Kriza politike po rëndon shumë në ekonominë e vendit. Kjo është ajo çfarë mendon Konfindustria e cila i kërkon vendimarrjes politike të gjithë krahëve të tregojnë vetpërmbajtje dhe të gjejnë rrugë zgjidhje të krizës politike.
Konfindustria e argumenton konkluzionin e saj me detyrimit në monedhën euro të TVSH/tatimit mbi vlerën e shtuar të qeverisë ndaj biznesit në vitin fiskal 2018. Sipas Konfindustrisë këto detyrime kanë tejkaluar të njëjtin detyrim të vitit 2013.
“Përllogaritja krahasimore e detyrimeve sipas të dhënave zyrtare tregon, që në vitin 2018 shteti nuk u ka kthyer TVSH operatorëve të biznesit pothuaj 93 milion euro kundrejt afër 92 milion euro në dhjetor të vitit 2013”- citon Konfindustria përmes një njoftimi për shtyp.
Për të tejkalimi i masës së borxhit ndaj bizneseve në vitin fiskal 2018 kundrejt gjashtë viteve më parë, tregon për performancë të dobët të politikave qeveritare të ndjekura me pasojë të drejtpërdrejtë në rendimentin e ulët fiskal të ekonomisë kombëtare.
Kjo për Konfindustrinë rrit kostot e biznesit, rrezikon seriozisht besimin e investitorëve, vë në pikpyetje përmbushjen e treguesve kryesorë makro të buxhetit 2019 dhe godet zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm afatgjatë të vendit.
Gjendja paraqitet edhe më problematike, citon shoqata e biznesit, sepse niveli i borxhit publik të vendit në vitin fiskal 2018, sipas agjencive audituese të pavarura dhe certifikimit “de facto” nga institucionet financiare ndërkombëtare, është të paktën 10% më i lartë ndaj PBB-së se në vitin 2013, pa llogaritur detyrimet në rritje nga projektet e tipit PPP/Partneritetit Publik Privat të tashme dhe të parashikuara në progamet qeveritare të shpallura.
Prandaj, argumenton Konfindustria, kjo situatë bën pothuaj të pamundur marrjen e borxhit të ri si mekanizëm financiar i përdorur në të ashtuquajturën krizë të borxheve të viti 2013.
“Në vitin 2014 Qeveria shqiptare në marrëveshje me FMN morri borxh të ri në një vlerë pothuaj 1 miliard $, duke e përligjur me nevojën e përballimit të detyrimeve të gjetuar nga qeverisja e mëparshme “- thotë Konfindustria duke theksuar se performanca e dobët e politikave ekonomike dhe financiare qeveritare gjatë vitit 2018, të shprehura qartë në rritjen e fortë të detyrimeve financiare të pakthyera bizneseve dhe të tretëve në përgjithësi, ngarkon me përgjegjësi edhe programet e bashkpunimit të FMN/Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.