Ekonomi

Banka Botërore: Reforma për skemën sociale, duhen ndryshime ligjore

Banka Botërore sqaron se projektligji i ri për asistëncën sociale që qeveria ka publikuar për diskutim, po asistohet prej saj dhe ka dalë si domosdoshmëri në implementimin e reformës.

“Ne e kosniderojmë implementimin e skemës për asistencën sociale si të suksesshme, e cila nisi si projekt pilot në tre rajone; Tiranë, Durrës, Elbasan. Është implemenetuar për një periudhë tre vjeçare. Vjet në janar u shtri në të gjithë rajonet e vendit dhe përsëri ka vazhduar të ketë sukses. Rezultatet vijojnë të jenë ato të pritshme, pavarësisht problemeve që ka patur dhe vazhdon të ketë. Një pjesë e rëndësishme që ka qenë dhe vazhdon të mbetet janë ndryshimet ligjore. Sigurisht, kjo është pjesë e bashkëpunimit të BB-së me qeverinë, ashtu siç ka qenë deri më sot. Janë bërë disa ndryshime ligjore të rëndësishme; kalimi i marrjes së ndihmës ekonomike tek gratë, vendosja e një përfitimi lidhur me arsimimin e fëmijëve për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike.”- shprehet Banka Botërore.

Ajo dhe qeveria po vazhdojnë të punojnë me disa ndryshime të tjera ligjore që të përputhen me reformën dhe me risitë që ka sjellë reforma në implementim.

Banka Botërore, shpjegon se “Pavarësisht se projekti ynë fillestar origjinal është përmbyllur në tetor të vitit të kaluar, kemi rënë dakord me qeverinë shqiptare për ta vijuar projektin edhe për dy vite e gjysmë të tjera duke dhënë një financim shtesë, për të vazhduar mbështetjen e dy reformave; ndihmës ekonomike dhe asistencës sociale, ashtu edhe të paaftësisë. Ky është qëllimi; që projektligji i ri të shmangë problematikat e hasura në impelementimin e reformës, megjithatë është një proces. Sepse ndryshimet nuk bëhen një herë e përgjithmonë. Vetë shtrirja e implementimit të skemës në të gjithë vendin solli problematika të reja, por prandaj ne jemi këtu për ta mbështetur qeverinë edhe në dy vitet e ardhshme.”

Kjo është hera e shtatë që prej vitit 2005 që qeveria bën ndryshime ligjore në skemën e ndihmës ekonomike që përfshin asistencën sociale, megjithatë sipas Bankës Botërore, përderisa gjithçka është një process, ajo dhe qeveria do të vazhdojnë të eksperimentojnë gjatë rrugës për të gjetur mënyrën më të mirë të implementimit sipas saj të reformës për ndihmën ekonomike.

Megjithë ndryshimet e herëpasherëshme në skemën sociale, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka një minimum jetik, i cili do të shërbente si referencë për indeksimin dhe rritjen e të gjitha pagesave mujore në vend.

Sipas një studimi të Avokatit të Popullit dhe Qëndrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike minimumi jetik në Shqipëri do të duhej të ishte në vlerën e 16, 000 lekëve.
Projektligji i ri për asistencën sociale parashikon përfitimin e ndihmës ekonomike si një pagesë e kufizuar në kohë. Ky kufizim kohor do të synojë integrimin në jetën shoqërore të familjeve në skemën e ndihmës nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit, me qëllim që kjo skemë të mos përdoret si mekanizëm përfitimi që mund të çojë në papunësi të zgjatur të anëtarëve të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike.

Projektligji parashikon gjithashtu të drejtën e përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar e cila garantohet si një e drejtë e cila edhe në rastet e punësimit të personit me aftësi të kufizuar, përfitohet deri në 4 vite krahas pages, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë