Podcast

Dëgjoni audio -Lajme shkurt 11 prill 2019

Ushtria në Rinas, Meta kërkon llogari nga shefi i shtabit

Presidenti Ilir Meta Presidenti i kërkon zyrtarisht informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakut mbi bazën ligjore për dislokimin e efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza. Sipas zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi pasi të ketë një informacion më të plotë, kreu i shtetit mund të bëjë një reagim publik.

Xhaçka: Nuk ka pse të njoftohej presidenti

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mbrojti vendimin për sigurimin me polici ushtarake të aeroportit të Rinasit, duke deklaruar se nuk kishte pse të njoftohej presidenti për një vendim të tillë.

“Nuk jemi në kohë lufte dhe nuk kemi në fakt as emergjencë. Kemi vetëm cenim të sigurisë të një objekti të rëndësisë së veçantë”, deklaroi Xhaçka.

Balluku: Limitet u kapërcyen, koncesionari prishi imazhin e vendit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një deklarate për mediat, foli për masat që priten të merren nga qeveria pas grabitjes së parave në Rinas.

Balluku hodhi akuza ndaj kompanisë koncensionare kineze, që merrej me sigurinë e aeroportit, duke thënë se ajo ka shkelur kontratën. Ajo deklaroi se tashmë do të merren masa të forta sepse limitet janë kapërcyer dhe se kjo kompani ka dëmtuar imazhin e vendit tonë.

Prokurori Vate Staka miratohet si anëtar në KLP

Prokurori Vate Staka është miratuar si anëtar në KLP në mbledhjen e asamblesë me 135 vota pro dhe 81 kundër. Mbledhja e asamblesë u shoqërua me replika të forta mes një grupi prokurorësh dhe kryeprokurores Arta Marku.

Opozita protestë simbolike, Rama flet për negociatat

Kjo e sotmja ishte e enjtja më e qetë e parlamentit. Opozita organizoi vetëm një protestë simbolike me të rinjtë në hyrje të godinës, ndërsa gjithë “bateritë” i ka lënë për të shtunën në protestën para Kryeministrisë.           

Ndërkohë në seancë mazhoranca u përball me opozitën e re, ku nuk munguan replikat dhe debatet për aktualitetin politik dhe grabitjen e Rinasit. Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur e anashkaloi këtë ngjarje të rëndë dhe u përqendrua te hapja e negociatave. Sipas tij, Shqipëria e meriton plotësisht hapjen e negociatave sepse ka punuar shumë për këtë. 

Rinasi, replika mes deputetit Ralf Gjoni dhe ministrit Lleshaj

Pas grabitjes së Rinasit, deputeti i opozitës, Ralf Gjoni i kërkoi Presidentit që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa i bëri thirrje Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj që nëse për 2-3 javë nuk kapen autorët dhe të gjenden lekët, të japë dorëheqjen, teksa javën e ardhshme njoftoi se do ta thërrasin në interpelancë. Ndërkohë, ministri Lleshaj tha se ngjarje të tilla ndodhin në çdo vend, ndërsa në rastin konkret policia reagoi në kohë rekord.

Rama: Të gjitha konviktet do të rindërtohen deri në fund të mandatit

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Qytetin Studenti ku ka biseduar me studentët dhe ka parë ecurinë e punës për rikonstruksionin e konvikteve.

Kreu i qeverisë ka parë afër godinat 28/29 ku kanë përfunduar punimet në ambientet e përbashkëta dhe bëri një premtim tjetër para studentëve, duke thënë se të gjitha konviktet e Shqipërisë do të rindërtohen deri në fund të mandatit.

Vrasja e Marvi Mihalit, jepet vendimi për 4 të akuzuarit

Gjykata penale ka dhënë vendimin për 4 të pandehurit që akuzohen për vrasjen e 22-vjeçarit Marvi Mihali, në verën e vitit 2017.

Përkatësisht Devis Bitraj është dënuar me 19 vite burg, Eugen Bitraj me 12 vite burg, të dy janë dënuar në mungesë. Gjithashtu Kridens dhe Marsel Alla janë dënuar me nga 12 vite burg.

Pas vendimit kanë shpërthyer në akuza të rënda prindërit e të riut të vrarë, duke kërkuar dënim maksimal për të pandehurit. Përndryshe, ata paralajmëroan se do të bëjnë vetëgjyqësi.

Haradinaj, Thaçi, Vuçiç, Brnabiç, Rama dhe Meta mblidhen në Berlin

Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian kanë vendosur të mbledhin në Berlin më 29 prill udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Ilir Meta. Samiti i organizuar nga Franca do të kërkojë bashkëpunimin rajonal dhe pritet të jetë në sinjal pozitiv për vendimin e hapjes së negociatave në qershor. Megjithatë një nga qëllimet kryesore të këtij takimi duket se do të jetë fillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Arrestohet në Londër themeluesi i Wikileaks

Julian Assange është arrestuar të enjten në ambasadën e Ekuadorit në Londër, pasi kjo e fundit tërhoqi statusin e azilantit për themeluesin e Wikileaks.

Assange mori strehim në ambasadë 7 vite më parë për të shmangur ekstradimin në Suedi ku akuzohej për sulme seksuale dhe pretendimet për përdhunimet e dy grave në vitin 2010, por kishte arritur t’i shpëtonte dëbimit falë strehimit në ambasadën ekuadoriane.

Policia britanike shprehet se ai është marrë nga forcat e sigurisë dhe do të shfaqet ne gjyq sa më shpejt të jetë e mundur.

Europa League, sfida “zjarri” për Napolin dhe Valencian

Luhen mbrëmjen e kësaj të enjte 4 ndeshjet e fazës çerekfinale të Ligës së Europës. Janë katër përballje shumë të forta dhe të 8-a ekipet që do zbresin në fushë, mund t’i shkojnë deri në fund këtij kompeticioni. Arsenali pret Napolin, Benfika gjermanët e Eintrahtit të Frankfurtit, ndërsa Çelsi udhëton drejt Sllavias së Pragës. Një përballje shumë e fortë pritet të jetë edhe derbi spanjoll mes Vilarealit dhe Valencias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë