Podcast

Audio-Lajme 12 Prill 2019

Sekuestro milionave të Admir Muratajt

Prokuroria ka vënë në sitë pasuritë e 14 të afërmve të Admir Muratajt. Në emër të Admir Muratajt është vetëm banesa 2-katëshe në Prezë, por sekuestro është kërkuar për troje, apartamente, makina e garazhe në emër të vëllezërve të tij, Can dhe Aleksandër Murataj, si dhe pasuria e vendosur në emër të bashkëshortes së tij. Prokuroria ka dorëzuar kërkesën pranë Gjykatës për Krimet e Rënda duke besuar se pasuria në fjalë buron nga paratë e vjedhura gjatë tre grabitjeve të mëparshme, ku Admir Murataj konsiderohet si organizatori i tyre.

Grabitja në Rinas, në Elbasan ndalohet ish-polici. Komunikonte me autorët

Policia e Elbasanit ka shoqëruar në komisariat një shtetas, që dyshohet se ka lidhje me grabitjen e parave të martën e 9 prillit në Aeroportin e Rinasit. Paraprakisht mësohet se personi që është shoqëruar është një ish-efektiv policie, me inicialet A. H që ka shërbyer në Elbasan. Nga ekspertiza që është bërë rezulton se nga telefonatat që kanë bërë autorët, ish-efektivi ka komunikuar me grabitësit e Rinasit dhe ka elementë të bashkëpunimit.

Prokurorët në Rinas, sekuestrojnë dokumentacionin e TIA

Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë shkuar në Rinas, në vendin ku u grabitën miliona euro, për të hetuar në pistën e avionëve.

Ata po hetojnë për grabitjen me armë, por edhe për shpërdorim detyre. Ndaj kanë mbledhur dokumentacionin për çdo veprim që nga momenti që fugoni hyri në pistë, si u vu në lëvizje aeroporti, policia, etj. Mësohet që kur është lajmëruar policia, punonjësit e TIA-s nuk kanë hapur portën dhe policia është detyruar që të ecë paralel me rrethimin e jashtëm, çka ka sjellë humbje kohe.

Rama takohet me Tsipras, në Greqi optimistë për “detin”

Kryeministri Edi Rama u takua me homologun grek, Aleksis Tsipras në Kroaci, ku ndodhen në kuadër të samitit të vendeve të Europës Jug-lindore me Kinën. Tsipras shpërndau në rrjet sociale një foto nga takimi, por nuk ka detaje se çfarë u diskutua. Në mediat greke flasin me tone optimiste se takimi do të riaktivizojë bisedimet teknike për çështjen e kufirit detar dhe do ta mbyllë këtë kapitull njëherë e përgjithmonë brenda një kohe të shkurtër. Takimi u zhvillua me nismën e kryeministrit grek, i cili pak javë më parë kërcënoi Shqipërinë me bllokimin e proceseve integruese për në Bashkimin Europian nëse qeveria shqiptare nuk tërhiqej nga një vendim për të bllokuar dhënien e titujve të pronësisë mbi tokat në bregdet. Athina deklaroi se ky vendim i Tiranës cenonte pronat e pakicës greke në Himarë.

Holanda: S’kemi vendosur ende vizat! E votojmë më 16 prill

Parlamenti holandez nuk ka marrë ende një vendim mbi mocionin për rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë apo jo. Kjo konfirmohet nga zyra e shtypit e “Staten General”, që është Dhoma e Përfaqësuesve e ligjvënësve holandezë. Gazeta “Si” kontaktoi këtë zyrë për të marrë një përgjigje mbi lajmin e përhapur në Tiranë, që thotë se deputetët holandezë kanë vendosur vendosjen e vizave për shqiptarët, një kërkesë e paraqitur nga tre grupe parlamentare. Në përgjigjen e marrë sqarohet se nuk bëhet fjalë për një vendim konkret, por për një mocion mbi të cilin deputetët po diskutojnë. Votimi në seancë, thuhet në reagim, do të kryhet më 16 prill. Kërkesën për rivendosjen e vizave për shqiptarët, partitë politike holandeze e mbrojnë me argumentin me rritjen e kriminalitetit dhe bandave shqiptare në Holandë.

“Babalja”, Salianji: Procesi është “montuar”, do kemi surpriza

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, nga Gjykata ku është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj tij për “kallëzim të rremë”, për çështjen Babale është shprehur se procesi ndaj tij është “i montuar”. Salianji u shpreh i bindur se do të publikohen detaje të reja mbi këtë çështje, teksa theksoi se nuk intimidohet aspak nga akuzat që i bëhen përkundrejt tij. Më herët, në një postim në “Facebook”, Salianji thekson se është politikani që është kallëzuar e paditur më shumë nga ana e qeverisë, por shprehet i bindur se do të vijojë të denoncojë çdo herë që sheh korrupsion dhe krim të organizuar.

Gjykata: Prokurori Bujar Sheshi nuk është ish-sigurims

Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar kërkesën e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, duke shfuqizuar vendimin e marrë nga Autoritetit i Dosjeve se Sheshi është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Avokati i prokurorit Sheshi tha se ai ka kryer punën e tij si hetues në atë kohë në përputhje me ligjin.

Tuberkulozi në Shqipëri po prek më shumë të rinjtë

Kequshqyerja, kushtet e këqija të jetesës dhe imuniteti i dobët janë shkaqet kryesore për sëmundjen e tuberkulozit, e cila shkaktohet nga mikrobi “Mycobacterium tuberculosis” dhe kryesisht prek mushkëritë. Të dhënat tregojnë se në vendin tonë në tërësi rezultojnë 500 të prekur nga kjo sëmundje, të cilët vazhdojnë të kurohen.

Tuberkulozi prek kryesisht të rriturit në periudhën më produktive të jetës. Megjithatë, të gjitha grupmoshat janë të rrezikuara. Drejtoresha e Dispanserisë në Tiranë Entela Nako, tha për Gazetën “Si” se vitet e fundit kjo sëmundje po zhvillohet më shumë tek moshat e reja. Sipas pneumologes Nako, të infektuarit që paraqiten pranë Sanatoriumit “Shefqet Ndroqi” dhe Dispanserisë janë kryesisht nga komunitetet rome në lagjen 10, të cilët kontrollohen vazhdimisht nga një infermier i qendrës së Dispanserisë dhe zona e Kamzës.

Kina premton heqjen e vizave për shqiptarët!

Pas heqjes së vizave për turistët kinezë gjatë sezonit turistik, Pekini zyrtar ka premtuar heqjen njëherë e mirë të vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama në Zagreb, kryeministri kinez, Li Keqiang u shpreh se Kina dhe Shqipëria duhet të përmirësojnë komunikimin për të arritur një marrëveshje për heqjen reciproke të vizave mes dy vendeve për të lehtësuar sipas tij lëvizjet e të rinjve.

Kreu i qeverisë kineze po ashtu të tha të enjten se Kina mirëpret eksportin e produkteve bujqësore shqiptare në Kinë.

Britanikja “Who” rekomandon Shqipërinë si destinacioni më i mirë europian për 2019

Revista e njohur britanike “Who” ka renditur katër destinacionet më të mira të Europës për të kaluar pushimet këtë verë.

Sipas revistës, Shqipëria meriton një vëmendje të veçantë, pasi është një nga destinacionet më të mira.

“Fshati i vogël i Ksamilit, përgjatë Rivierës Jugore Shqiptare pranë Sarandës dhe Korfuzit, krenohet me disa nga plazhet më spektakolare në Europë. Ushqim deti me bollëk si dhe janë shumë afër Butrinit dhe Gjirokastrës, dy zona të mbrojtura nga UNESCO”, shkruan revista britanike.

“Shqipëria mbetet destinacioni ku mund të ngjitesh nëpër male, të qëndrosh në fshatrat e vegjël të cilët duket sikur vijnë nga një kohë tjetër, si dhe të eksplorosh kryeqytetin plot gjallëri, Tiranën, për më pak pará se kudo tjetër në Europë”, mbyllet shkrimi i revistës, duke iu referuar edhe guidës së Lonely Planet për 2019.

Duka flet për trajnerin e ri dhe stadiumin e Shkodrës

Trajneri i ri i Kombëtares shqiptare të futbollit pritet të zgjidhet brenda këtij muaji. Kështu ka deklaruar presidenti i FSHF-së, Armand Duka nga qyteti i Shkodrës, ku ishte i pranishëm për inaugurimin e një fushe sportive. Duka tha se stafi i ri i Kombëtares do të jetë gati për ndeshjen e radhës. Më tej, presidenti i FSHF-së, ka thënë se stadiumi, “Loro Boriçi” do të kalojë shumë shpejt nën administrimin e Bashkisë së Shkodrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë