“Nuk kemi më besim. Janë mashtrues”. Ky ka qenë lajtmotivi i protestës së tretë brenda gati dy muajve të mbi 4000 fermerëve në Lushnje ditën e sotshme, e cila zgjati më shumë se dy orë.
“Mos takso fermerin, por ndihmoje atë”, “Jo uljes 14% të çmimit të qumshtit që merrni nga fermeri”, “Nafta e traktorit tim e ka çmimin e njëjtë me naftën e benzit tënd” ishin disa nga problematikat e ngitura prej fermëve përmes pankartave që bartin në duar gjatë protestës së nisur prej orës 11:00 në rrethrrotullimin e Savrit në Lushnje.
Si simbolikë për të disatën herë, fermerët duke thirrur njëzëshmi “turp, turp, turp,….” kanë derdhur disa bidona me qumësht dhe arka me fruta-perime për të treguar se puna e tyre po shkon dëm dhe premtimet e qeverisë për ti mbështetur nuk kanë rezultuar të vërteta sipas tyre.
“Kam tokë me qira, kam marrë kredi me interes 25% dhe kam shtuar krerët e lopëve sepse qeveria premtoi, por unë vetëm po humb. Përse të punoj? Kam më shumë kosto se fitim”- është shprehur një prej fermerëve.
Protestës i janë bashkuar fermerë nga e gjithë Shqipëria; Lushnja, Berati, Fieri, Elbasani, Gjirokastra. Burimet e gazetës “Si” bënë me dije se drejt protestës ishte nisur edhe një autobus me fermerë dhe grumbullues nga Shkodra, por që u ndalua prej efektivëve të policisë për verifikime.
Nga rrethrrotullimi i Savrës, protestuesit marshuan në mënyrë paqësore deri te fabrika e Plastmasit në Lushnje ku vijuan me demonstrime simbolike dhe me fjalime të tjera për të treguar problematikat e tyre.
Fermerët vazhdojnë të kërkojnë barazim të TVSH-së ; atë në blerje me atë në shitje.
Qeveria ende nuk ka dhënë një përgjigjje përfundimtare zyrtare, por skenari i vetëm që përflitet është ai i rimbursimit drejtpërdrejtë të fermerëve, gjë që vetë fermerët e kundërshtojnë sepse e konisderojnë të pamundur ndërsa situata sipas tyre është emergjente.
Deri tani nuk ka një vendimmarrje mes fermerëve se si do të përvijojnë, por disa prej tyre thanë për gazetën “SI” se do të mblidhen në ditët në vazhdim për të diskutuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.











