Podcast

Audio – Shkurt lajme 2 Prill 2019

Hahn “shpërfill” protestat: Të hapen negociatat me Shqipërinë

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn gjatë diskutimit të fundit të Parlamentit Europian mbi temën e zgjerimit, u shpreh optimist se në bazë të asaj që është parë deri më tani, kur të vijë koha e publikimit të progres-raportit për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë do të kërkohet hapja zyrtare e negociatave.

Sa u përket protestave, ai tha se motivet e protestave nuk janë të njëjta, as në Mal të Zi, as në Serbi dhe as në Shqipëri dhe i cilëson si një “Pranverë Ballkanike”. Hahn kërkoi që Bashkimi Europian të mendojë për një periudhë afatgjatë. Nën ethet e zgjedhjeve për eurodeputetët ai kërkoi një strategji 10-vjeçare për zgjerimin dhe kujtoi se zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve me fqinjët është vendosur si parakusht për anëtarësimet e reja.

Homazhet në Shkodër, Basha: 2 Prilli më aktual se kurrë

Shkodra ka përkujtuar sot demonstratën antikomuniste të 28 viteve më parë, ku mbeten të vrarë katër dëshmorët e demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka.

Në ceremoninë përkujtimore për 2 prillin përveç drejtuesve të pushtetit lokal dhe të afërmve të dëshmorëve të demokracisë, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit më të lartë të Partisë Demokratike.

Ceremonia nisi me vendosjen e kurorave me lule në Memorialin e 2 Prillit 1991.

Kryedemokrati Lulzim Basha në fjalën e tij u shpreh se 2 prilli është kujtesë e përhershme për Shqipërinë. Po ashtu theksoi se sot Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë po ia merr ajrin një shartesë, një monstër sa politike aq dhe kriminale dhe se sot 2 prilli është më aktual se kurrë.

Kryebashkiakia e LSI e refuzon, Rama: Pas 30 qershorit të fokusohet te bebja

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Rrajcë bashkë me ambasadoren gjermane Susanne Schutz, ambasadorin e Bashkimit Europian, Luigi Soreca si dhe deputetë të qarkut në kuadër të një aktiviteti për furnizimin me ujë.

E nga ky aktivitet, Rama nuk ka ngurruar të thumbojë kryetaren e Bashkisë së Përrenjasit, të zgjedhurën e LSI-së, Miranda Rira. Ajo nuk ka marrë pjesë në aktivitet sot, pasi është bërë nënë pak ditë më parë. Rama tha se do t’i krijojmë të gjitha mundësitë që pas 30 qershorit të fokusohet te bebja, duke iu referuar zgjedhjeve lokale.

Kreu i qeverisë tha se në sajë të fondeve nga Bashkimi Europian do ofrohet mbështetje për investitorët në zonat rurale. Po ashtu u shpreh se agroturizmi është një shans i mirë për të dalë nga varfëria, për të gjithë personat që jetojnë në fshat.     

Rama në Librazhd: PD do vazhdojë të humbë

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Librazhd në turin e takimeve “Bashkia që duam” ku ka folur për investimet e bëra në këtë rreth.

Nga Librazhdi, kreu i qeverisë deklaroi se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim që dogjën mandatin do të pësojnë fatin e partisë italiane që në vitet ’20 bëri të njëjtin veprim.

Sipas Ramës, Basha dhe Kryemadhi sipas tij do marrin vetëm “Noc Rrokun” në zgjedhje. Po ashtu kryeministri shtoi se “parlamenti tanimë është shumë më normal sepse nuk vijnë deputetët në parlament me vezë e bojë nëpër xhepa”.

SHBA: Presim më shumë nga prokuroria për hetimet penale

Shtetet e Bashkuara të Amerikës lëshojnë një mesazh të fortë ndaj prokurorisë shqiptare sa u përket hetimeve të nisura për çështjet e ndryshme të korrupsionit apo ndaj krimit të organizuar. E ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Tiranë, Leyla Moses Ones, gjatë aktivitetet të organizuar në Ministrinë e Brendshme për eventin për “Menaxhimin e çështjes” ka dhënë mesazhin se Uashingtoni pret më shumë nga prokuroria. Ajo theksoi se edhe SHBA po jep ndihmën e saj në këtë drejtim.

Gjithashtu mesazhi i dytë që u dha në këtë takim ishte ai se nuk ka kthim pas nga reforma dhe se do të punojnë me institucionet aktuale që duan të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Dështon sërish seanca ndaj Balilit, gjobitet avokati i tij

Ka dështuar sërish seanca ndaj Klement Balilit, ku pritej të lexohej pretenca.

Kjo është seanca e tretë që dështon dhe këtë herë shkak ishte mungesa e mbrojtjes.

Kështu, gjykata ka vendosur të shtyjë seancën për në datën 8 prill, ndërsa gjobiti avokatin Theodhori Sollaku, me 10 mijë lekë gjobë për mungesa të përsëritura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë