Shqipëria solidarizohet me Francën, duke u bërë pjesë e donatorëve për rindërtimin e katedrales Notre Dame të Parisit.

Mësohet se qeveria shqiptare ka miratuar një fond prej 100 mijë euro për katedralen historike që u përfshi nga flakët dy ditë më parë.

Ngjarja tronditi mbarë botën dhe disa biznesmenë kanë dhuruar deri tani miliona euro për rindërtimin e katedrales, së cilës i mbetën vetëm strukturat. Vetëm në harkun e 24 orëve u mblodhën 700 milionë euro. Po kështu edhe Kosova u bë pjesë e donatorëve.

Bien eksportet, rritet deficiti tregtar

INSTAT raporton për rënie të eksporteve në tre muajt e parë të vitit dhe për një deficit tregtar 76 mld lekë me rritje 5,6 %, krahasuar me 2018-ën.

Eksportet e mallrave kanë rezultuar me vlerë 72 mld lekë, duke u ulur me 3,0 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kurse importet e mallrave arritën vlerën 148 mld lekë, duke u rritur me 1,2 %.

Eksportet, gjatë këtij tremujori janë ulur me -3,0 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Materiale ndërtimi dhe metale”,“Tekstile dhe këpucë”.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”.

Sipas ekspertëve, rënia e eksporteve në tremujorin e parë të vitit është për efekt të luhatjeve të kursit të këmbimit dhe mosrimbursimit të TVSH-së, që nuk ka nisur ende.

Edi Reja merr drejtimin e Kombëtares shqiptare të futbollit

Trajneri i ekipit kombëtar të Shqipërisë është zgjedhur italiani Edi Reja. Tekniku 73-vjeçar u prezantua nga presidenti Armando Duka në ambientet e FSHF-së. Pas prezantimit, Reja pritet të fillojë menjëherë nga puna, pasi dy ndeshjet e qershorit për eliminatoret e Europianit janë shumë afër dhe skuadra duhet të jetë në formën e saj maksimale për të marrë më të mirën dhe të qëndrojë brenda objektivit për t’u kualifikuar në “Euro 2020”. Reja bëhet kështu trajneri i katërt italian në drejtimin e Kombëtares shqiptare të futbollit, pas Dosenës, De Biazit dhe Panuçit. Objektivi i trajnerit Reja do të jetë të çojë Shqipërinë në fazën finale të “Euro 2020”.

Eliminimi nga Champions, Juventus humb 13 mln euro, bie 24% në bursë

Humbja me Ajaksin në Ligën e Kampionëve ka qenë e dhimbshme në çdo aspekt për Juventusin. Largimi që në çerekfinalet e Champions-it bën që në arkën e klubit torinez të mungojnë shpërblimet që jep UEFA për këtë fazë të kompeticionit. Juventusi djeg së pari 13 milionë eurot e kualifikimit në gjysmëfinale të Champions-it dhe i heq vetes të drejtën për të fituar deri në 33 milionë euro të tjera. Por jo vetëm kaq, në bursë Juventusi ka pësuar një rënie të menjëhershme prej 24%. Sipas asaj që shkruajnë mediet në Itali, mungesa e markës së Juventusit në tregun ndërkombëtar në fazën finale të Champions-it, nga tani në qershor, do të jetë vërtet e dhimbshme për bardhezinjtë, por edhe për kampionatin, Seria A.

Twitter do të ndryshojë rregullat

Bashkëthemeluesi i Twitter, Jack Dorsey, ka thënë se po punohet për të përmirësuar Twitter-in dhe për të shkurtuar sasinë e abuzimit dhe keqinformimit në platformë.

Ai tha se kompania mund të heqë pëlqimet dhe ndjekësit, ndërsa shtoi se nuk e kishte menduar më përpara se do të duhej të bënin një ndryshim të tillë.

Një ndër synimet është që të nxisë përdoruesit që të mos fokusohen në ndjekjen e llogarive individuale, por të inkurajohen të ndjekin hashtagët, trendet dhe komunitetet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë