Opozita mblodhi mbështetësit e saj para Parlamentit siç kishte paralajmëruar pak para se të niste seanca plenare. Mes protestuesve dhe deputetëve të mazhorancës në sallë qëndronin mbi 800 forca të policisë dhe Gardës së Republikës.
Në kohën që brenda në sallë fliste Edi Rama, jashtë saj nisën të marrin me radhë fjalën kandidatët nga listat e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim që kishin refuzuar marrjen e mandateve të djegura.
Veç mandateve, në protestë u dogjën edhe goma dhe hodhën shashka e tymuese në drejtim të policisë. Por, incidentet nuk u vlerësuan aq serioze nga ana e policisë dhe Gardës, që në këtë protestë, ndryshe nga të tjerat u kursye dhe nuk hodhi asnjë kanistër me gaz lotsjellës.
E nën ritmin e përplasjeve të vogla, të gjithë kandidatët që folën, besnikë të vendimit të kryetarëve dhe forumeve të PD-së dhe LSI-së, thanë se Parlamenti i vërtetë ishte në shesh e se nuk njihnin asnjë Parlament tjetër.
Më shumë se mesazhet që do të përçoheshin përmes fjalëve të kandidatëve që refuzonin mandatet, simbolika ishte se në këtë vendim kishte një unitet e mbështetje të gjerë. Por, kjo simbolikë e ky unitet në vendimin opozitar u godit jo pak nga lajmet që mbërrinin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Pesë kandidatë, tre nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe dy nga radhët e Partisë Demokratike dorëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit në kohën që opozita protestonte para Kuvendit.
Nga listat e LSI, Edlira Hyseni nga Qarku i Durrësit, Ediola Braha, në Qarkun e Gjirokastrës, Elda Hoti, në Lezhë, nga PD, Ligoraq Karamelo në Korçë dhe Majlinda Halilaj në Tiranë janë emrat që pritet të zëvendësojnë pesë mandate të djegura në këto qarqe.
Këta emra i shtohen listës me katër deputetët e dalë nga listat e LSI-së që u betuan dhe Lefter Maliqit nga listat e PD, që dorëzoi një ditë më parë formularin e dekriminalizimit, duke e çuar numrin zyrtar të emrave nga kandidatët që refuzuan vendimin e partive të tyre në 10.
Këtyre dhjetë emrave që morën e do të marrin mandatet i shtohen deputetët që refuzuan dorëheqjet, si Myslim Murrizi e Rudina Hajdari nga PD dhe Lefter Koka nga LSI. Partia Demokratike përjashtoi nga radhët e saj Murrizin, ndërsa për Rudina Hajdarin nuk është marrë ende një vendim.
Vetë deputetja e PD-së nuk ishte në këtë protestë, por në krah të vet Lulzim Basha kishte Kiri Hajdarin, vëllain e saj. Ky i fundit nuk është pjesë e listave pasuese të PD-së në zgjedhjet e 2017, por me statusin e djalit të Azem Hajdarit foli para protestuesve.
“Unë jam djali i Azem Hajdarit. Amaneti i Azemi Hajdarit qëndron tek ju dhe të gjithë demokratët . Liri Demokraci! Rama ik, Rama ik!”, tha Kiri Hajdari.
I fundit që mori fjalën para turmës së grumbulluar në hyrjen kryesore të godinës së seancave plenare ishte vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai ishte vënë në dijeni për largimin e Edi Ramës në drejtim të Italisë dhe jepte një tjetër arsyetim nga Kryeministri për këtë udhëtim.
“Ka shkuar të negociojë azilin politik. Por, kjo pak rëndësi ka. Fatin e tij e ka vulosur populli! Regjimi i Edi Ramës ka rënë dhe ne të bashkohemi në rrugën tonë, të shpresës, besimit dhe të nesërmes”, tha ai.
Në përfundim të fjalës, Basha, me të njëjtin skenar të protestës së 21 shkurit, orientoi protestuesit që ta ndiqnin nga pas. Këtë herë destinacioni nuk ishte Kryesia e Kuvendit, ku më 21 shkurt u dorëzuan mandatet në grup nga opozita, por selia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Këtu, emrat pasues në listat e PD-së dorëzuan kërkesën e refuzimit për marrjen e mandateve të shoqëruar nga vetë Lulzim Basha e drejtues të tjerë të PD-së në sy të kamerave të mediave. Jashtë godinës nuk munguan përplasjet mes policisë dhe protestuesve, që kërkuan të ndiqnin Lulzim Bashën brenda ambienteve të godinës së KQZ. Përplasjet u tejkaluan shpejt.
“Ky ishte akti final ligjor i rrëzimit të asamblesë së krimit. Takimin e radhës e kemi më 16 mars para Kryeministrisë”, tha Basha.
Në momentin që Basha me protestuesit u larguan nga KQZ ndalesa e radhës ishte e paqartë. Sapo protestuesit dolën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” policia dhe Garda menduan se po i drejtoheshin Kryeministrisë. Forca të shumta policore rrethuan menjëherë godinën, kufizuan lëvizjen në rrugët përreth, ndërsa nga brenda ndërtesës dolën me shpejtësi ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Qeverisë.
Pak minuta më pas u mësua se destinacioni i fundit për këtë protestë ishte selia e PD-së. Basha i priu turmës në drejtim të selisë. Këtu mori sërish fjalën. Tha se Ramën e kishin braktisur edhe ndërkombëtarët dhe ata pak që e mbrojnë me gjysmë zëri, sipas tij, e kanë të qartë se “Edi Rama ka mbaruar”.
Edhe këtu Basha foli me bindje, se protesta ishte fundi i regjimit të Edi Ramës.
“Ajo që po vjen është shpresa! Kurrë më krimi nuk do të vendosë për ju dhe fëmijët tuaj. Ora e shqipërisë europiane po troket, ore a largimit të Edi Ramës po troket”, tha Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.