Podcast

Audio-Lajme 15 Prill 2019

Raporti sekret, krerët e gjykatave të korruptuar dhe të lidhur me krimin

Tre kryegjyqtarët e shkarkuar nga procesi Vettingut rezultojnë me probleme sipas raporteve sekrete të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

Gjyqtarë Admir Belishta, Alltun Çela dhe Alfred Gjonin drejtues të gjykata Korçë, Sarandë dhe Kurbin rezulton sipas raporteve të siguruara nga Gazeta SI me probleme të korruptuar dhe madje me kontakte me persona të lidhur me krimin.

Gjyqtarët nuk kanë ngurruar që të ushtrojnë presione dhe ndaj kolegëve të tyre për ndryshim vendimesh.

Shahini komandon rektorin e ri, Bernard Dosti

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, pas pezullimit nga detyra të rektorit Mynyr Koni, ku i kërkoi presidentit Ilir Meta shkarkimin e tij, ka komanduar ditën zëvendësuesin e tij në këtë post.

Ai është Bernard Dosti, aktualisht zëvendësrektor në Universitetin e Tiranës dhe do të mbajë këtë pozicion deri në përfundim të çështjes dhe dhënies së vendimit të formës së prerë nga presidenti Meta.

Dekanët e fakulteteve kundër Mynyr Konit

4 dekanët e fakulteteve në Universitetin e Tiranës kanë dalë në mbështetje të ministres Besa Shahini lidhur me pezullimin e rektorit Koni.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, e cilësoi pezullimin e Konit një zgjidhje të vonuar. Po ashtu dekani i Fakultetit Juridik, Artan Hoxha, e ka cilësuar këtë vendim të drejtë, pasi sipas tij do të ndikojë pozitivisht në punën e Universitetit. Ai shtoi se Koni nuk ka zbatuar detyrat dhe janë punësuar njerëz në kundërshtim me ligjin.

Zëvendësi që u akuzua për plagjiaturë merr karrigen e Mynyr Konit

Besa Shahini ka emëruar përkohësisht zv.rektorin Bernard Dosti në vend të Rektorit të pezulluar Mynyr Konit. Emri i Dostit u bë i njohur sidomos në fund të tetorit dhe nëntorin e vitit të kaluar, kur në atë kohë, ish-zëvendësministri, Taulant Muka e denonconte publikisht së bashku me emra të tjerë për plagjiaturë. Fill pas këtij denoncimi, Mynyr Koni iu drejtua me një letër Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, aty ku kishte mbrojtur doktoraturën, Bernard Dosti. Në letër i kërkonte nisjen e procedurave verifikuese në drejtim të zëvendësit të tij për çështjen e plagjiaturës. Kjo ishte molla e sherrit që doli në sipërfaqe mes Dekanit Kule dhe Rektorit Koni.

KLP nuk pranon në mbledhje anëtarin e ri, Vate Staka

Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u miratua raporti për analizën e aftësive profesionale të prokurorëve, një pjesë e të cilëve janë kandidatë për SPAK.

Ndërkohë që në mbledhje u mor në shqyrtim edhe zgjedhja e anëtarit të ri të KLP, Vate Staka dhe u diskutua edhe pranimi i tij.

Këshilli me 6 vota pro vendosi që Vate Staka nuk mund të marrë pjesë në këtë mbledhje. Arsyeja është se duhet pritur nëse do ketë ankimime për zgjedhjen e tij. Prokurori Vate Staka u votua si kandidat për në KLP më 11 prill me 135 vota pro dhe 81 kundër, votim i cili u shoqërua me debate të shumta me kryeprokuroren Arta Marku.

Basha: Jemi kundër qeverisë-bandë, nuk do të ndalemi

Kryedemokrati Lulzim Basha vijon me sulmin ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Basha shprehet se është në krah të popullit kundër qeverisë Rama që sipas tij është një qeveri bandë. Ai shkruan se “PD e ka bërë zgjedhjen kundër këtij kryeministri kryehajdut dhe nuk do të ndalet në kauzën e saj”.

Gazi lotsjellës në protesta, Bardhi: Lleshaj, mbetje e komunizmit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u paraqit në Prokurorinë e Tiranës, pasi është thirrur për padinë e bërë nga Partia Demokratike ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe policisë.

Padia nga ana e PD-së është dorëzuar pas protestës së 16 marsit dhe akuzon ministrin e Brendshëm dhe policinë për përdorimin e gazit lotsjellës kundër protestuesve të opozitës.

Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë, në një prononcim të shkurtër për gazetarët Bardhi e quajti ministrin Lleshaj, mbetje të komunizmit dhe tha se sot ka çuar në prokurori prova e fakte për dhunën e bërë ndaj qytetarëve.

Plagosi ish-boksierin e Vllaznisë, arrestohet pas dy vitesh autori

Rreth dy vite pas ngjarjes, policia e Shkodrës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes së boksierit të Vllaznisë, Nelson Hysa.

Në pranga ka përfunduar Valter Ksolla, 23 vjeç, banues në Lagjen “Mark Lula”, Shkodër. Policia ka arrestuar gjithashtu edhe vëllezërit dy vllezer 32 dhe 25 vjec, banues në fshatin Grudë e Re për veprat penale të “Përkrahja e autorit të krimit”.

Ndërkohë, më 9 mars të këtij viti, Hysa u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda si pjesë e grupit kriminal Bajri.

Thaçi: Marrëveshja Serbi-Kosovë arrihet brenda vitit

Presidenti Hashim Thaçi është optimist se mes Beogradit dhe Prishtines do të arrijnë të firmosin një marrëveshje përfundimtar brenda 2019-ës.

“Një pakt eshte i mundur brenda këtij viti pavarësisht nga pengesat e muajve të fundit në muajt e fundit” deklaroi presidenti për “The Guardian”.

Presidenti theksoi ndër të tjera se kishte investuar të gjithë kapitalin politik gjatë dy dekadave tek bisedimet Kosovë-Serbi dhe çmimi i dështimit të tyre do të ishte në dëm të mbarë rajonit.

Bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës janë ndërprerë që nga nëntori, kur Kosova vuri taksën për produktet serbe.

Vdes Mirjana Markoviç, gruaja pas “Kasapit të Ballkanit”

Mirjana Markoviç, e veja e ish-presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, vdiq të dielën në një spital në Moskë, ku i ishte siguruar azil politik.

Ajo njihet si “frymëzuesja” e shumë prej masakrave të bashkëshortit të saj dhe ishte përkrahësja më e madhe e Millosheviçit, të ashtuquajturit “Kasap i Ballkanit.

Markoviç njihej si një ultranacionaliste që e mbështeste bashkëshortin e saj në të gjitha krimet dhe çmenduritë e sundimit të tij.

Ajo shpesh është shprehur se ka qenë vetë ajo që i kërkonte bashkëshortit të saj “mbrojtjen e serbëve në Kosovë” dhe justifikonte çdo dhunë apo masakër ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Skanimi i kontratave për HEC-et, nuk janë respektuar kushtet ligjore dhe afatet proceduriale

Mosrespektimi i afateve proceduriale dhe mosrespektimi i kushteve ligjore dhe kritereve në kontratat dhe lejet e lëshuara janë ndër problematikat që janë identifikuar gjatë procesit në vazhdim të skanimit të HEC-eve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas zv/ministrit të Energjisë Hantin Bonati, nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, tashmë ka përfunduar procesi i monitorimit dhe verifikimit i situatës në terren dhe puna është fokusuar në praktikën dokumentare dhe në koordinimin e qëndrimeve me institucionet e tjera: Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë e Manaxhimit të Burimeve Ujore për të dalë në konkluzionet finale mbi procedurat dhe hapat që do të ndiqen.

Nga vijimi i procesit të skanimit, kanë rezultuar dhe 9 raste të tjera të shkeljeve të kushteve kontraktuale nga ana e subjekteve, për të cilat do të fillohet procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës.

Numri  total i praktikave deri më tani për të cilat ka filluar procesi i ndërprerjes në mënyrë të njëanshme të kontratave koncesionare shkon në 17 raste.

Luanët e dëmtuar të “Safari Park” pengohen për t’u larguar nga Shqipëria

Rikthehet vëmendja tek kafshët e dëmtuara të "Safari Park". Që prej skandalit të publikuar kafshët u zhvendosën në kopshtin zoologjik të Tiranës. Ndërkohë që kafshët e tjera i’u gjetën vende strehimi, për luanët ende nuk është zgjidhur kjo çështje. Sipas gazetës "Daily Mail" luanët jetojnë ende në kushte jo të mira në kopshtin zoologjik në Tiranë. Ata janë të mbyllur në kafaze të vegjël.

Këtë denoncim të gazetës e mbështet edhe Ioana Dungler drejtoresha e “Four Paws” organizata ndërkombëtare e bamirësisë së kafshëve, që mori përsipër shpëtimin e kafshëve nga kopshti privat në Fier. Mbas këtij denoncimi publik, ministria shqiptare e turizmit ka reaguar duke thënë për “Daily Mail” se luanët duhet të mbahen deri në shtator në Shqipëri, për shkak se pronari i tyre i parë është duke kërkuar kompensim nga gjykata për humbjen e biznesit dhe derisa çështja gjyqësore të zgjidhet, luanët nuk mund të largohen nga vendi.

Arrihet akordi me Edi Rejën, firmos të martën për Shqipërinë

Kombëtarja e Shqipërisë do të drejtohet nga italiani Edoardo Reja, trajneri i njohur italian. Gjithçka pritet të marrë formë zyrtare shumë shpejt, por marrëveshja është arritur tashmë për pasuesin e Kristian Panuçit. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk heq dorë nga trajnerët italianë. Reja ishte i pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi”, ku ndoqi nga afër ndeshjen Shqipëri-Turqi dhe në atë kohë u shpreh se kishte ardhur në Shkodër për të ndjekur disa lojtarë, por u kuptua qartë se cili ishte misioni i tij i vërtetë nga njerëzit që e shoqëronin. Më pas janë bërë edhe bisedime të tjera për të arritur marrëveshjen, që do të finalizohet me firmën në kontratë.

Vendimet e Asamblesë, FSHF gllabëron edhe të drejtën televizive

Këtë të hënë u zhvillua Asambleja e zakonshme e Federatës Shqiptare të Futbollit për vitin 2019, ku u morën disa vendime.  Ndër vendimet më të rëndësishme, ishin ndryshimet në nenin 55 për çështjen e të drejtës televizive për kategoritë e futbollit shqiptar, që tashmë kalojnë nën administrimin e FSHF-së dhe përjashtimi i disa klubeve që kishin dalë jashtë aktivitetit. Presidenti i FSHF-së, Duka, u shpreh se ky ishte hapi i parë drejt një ndryshimi cilësor për futbollin shqiptar. Për numrin një të futbollit shqiptar duhet të intensifikohet puna për të përmirësuar kushtet për të gjithë aktorët pjesëmarrës në këtë lojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë