Politike

Çelja e negociatave, skenarë pro e kundër Tiranës dhe Shkupit


Bledar Hoti-Një javë përpara zgjedhje lokale të 30 qershorit, vendet anëtarë e të BE-së do të japin qëndrimin e tyre mbi rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kur ka mbetur më shumë se dy muaj, këto javë shihen kruçiale për të mundësuar që Shqipëria të marrë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave. Tashmë vendimi i negociatave është në nivelin e lartë politik dhe i takon shteteve anëtare të BE-së të thonë fjalën e fundit, pozitive apo negative.

Parë në këtë prizëm arma më e fortë e Shqipërisë që mund të ndikojë në çeljen e negociatave është reforma në drejtësi, e cila prej dy vitesh po trumbetohet si një arritje e madhe, por që ende nuk po ecën me ritmet e duhura, pasi nuk janë ngritur institucionet e reja siç janë Prokuroria e Posaçme, SPAK apo, Gjykatat e Posaçme Antikorrupsion dhe nuk është realizuar zgjedhja e Prokurorit të ri të Përgjithshëm. Këtu mund të përmendim edhe faktin e mosplotësimit të vakancave të krijuara në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.


Ndër kushtet e tjera që ka për të plotësuar vendi ynë janë edhe reforma zgjedhore, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pasjes së rezultateve konkrete, rekordeve, si histori suksesi.
Hapja e negociatave varet nga reformat e mëtejshme konkrete dhe të qëndrueshme në Shqipëri apo dhe stabiliteti politik; ku kërkohet gjithashtu miratimi nga të gjitha vendet e BE-së.

Skeptikët, Shqipëria dhe Maqedonia

Tejzgjatja e këtij procesi të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i vendosur kushte të njëpasnjëshme ka të bëjë me faktin se shtetet anëtare të unionit janë skeptike për zgjerimin. Kështu, vende si Holanda, Danimarka, Gjermania dhe Franca njihen shtete euroskeptike ndaj shqipërisë dhe kanë qenë të rezervuara në qëndrime pro çeljes së negociatave. Emigracioni i paligjshëm, azilkërkuesit, lufta kundër krimit të organizuar kanë qenë një nga kushtet e këtyre vendeve.

Pikërisht këto tema kanë qenë edhe në fokusin e takimeve më të fundit që ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj pati në Francë me homologun e tij, apo të ministrit holandez të Sigurisë, Ferdinad Grapperhaus, i cili zhvilloi takime dje në Tiranë në kohën kur po mbahej protesta e opozitës. Ministri holandez shmangu komentet nëse është pro hapjes së negociatave, duke theksuar se presin raportin e KE-së për dhënien e vlerësimit.

Ndryshe nga viti i kaluar nuk kemi ndonjë nisje të ndonjë lëvizje të fortë lobimi të qeverisë shqiptare ndaj shteteve të BE-së për të bindur të lëkundurit për çështjen e çeljes së negociatave. Në këtë proces “përballë” Shqipëria ka Maqedoninë e Veriut, shteti që me zhvillimet e brendshme politike dhe ato të jashtme ka avancuar sa i përket plotësimit të disa kushteve të vendosura nga ana e BE-së në dobi të një vendimi pozitiv për negociatat. Ndryshimi i emrit të shtetit fqinj në Maqedonia e Veriut, sipas marrëveshjes së Prespës, duket se është çelësi i hapjes së dyerve të Shkupit drejt BE-së.

Natyrisht, Shkupi zyrtar ka dhe një kartë plus për këtë proces, tashmë është Greqia, ku Athina zyrtare është avokatja dhe lobuesja pro çeljes së negociatave.


Por a mund të ketë ndarje të procesit mes dy shteteve apo kushtëzime të reja?

Ditët e fundit po qarkullon një hipotezë se Maqedonisë mund t’i çelen negociatat, ndërsa Shqipërisë mund t’i shtyhet vendimi për në janar të vitit të ardhshëm. Ky skenar mund të lidhet me faktin se Shqipëria është në prag të zgjedhjeve, apo situata aktuale politike nuk është favorshme për një vendim të tillë.
Sa i përket çështjes në negociatave, europarlamentari Viktor Boshtinaru në një intervistë për Deutche Wellen, shprehet pro hapjes së negociatave të Shqipërisë e Maqedonisë Veriore me Bashkimin Europian.

Boshtinaru dhe Shultz në Parlamentin Europian


“Rumania (shteti që drejton presidencën aktuale të BE) e ka vënë zgjerimin e Ballkanit Perëndimor si prioritet të axhendës së saj gjatë presidencës së radhës në BE, dhe unë besoj, që BE do ta kishte këtë përgjegjësi, jashtë çdo përpjekje për ta përdorur atë për çështje të politikës së brendshme, qofshin ato në Francë apo të ndonjë vendi tjetër”, thotë Boshtinaru.
Socialdemokrati, anëtar i Komisionit për Punët e Jashtme dhe Komisionit të Asociimit, BE-Shqipëri në Parlamentin Europian jep një vlerësim se si mund të jetë vendimi për Maqedoninë dhe Shqipërinë, duke dhënë një opsion jo shumë të qartë.
“Do të ishte mirë, nëse Këshilli i BE-së në qershor do të jepte sinjalin për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë Veriore dhe konkretisht hapjen e disa kapitujve të negociimit me Shqipërinë”, shprehet europarlamentari.
Por drejtori i Lëvizjes EMA, Gledis Gjipali sa i përket deklaratës së Boshtinarut thotë për Gazeta SI se nuk mund të ketë në qershor vendime të ndërmjetme, por do të jetë pro apo kundër hapjes së negociatave.

Gledis Gjipali

“Kjo nuk është e mundur, negociatat fillimisht hapet procesi pastaj vendoset kapitulli. Edhe për Maqedoninë e Veriut nuk hapen përnjëherë kapitujt .Kështu që duhet marrë një herë vendimi politik për hapjen e negociatave, praktikisht pastaj vendoset më vonë nëpërmjet një konference ndërqeveritare se cilat kapitujt do të jenë, apo dhe në qoftë se ka kushte siç u veprua me Serbinë. Që u hapën negociatat ligjërisht, por formalisht nuk u hapën derisa u plotësuan kushtet e dialogut me Kosovën. Pra iu desh gati një vit që më pas të bënte konferencën ndërqeveritare ku u përcaktuan edhe kapitujt. Kështu që të njëjtën rrugë do të ecë edhe Maqedonia dhe Shqipëria”, theksoi Gjipali.
Ai shton se mund të jetë si opsion që Maqedonisë së Veriut t’i hapen negociatat, ndërsa Shqipërisë nuk i hapen, ose e kundërta. “Nuk ka rrugë të ndërmjetme për vendimin e qershorit” thekson Gjipali.


Për këtë vendimmarrje të vendeve anëtare të BE-së, Dr. Johanna Deimel, eksperte për Ballkanin, e cila për vite me radhë ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Shoqatës së Europës Juglindore në Gjermani ka vënë skenarin më të keq të mundshëm, atë të mos çeljes së negociatave të Shqipërisë.
“Me gjendjen e tanishme nuk ka për të pasur negociata anëtarësimi. Nëse do të kishte një gjuhë të përbashkët, do të kishim pasur prej kohësh reformën zgjedhore, edhe reforma në drejtësi do të kishte ecur më përpara. Do të kishte pasur procese gjyqësore të mbyllura edhe në nivele të larta që dyshohen për korrupsion apo lidhje me kriminalitetin, e jo vetëm kundër peshqve të vegjël. Do të kishim pasur edhe një Gjykatë Kushtetuese funksionuese, për shembull”, tha Deimel për DW.


Johanna Deimel


Vendimi i qershorit do të vendosë nëse Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do t’i çelen negociatat, apo do të ketë skenarë si ai i shtyrjes së vendimit për në janar për vendin tonë, apo dhe më i keqi i mundshmi i shtyrjes së një vendimi në një kohë tjetër për të dyja shtetet e Ballkanit. Nëse vendimi lihet përtej qershorit, atëherë situata do të bëhet edhe më e komplikuar, pas zgjedhjeve për parlamentin europian. Por padyshim një shtyrje do të ndikojë jo vetëm në Tiranë dhe Shkup, por në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë