Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka transferuar drejt një burgu të sigurisë së lartë Dritan Dajtin pak kohë pasi Gazeta Si denoncoi mbajtjen e të dënuarit për katër vrasje të policëve në një ambient paraburgimi siç është paraburgimi 302 në Tiranë. Një burim konfirmoi se Dajti është transferuar në burgun e Peqinit, ashtu sikundër urdhëroi edhe Gjykata e Apelit që kërkoi vuajtjen e dënimit në një burg të sigurisë së lartë. Por nuk ka ende një qëndrim se për çfarë arsyesh 47-vjeçari nga Tirana fill pas vendimit të Gjykatës së Apelit, u dërgua sërish në qelinë e paraburgimit, aty ku ai u mbajt për gati 10 vjet, po aq sa edhe zgjati odiseja gjyqësore.
Nga ana tjetër, çështja për hetimin administrativ të gjyqtarëve që prishën burgimin e përjetshëm për Dritan Dajtin dhe që u denoncua nga Ministria e Drejtësisë edhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor, është arkivuar derisa të ngrihet ILD. Për këtë arsye është e pamundur të ketë një vendim administrativ për gjyqtarët Skender Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj, për sa kohë nuk ekziston ende institucioni që do të mund të kryente hetimin administrativ ndaj gjyqtarëve që zhbënë burgun e përjetshëm për vrasësin e katër policëve. Pas bujës që u shkaktua nga ky verdikt, edhe hetimet penale kanë ngecur. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila mori një vendim gjyqësor për kontroll banese për tre gjyqtarët e dyshuar për korrupsion, nuk ka kryer asnjë veprim tjetër me interes hetimor, duke mos e trazuar qetësinë e trupës, e cila vazhdon detyrën sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë nuk ka caktuar ende asnjë trupë, e cila do të shqyrtonte rekursin e Prokurorisë që insiston dënimin e përjetshëm për Dritan Dajtin. Shkak për këtë ngërç edhe në shkallën e tretë, siç dihet, është pamjaftueshmëria e trupës gjyqësore, përderisa Gjykata e Lartë ka mbetur me vetën tre anëtarë, që janë minimum historik i saj.
Në rekursin që Gazeta Si disponon dhe që publikohet për herë të parë, shtjellohen shkaqet se përse Prokuroria kërkon dënimin e përjetshëm të Dritan Dajtit dhe përse sipas akuzës duhet të prishet vendimi i Apelit.
Gjykata, - thotë prokurori i Apelit për Krimet e Rënda Isa Jata, – ka aplikuar gjykimin e shkurtuar, duke përfshirë në mënyrë mekanike vendime të ndryshme të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Europiane. Këto vendime janë të njëjta, vijohet më tej, me ato që iu referohet edhe mbrojtja e të gjykuarit. Ka rezultuar e provuar sipas Prokurorisë se Dajti që pas nisjes së procesit nuk është paraqitur dhe me dashje ka refuzuar kërkesën për të marrë pjesë në gjykim. Për këtë arsye referimi i Gjykatës së Apelit një vendimi të Gjykatës së Lartë, nuk qëndron pasi sipas prokurorit, Gjykata e Lartë e ka thënë shumë qartë se për këtë subjekt nuk jemi para një procesi të parregullt ligjor për sa u përket vendimmarrjeve të gjykatës, përfshi edhe vendimet e ndërmjetme, sikurse ishte ai për gjykim të shkurtuar. Dua të përmend, pohon prokurori, se Gjykata e Apelit ka tejkaluar edhe kërkesat e vetë të akuzuarit, i cili kërkonte “prishjen e vendimit të dënimit dhënë më 23 korrik 2014 nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe kthimin e akteve po kësaj gjykate, pasi vendimi është rezultat i shkeljeve të rënda proceduriale, pasi nuk është garantuar e drejta e mbrojtjes”.
Në këtë pikë prokurori vijon: “Nga tërësia e këtij ankimi të të pandehurit në asnjë rresht, ai nuk përmend gjykimin e shkurtuar dhe për më tepër, nuk ka ankimuar vendimin e ndërmjetëm që kishte refuzuar kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar”.
Për sa i përket pranimit të gjykimit të shkurtuar që solli zbritje të dënimit nga burg i përjetshëm në 25 vite burgim, prokurori replikon në rekurs paradoksin e aplikimit të këtij gjykimi të shkurtuar 10 vjet më vonë. Prokurori thotë: “Ky shqyrtim gjyqësor ka nisur në vitin 2009 dhe ka përfunduar në shkallën e parë në vitin 2014, është zgjatur dhe zvarritur qëllimisht nga i pandehuri dhe avokatët e tij dhe në këtë mënyrë vetëm për ekonomi gjyqësore që nuk bëhet fjalë”. Sipas prokurorisë, aplikimi i gjykimit të shkurtuar në vështrim të vendimit unifikues numër 2 të Gjykatës së Lartë, nuk duhet të minojë dhënien e drejtësisë. Prokuroria e Apelit për Krimet e Rënda shton më tej se ky vendim në fakt, që zbriti në 25 vjet burgim për Dritan Dajtin e minoi drejtësinë.
Rasti i Emiliano Shullazi
Dhe nëse gjykatat nuk zbatojnë e nuk mësojnë nga gjykatat më të larta, nuk ndodh kështu me të pandehurit. Ata ndonjëherë ndjekin gjurmët e njëri-tjetrit. Siç veproi Dritan Dajti, i cili luajti me gurin më të fortë, atë të avokatëve, njëjtë po luan edhe Emiliano Shullazi.
Prej 6 seancash, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda nuk po realizon çeljen e seancave, pasi herë sëmuren të pandehurit e herë sëmuren avokatët. Procesi në shkallën e dytë ka nisur në muajin janar 2019, pak javë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda kishte dënuar në total me 55 vite burgim anëtarët e bandës së Shullazit. Por që prej janarit procesi nuk po hapet, pasi avokatët po sëmuren njëri pasi tjetrit. Procesi i radhës është vendosur për në datën 23 prill dhe sërish shpresat janë të pakta, aq më tepër që është ende herët për të kuptuar nëse Emiliano Shullazi po përpiqet t’i tregojë “dhëmbët” gjykatës apo ka vendosur të luajë, derisa të kthehet edhe njëherë në qendër të vëmendjes, siç ndodhi vjeshtën e vitit të kaluar, atëherë kur u kthye në mollën e sherrit mes prokurorëve që nuk pranonin të jepnin pretencën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.