Vakanca në Gjykatën Kushtetuese, 8 kandidatë në garë
Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur sot listën e kandidatëve për gjyqtar për të plotësuar vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Në faqen e Kuvendit të Shqipërisë janë publikuar emrat e 8 kandidatëve që do të plotësojnë vakancën. Kandidatët janë: Arta Vorpsi; Avni Shehu; Elsa Toska; Fiona Papajorgji; Klodian Rado; Kostandin Kazanxhi; Mitat Dautaj; Ilir Mustafaj; Valbona Bala (Pajo).
KPA shtyn seancën për Rovena Gashin
KPA ka shtyrë më 23 prill seancën gjyqësore për ish-prokuroren Rovena Gashi, për ankimin lidhur me shkarkimin e saj si prokurore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Seanca është shtyrë, pasi nuk është pranuar zgjedhja e saj për të pasur avokaten Ema Gashi, të motrën si ndihmëse ligjore në këtë proces. KPA e ftoi Gashin të zgjedhë një ndihmës tjetër ligjor.
Dosja Tahiri-Habilaj. Përgjimet: Si komunikonin drejtuesit e policisë me trafikantët
Tashmë që u caktua treshja gjykuese që do të gjykojë Saimir Tahirin dhe tre ish-zyrtarët e lartë të policisë, Gazeta Si publikon dhe faktet e provat që prokurorët besojnë se të pandehurit kanë kryer vepra penale. Në 87 vendime të seancës paraprake që Gazeta Si disponon, prokurorët përmbledhin fabulën e 56 fashikujve hetimorë. Në përgjime, sipas Prokurorisë, konfirmohet fakti se eksponentët e grupi Habilaj ishin vazhdimisht të informuar mbi lëvizjet dhe hetimet që policia apo Shërbimi Informativ kryente mbi ta.
Zbulohet dokumenti, gjyqtarit iu refuzua viza e SHBA
Ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imerajt i është refuzuar dhënia e vizës nga ana e ambasadës amerikane. Një dokument sekret i Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, DSIK i siguruar nga Gazeta SI, thekson se Imerajt iu revokua viza amerikane pak përpara se ai të deklaronte tërheqjen nga sistemi i drejtësisë.
Imeraj, gjithashtu, sipas këtij raporti sekret, ishte papërshtatshëm për të qenë pjesë e drejtësisë, pasi shërbimet sekrete i kishin faktuar lidhjet e tij me përfaqësues të krimit të krimit të organizuar.
Vasili: Paguajmë miliona euro për një administratë të korruptuar
Kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili, në një deklaratë për mediat është shprehur se shteti shqiptar në vetëm 5 vite është detyruar të paguajë 102 milionë euro për largimet partiake nga puna. Vasili tha se këto para përdoren për ndërtimin e një administrate të korruptuar. Po ashtu, kreu i grupit parlamentar të LSI-së shtoi se 32 milionë euro të financuara nga Bashkimi Europian për administratën publike janë bërë ‘rrush e kumbulla’.
Delvinë, tritol depos së ujësjellësit
Një sasi tritoli është vendosur në ambientet e depos së ujësjellësit në fshatin Kopacez të Delvinës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa ende nuk dihen rrethanat, ndërsa tritoli i ishte vendosur tubit qendror të shpërndarjes.
Ujësjellësi në fjalë furnizon me ujë disa fshatra të këtij qyteti.
Rama: Është rritur besimi ndaj “Bashkëqeverisjes”
Kryeministri Edi Rama ishte në takimin e përjavshëm me “Platformën e Bashkëqeverisjes” ku qytetarët kanë prezantuar problemet e tyre të zgjidhura nëpërmjet platformës. Rama u shpreh se sipas të dhënave të sondazheve është rritur besimi te platforma. Sipas tij, nëpërmjet kësaj platforme qytetarët jo vetëm që marrin shërbim dhe zgjidhin hallet e tyre, por njëherësh ushtrojnë presion mbi administratën, duke e përmirësuar punën e tyre.
Ndotja e ajrit do të shkurtojë jetën e fëmijëve me 20 muaj
Jetëgjatësia e fëmijëve të lindur sot do të shkurtohet me mesatarisht 20 muaj si shkak i thithjes së ajrit toksik që është i përhapur në të gjithë globin. Numri më i madh i vdekjeve për shkak të ndotjes së ajrit janë shënuar në Azinë jugore, ndërsa SHBA-ja, Norvegjia, Kanadaja apo Suedia raportojnë cilësinë më të lartë të ajrit në botë ndërsa ato në zhvillim paraqiten më dobët. Sipas Institutit Amerikan për Efektet në Shëndet, ndotja e ajrit ka kontribuar në gati një në çdo 10 vdekje në vitin 2017, duke e bërë një vrasës më të madh se malaria, apo aksidentet rrugore. Studimi ka analizuar edhe rastin e Shqipërisë, ku vendi duket se ka bërë hapa përpara për uljen e ndotjes së ajrit nga viti në vit, por numri i viktimave si pasojë e tij ka ardhur duke u shtuar.
Banka Botërore: Reforma për skemën sociale, duhen ndryshime ligjore
Banka Botërore sqaron se projektligji i ri për asistencën sociale që qeveria ka publikuar për diskutim, po asistohet prej saj dhe ka dalë si domosdoshmëri në implementimin e reformës.
Ajo dhe qeveria po vazhdojnë të punojnë me disa ndryshime të tjera ligjore që të përputhen me reformën dhe me risitë që ka sjellë ajo.
Lista e 10 punëve më të kërkuara online
InfoJobs, portal i specializuar në rekrutimin online, ka listuar 10 punët më të kërkuara online. Shitës, agjent shitjeje, magazinierë, kontabilistë, dizajnues industrialë dhe zhvillues softëare, nëpunësit, punëtorët, zotëruesit e makinerive të ndryshme, punonjës të administrimit të aksioneve janë 10 punët më të kërkuara.
Sherri i presidentëve Laska-Halili, procedohen në gjendje të lirë
Dhuna është kthyer në kryefjalë të futbollit shqiptar. Pas ndeshjes Laçi-Tirana, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, ka ndodhur një sherr mes presidentëve Pashk Laska të Laçit dhe Refik Halili të Tiranës, të cilët janë proceduar në gjendje të lirë. Burime për Gazeta “Si” bëjnë me dije se sherri i nisur në ndeshjen e së shtunës në “Selman Stërmasi” ka vazhduar në Laç. Te rrethrrotullimi “Shqiponja” dy presidentët janë konfrontuar fizikisht mes tyre, pasi Laska e kishte ndjekur Halilin nga Laçi deri në Tiranë.
Shqipëria zbret në renditjen e FIFA-s, Kosova rritje me 3 pozicione
FIFA ka publikuar renditjen e ekipeve kombëtare për muajin prill. Nuk ka ndryshime të mëdha në krye të kësaj renditjeje, ndërsa për ekipin tonë kombëtar, vijon rënia. Shqipëria është një pozicion më poshtë në këtë renditje të FIFA-s, ndërsa Kosova ka vazhduar edhe këtë muaj rritjen e saj të pandalshme, duke u pozicionuar për këtë muaj 3 vende më lart.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.